Ballina Muzikë Angli, zhvillohet festivali i parë me distancim social

Angli, zhvillohet festivali i parë me distancim social

 

Të mos heqësh dorë nga muzika në kohërat e COVID-19. Në Mbretërinë e Bashkuar, ku masat parandaluese janë ende në fuqi dhe ministri i Transporteve, Grant Shapps, vijon kufizimet me vendet me rrezik më të lartë – u zhvillua festivali i parë me distancim social. Po, me të vërtetë!

Në Newcastle, në Virgin Money Unity Arena, rreth 2500 persona morën pjesë në koncertin e këngëtarit premtues Sam Fender, autor i Hypersonic Missiles dhe fitues i Critics’ Choice Award në Brit Awards të vitit 2018

Hapësira u projektua me një parkim të organizuar dhe një sistem radhësh për të pritur, i cili respektonte distancimin social, një skenë gjigante dhe 500 platforma të ngritura (në të cilat mund të qëndronin maksimumi 5 persona), të vendosura në kënde të ndryshme në varësi të largësisë nga radha e parë.

Dukej një sfidë e pamundur për t’u arritur, por eventi ia doli mbanë të mbajë premtimet dhe shqetësimet paraprake: një totem me dezinfektues dhe mundësia për të porositur pijet nëpërmjet një aplikacioni.

Steve Davis, nga SSD Concerts, tha për BBC News se “është një hapësirë prej 45 mijë metra katrorë, ekuivalente me më shumë se 6 fusha futbolli, gjë që është çmenduri.

Në një ditë normale, ky vend mund të mirëpresë 45 mijë persona, por kapaciteti ynë për koncerte do të jetë 2500 persona”.

Vetë këngëtari britanik, Sam Fender, u shpreh se “mendoj se është fantastike që rajoni ynë është avangardë në këtë fushë dhe do të jemi pionierë të diçkaje, që shpresojmë, se do të vijojë deri sa pandemia të marrë fund”.

Sam Fender

Edhe fansat dhe ndjekësit e koncertit dhanë vlerësimin e tyre në rrjetet sociale dhe, pjesa më e madhe, dukej pozitive sa i përket koncertit.

Një person shkroi në Twitter: “Sam Fender, sonte, live në Newcastle – koncerti i parë në shkallë të gjerë, me distancim social. Mjaft qytetar. Duket se funksionon. Kjo është e ardhmja! Të paktën për pjesën që mund të parashikohet….”

Një tjetër shkruante: “Koncerti i Sam Fender, me distancim social, dukej kaq i bukur. Imagjinoni të keni me të vërtetë hapësirë për të marrë frymë në një koncert”.

“Koncerti i parë i cili respektonte distancomi social, ishte absolutisht surreal, por me të vërtetë i mirëmenduar. Sam Fender ishte fantastik” – shkruante një fanse e këngëtarit.