Ballina Bota Brazili rihapet megjithë nivelin rekord të koronavirusit

Brazili rihapet megjithë nivelin rekord të koronavirusit

 

Pas Shteteve të Bashkuara, Brazili ka numrin më të madh në botë të vdekjeve nga COVID-19 dhe të rasteve të konfirmuara të të infektuarve – duke e shndërruar këtë vend të Amerikës së Jugut në një vatër të nxehtë të koronavirusit. Pavarësisht kësaj situate të zymtë, qytetet më të mëdha të Brazilit – São Paulo dhe Rio de Janeiro – kanë vendosur të rihapin bizneset, megjithëse epidemiologët paralajmërojnë se numri i vdekjeve në rritje nga pandemia mund të rritet në mënyrë eksponenciale.

Roberto Molina, një inxhinier, ka qenë në karantinë që nga muaji mars, kur kompania e tij ndërpreu aktivitetet në zyrë për shkak të koronavirusit.

Që atëherë, ai nuk është larguar nga shtëpia nga frika e virusit.

Takimet e punës ndodhin vetëm përmes kompjuterit. Aplikacionet për ushqimet zëvendësuan vajtjen në supermarket.

Edhe kontaktet me familjen dhe miqtë bëhen vetëm në mediat sociale.

“Kam frikë për familjen time. Shqetësimi im është se mos shndërrohem në bartës dhe të përfundoj duke ua transmetuar të tjerëve”,thotë zoti Molina.

Por qytetet më të mëdha të Brazilit, São Paulo dhe Rio de Janeiro, kanë rihapur aktivitetet tregtare, parqet dhe palestrat – edhe pse vendi ka regjistruar mesatarisht më shumë se një mijë vdekje në ditë, për 50 ditë me radhë.

Fundjava e kaluar ishte hera e parë që zoti Molina doli jashtë dhe zgjodhi të shkonte në një restorant.

“Është sikur të bëj diçka për herë të parë në jetën time. Diçka krejt e re që nuk ekzistonte më parë. U ndjeva plotësisht i sigurt”, thotë ai.

Por më pak se dy kilometra larg, një tjetër realitet.

Në një treg të njohur tezgash ka mbipopullim.

Për të blerë ushqim më të lirë, njerëzit e vënë veten në rrezik. Shumica e shitësve nuk mbajnë maska.

Në vetëm 20 minuta, Celita da Costa pati kontakt me tre shitës që nuk mbanin maska.

“Shumë njerëz nuk kujdesen për veten e tyre, nuk mbajnë maskë. Kjo është një mungesë edukimi dhe dashurie për të tjerët. Sepse nëse nuk kujdesem për veten time, unë do të përhap sëmundjen dhe kështu pandemia nuk do të përfundojë kurrë”, thotë zonja da Costa.

Kryeqytetet rajonalë si Porto Alegre dhe Curitiba u konsideruan shembuj të kontrollit të koronavirusit në fillimet e pandemisë.

Numri i ulët i vdekjeve dhe i rasteve të reja solli një rihapje në qershor. Por, mund të ketë qenë tepër herët. Tani spitalet në të dy qytetet kanë arritur kufijtë maksimalë të kapacitetit të tyre.

Frika tani është se kjo do të ndodhë edhe në São Paulo dhe Rio.

“Kjo rihapje mund të ketë ndodhur në një fazë rritjeje të vazhdueshme të rasteve me COVID-19, kryesisht në jug të Brazilit. Disa shtete rihapën aktivitetet ekonomike dhe tani i gjithë procesi duhet të kthehet pas në disa hapa, sepse mbetemi në një fazë të përshpejtuar të koronavirusit. Megjithëse jemi në rihapje, gjithmonë duhet të shikojmë të dhënat javore dhe të ndërtojmë një rikuperim më të ngadaltë, duke kuptuar domosdoshmërinë e një rindërtimi ekonomik”, thotë dr. Alvaro Costa, specialist i sëmundjeve infektive, në Spitalin “Emilio Ribas”.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, edhe pasi u diagnostikua me COVID-19, vazhdon të thotë se sëmundja është vetëm një grip i vogël për të cilin nuk mund të bëhet asgjë.

“Mbaj zi. Çfarë doni që të bëj? Emri im është Mesia, por nuk mund të bëj mrekullira”, tha Presidenti Bolsonaro.

Ndërkohë, një koalicion i punonjësve brazilianë të shëndetësisë ka paraqitur një padi kundër zotit Bolsonaro në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, duke e akuzuar atë për genocid dhe krime kundër njerëzimit për përgjigjen e tij ndaj pandemisë.