Ballina Aktualitet COVID-19 godet industrinë e peshkimit

COVID-19 godet industrinë e peshkimit

 

Greqia ishte në përfundim të një krize financiare dhjetëvjeçare, kur koronavirusi goditi ashpër turizmin. Megjithë ndikimin negativ që pandemia ka në jetën e peshkatarëve, shkencëtarët thonë se karantina solli të mira për jetën detare të vendit.

Stavros Koustroukos është peshkatar me përvojë në ishullin grek Aegina.

Por, sikurse çdo industri në botë që po preket nga kriza e koronavirusit, edhe peshkatarët grekë po vuajnë pasojat.

“Situata është e rëndruar për të gjithë. Nuk ka shumë turistë si në vitet e mëparshme”, thotë Stavros.

Peshqit nuk shiten si më parë, thotë Chrisos Chitis, kryetar i shoqatës së peshkatarëve “Agios Nektarios” ndërsa shpjegon ndikimin e pandemisë në këtë industri.

“Tani jemi në periudhë të mire, sepse njerëzit vijnë për pushime. Sigurisht ata hanë dhe e pelqejnë peshkun. Është më lehtë të bëjmë shitje. Por nga fundi i gushtit gjërat do të ndryshojnë. Do të jetë shumë e vështirë dhe nëse izolimi vazhdon, e ardhmja mbetet e paqartë. Sepse shpenzimet janë të njëjta, përveç familjeve duhet të kujdesemi edhe për barkat tona. Të gjithë kanë problemet e veta. Disa peshkatarë janë të moshuar që marrin pensione të ulëta. Të paktën morëm ca ndihma dhe një tjetër po e presim nga shteti”, tha zoti Christos Chitis.

Në ishullin Aegina (Egjina) operojnë 200 peshkatarë të cilët u desh të mbijetonin me një pagesë prej 800 euro nga qeveria.

Sidoqoftë, masat kundër COVID-19 sollën disa të mira për jetën detare thonë shkencëtarët.

Zona përreth detit Egje në Greqi, është peshkuar së tepërmi për disa dekada. Një studim i vitit 2018 botuar në “Marine Policy”, thotë se janë shfrytëzuar rreth 85 për qind e rezervave.

“Dallimi me vitet e 60-ta është i madh. Para 60 vitesh përdornim vetëm një rrjetë dhe kapnim katër herë më shumë peshq sesa tani. Tani me gjithë këto rrjeta kapim vetëm tre ose katër kilogramë. Është shumë më ndryshe por nuk kemi çfarë të bëjmë që të rrisim numrat”, thotë Stavros.

Shkencëtarët mendojnë se kontrolli i kësaj industrie do të sillte ndryshim të madh.

Profesori i universitetit Aristotel të Selanikut, Athanassios Tsikliras (Athanasios Cikiras), thotë se masat izoluese nga marsi deri në maj ulën aktivitetin në ishujt grekë me 60 për qind.

“Rënia e peshkimit ishte me rëndësi sepse besojmë se kjo mundëson shtimin e peshqve brenda pesë viteve të ardhshme. Pra speciet që jetojnë më pak si sardelet, do të shtohen gjatë muajve dhe vitit të ardhshëm. Ndërsa speciet që jetojnë më gjatë shtohen në tre deri katër vitetet e ardhshme”.

Profesor Tsikliras shton se periudha e masave izoluese përkoi me kohën e shtimit dhe pjekurisë së peshqve.

Kjo nënkupton që më shumë peshq do të lindin dhe rriten gjatë kësaj periudhe.