Papa Françesku nënshkruan me këto fjalë parathënien e librit “Bashkim e shpresë”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit – Dikasteri për Komunikimin.
Vëllimin e përgatitën kardinali Walter Kasper, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve dhe atë George Augustin, meshtar gjerman, i cili ka themeluar dhe drejton Institutin, që mban emrin e kardinalit, bashkëkombas i tij. Libri përmban tregime mbi “dëshminë e fesë në kohën e koronavirusit”, siç thotë edhe nëntitulli.
Pandemia si “kohë prove dhe vendimesh”
Në fjalët, që shkruan Papa në parathënie, ndihet e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e njerëzimit. Siç pati thënë në lutjen e paharrueshme të 27 marsit, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh, kur në Itali përhapej me shpejtësi pandemia, koronavirusi, si të ishte stuhi e fuqishme, na befasoi të gjithëve, duke na e ndryshuar jetën familjare, punën dhe të gjitha veprimtaritë publike e duke lënë pas vetes vdekje, probleme ekonomike dhe largësinë nga Eukaristia e nga sakramentet. Kjo gjendje dramatike, që nxjerr në pah “brishtësinë” e njeriut, “paqëndrueshmërinë e tij dhe nevojën për shëlbim”; që vë në diskutim siguritë – bazë të jetës sonë, shtron “pyetje themelore për lumturinë dhe për thesarin e fesë së krishterë”, nënvizon Papa.
Ku “mbahen rrënjët më të thella, që na mbështesin të gjithëve në stuhi”? Çfarë është vërtet e rëndësishme dhe e nevojshme? “Pandemia” – vëren Ati i Shenjtë – është “sinjal alarmi, që të bën të reflektosh” pikërisht mbi këtë. “Është kohë sprove dhe vendimarrjeje, për ta orientuar jetën në një mënyrë të risuar kah Zoti, mbështetja dhe horizonti ynë”.
Të dëgjojmë britmën e të varfërve e atë të planetit
Papa u bën thirrje të gjithëve për “solidaritet” dhe “shërbim”, kundër “padrejtësive globale” dhe indiferencës. Në fakt, emergjenca na detyron ta kuptojmë sa shumë “varemi nga solidariteti i të tjerëve” dhe na shtyn t’u shërbejmë të afërmve në mënyrë të re: “Duhet të na shkundë padrejtësia globale – nënvizon Françesku – që të zgjohemi dhe ta dëgjojmë britmën e të varfërve dhe atë të planetit tonë, aq të sëmurë”.
Të infektohemi nga dashuria, jo të paralizohemi nga frika
Përhapja e pandemisë, vë në dukje Papa, përkoi me periudhën e Pashkëve e prej këndej niset mesazhi, që e shndrit të tashmen dhe të ardhmen dhe që e shmang paralizën: është mesazhi i fitores së jetës mbi vdekjen. “Pashkët – kujton Françesku – na japin shpresë, besim dhe guxim, na e përforocojnë solidaritetin” dhe vëllazërimin. “Rreziku i infektimit nga një virus duhet të na mësojë një lloj tjetër ‘infektimi’, atë të dashurisë, që zemra ia çon zemrës. Jam mirënjohës për shenjat e shumta të gatishmërisë spontane për ndihmë dhe për impenjimin heroik të personelit shëndetësor, mjekëve dhe meshtarëve. Këto javë, e kemi ndierë forcën, që vinte nga feja”.
Në Eukaristi, forca për kapërcimin e vështirësive
E, besimit në Krishtin, i kushtohet paragrafi i fundit i parathënies së librit. Papa kujton “agjërimin e dhimbshëm eukaristik”, që përjetuan shumë të krishterë, për shkak të ndërprerjes së kremtimeve publike. Transmetimi i meshës përmes mediave ishte zgjidhje emergjence, por, siç thekson Ati i Shenjtë, asnjë “transmetim virtual nuk mund ta zëvendësojë praninë e vërtetë të Zotit në kremtimin eukaristik”. Papa shpreh gëzimin për rifillimin e jetës normale liturgjike, sepse, përfundon ai, “prania e Zotit të ringjallur në Fjalën e Tij dhe në kremtimin eukaristik do të na japë forcën, që na duhet, për të përballuar problemet e vështira pas krizës”. E, gjithë njerëzimit, Françesku i jep shpresë, duke i kujtuar fjalët e Jezu Krishtit për dishepujt e Emausit: “Mos kini frikë! Unë e munda vdekjen”. /vaticannews/