Ballina Bota Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruajnë marrëveshje historike për paqe

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruajnë marrëveshje historike për paqe

 

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë pajtuar për normalizim të marrëdhënieve, ka njoftuar presidenti amerikan, Donald Trump.

Përmes një deklarate të përbashkët të Trumpit, kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe princit të kurorës në Abu Dabi, Mohammed bin Zayed, liderët kanë thënë se shpresojnë që “kjo pikë kyçe historike do të çojë përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme”.

Ata kanë thënë se si rezultat, Izraeli do t’i pezullojë planet për të aneksuar disa pjesë të pushtuara të Bregut Perëndimor.

Deri më tani, Izraeli nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike me shtetet e Gjirit Arab.

Megjithatë, shqetësimet e përbashkëta për ndikimin rajonal të Iranit kanë ndikuar në kontakte jozyrtare mes tyre.

Si përgjigjje ndaj njoftimit të presidentit Trump, Netanyahu ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter: “Ditë historike”.

Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në Shtetet e Bashkuara, Yousef Al Otaiba, ka thënë përmes një deklarate se kjo është “fitore për diplomacinë dhe për rajonin”.

“Ky është avancim i madh në marrëdhëniet arabo-izraelite që ul tensionet dhe krijon energji të re për ndryshime pozitive”, ka shtuar ai.

Kjo është vetëm marrëveshja e tretë për paqe e nënshkruar ndonjëherë mes Izraelit dhe vendeve arabe, prej shpalljes së pavarësisë së Izraelit më 1948.

Egjipi ka nënshkruar një marrëveshje më 1979, dhe Jordani më 1994.