Nevojiten thuajse 6 milionë infermierë më shumë për të siguruar një rritje të re të standardeve shëndetësore pas pandemisë
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kjo nevojë është më e madhe në vendet më të varfra.
Por edhe vendet e zhvilluara do të duhet t’u bëjnë ballë këtyre mungesave në dekadën e ardhshme.
Kombet duhet të zvogëlojnë hendekun gjinor me paga më të mira dhe të drejta në punë
Bota duhet të veprojë sot për të shmangur mungesën e infermierëve në të ardhmen
Pandemia ka dhënë kambanën e alarmit – do t’ia dalim mbanë vetëm duke shkuar në drejtimin e një mbulimi shëndetësor universal. Lënia pas dore e gjithë atyre që nuk mund të përballojnë shpenzimet, reflektohet në shëndetin e të gjithëve. Por duhen më shumë infermierë dhe infermiere për të zgjeruar mbulimin shëndetësor universal.
Sipas llogaritjeve të Kombeve të Bashkuara në raportin State of the World’s Nursing, në botë do të mungojnë thuajse 6 milionë infermierë, veçanërisht në vendet më të varfra brenda vitit 2030. Raporti thekson qasjen e Gjermanisë, e cila ka rritur rekrutimin e brendshëm dhe ka mbështetur trajnimin dhe zhvillimin e infermierëve në vendet nga të cilat janë rekrutuar tradicionalisht.
Për t’i bërë ballë mungesës së infermierëve brenda vitit 2030 në të gjithë vendet, numri total i infermierëve të diplomuar duhet të rritet mesatarisht me 8% në vit, së bashku me një aftësi më të mirë për të punësuar dhe për t’i mbajtur këta të diplomuar. Pa këtë rritje, tendencat aktuale tregojnë se do të ketë 36 milionë infermierë brenda vitit 2030, me mungesa të theksuara në rajonet e Afrikës, Azisë Juglindore dhe në Mesdheun Lindor.
Afati i vitit 2023
Në të vërtetë, para vitit 2030 ka një tjetër afat: viti 2023. Po flasim për Triple Billion Target, programi i 13 i përgjithshëm i punës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (GPW13), që ka tre objektiva për t’u arritur brenda vitit 2023:
1 miliard persona më shumë që të përfitojnë nga mbulimi shëndetësor universal
1 miliard persona më shumë të mbrojtur nga emergjencat civile
1 miliard persona më shumë të cilëve u përmirësohet shëndeti dhe mirëqenia.
Dhe kjo, nuk është një shaka.
Sot, infermierët, përbëjnë 60% të forcës së punës në sistemin shëndetësor: 27,9 milionë profesionistë, 4,7 milionë më shumë në periudhën 2013 – 2018 krahasuar me pesëvjecarin e mëparshëm. Por, megjithatë, nuk janë të mjaftueshëm për arritjen e objektivave të vendosur për 2030 (dhe për 2023). Më shumë se 80% e infermierëve në botë jetojnë në vendet që përfaqësojnë gjysmën e popullsisë botërore. 90% e infermierëve që mungojnë duhet të gjenden në vendet me të ardhura të ulëta, ku rritja e numrit të infermierëve është e ulët krahasuar me rritjen e popullsisë.
Infermieri është ende një profesion gjinor. Rreth 90% e forcës së punës infermierore në botë është i seksit femër, por vetëm pak pozicione drejtuese mbulohen nga gratë. Një tjetër problem është edhe hendeku i pagave midis gjinive. Po ashtu, vetëm pak më shumë se një e treta e vendeve (37%) ka marrë masa për të parandaluar dhunën kundër punonjësve të shëndetësisë.
10 propozimet e Kombeve të Bashkuara për të përmirësuar gjërat
1.Vendet ku mungesa e infermierëve është më e madhe duhet të rrisin financimet për formimin e profesionistëve të rinj.
2.Duhet të forcojmë aftësinë për të mbledhur, për të analizuar dhe për të përdorur të dhënat mbi fuqinë e punës shëndetësore.
3.Lëvizja dhe migrimi i infermierëve duhet të monitorohen në mënyrë efikase dhe të menaxhohen në mënyrë të përgjegjshme dhe etike.
4.Programet për arsimimin dhe trajnimin e infermierëve duhet të formojnë njerëz të aftë që të nxisin progresin në kujdesin shëndetësor parësor dhe mbulimin shëndetësor universal.
5.Forcimi i rolit të infermierit në strukturat drejtuese dhe qeverisëse shëndetësore, mbi të gjitha me programe arsimore specifike. Infermieri nuk mund të jetë më vetëm një operator.
6.Përfshirja e fuqisë së punës infermiere në trajnime mbi objektivat strategjikë për sa i përket shëndetit publik brenda realitetit në të cilin veprojnë.
7.Sigurimi i punës së denjë për infermierët – një mjedis të favorshëm dhe të sigurt, me përpjekje të veçanta kushtuar infermierëve që veprojnë në mjedise të brishta, të prekura nga konfliktet.
8.Sigurimi i barazisë gjinore në rekrutim. Vendet duhet të hartojnë politika për personelin infermieror me ndjeshmëri ndaj gjinisë, duke garantuar zbatimin e këtyre rregullave, për shembull në hendekun gjinor të pagave, duke përfshirë edhe sektorin privat.
9.Zvogëlimi i burokracive në punësim, duke krijuar sisteme ndërvepruese që u lejojnë rregullatorëve të verifikojnë me lehtësi dhe shpejtësi kredencialet e infermierëve.
10.Bashkëpunimi midis organeve institucionale është çelësi për arritjen e objektivave. Dialogu ndërsektorial mund
të udhëhiqet nga Ministritë e Shëndetësisë me përfshirjen e ministrive të tjera të afta (si ajo e Arsimit, Financave, e Punës dhe ajo e Migracionit) dhe nga palët e interesuara të sektorit publik e privat.
Burimi: Il Sole 24 Ore; Organizata Botërore e Shëndetësisë