Ballina Shëndet Psikologët: Karantina zgjoi problemet e shëndetit mendor

Psikologët: Karantina zgjoi problemet e shëndetit mendor

 

Karantina dhe frika e përballjes me një virus të panjohur ka zgjuar në shoqëri probleme të shëndetit mendor, sidomos tek të rriturit. Psikologët shprehen se janë shtuar rastet e personave që kanë kërkuar ndihmë.

“Ajo çfarë e dimë është numri fizik i personave të sëmurë që janë prekur nga COVID-19, por ajo çfarë nuk dimë është se sa persona kanë pësuar probleme të shëndetit mendor, numër që mendohet të jetë shumë më i madh se sa i atyre të prekur nga COVID-19.

I ka gjetur të papërgatitur dhe kjo ka bërë që të krijohet një kauzë, si ankthi, stresi, depresioni, që është shumë më e madhe sesa kauza e vet COVID në spitale”, thotë psikologia Adelina Pjetra.

Adelina Pjetra tregon se prindërit ishin ata që u hasën me shumë vështirësi. Shumë prej tyre nuk ia dolën të menaxhojnë mësimin online si dhe të ruajnë ekonominë e familjes, duke ua kaluar më pas stresin fëmijëve.

“Nuk është e natyrshme për njeriun të mësojë në atë formë, të detyrojnë fëmijët të shkojnë në shkollë online. Të jenë të detyruar të jenë përpara një ekrani, që ka qenë një stres për të dyja palët. E kanë përballuar shumë keq, edhe unë madje e kam kapur dhe veten duke u thënë fëmijëve, sot mos bëni mësim, pasi kam dashur pak pushim”, thotë psikologia.

Tashmë në bisedat midis qytetarëve, tema kryesore është COVID-19. Mungesa e një informacioni të saktë si dhe një parashikueshmërie, shton stresin në shoqëri. Dhe sipas ekspertëve, përballja me një karantinë të dytë, mund të kishte pasoja fatale.

“Nuk jemi të përgatitur për një mbyllje të dytë. Do sillte një falimentim total të shoqërisë dhe një rritje të paimagjinueshme të problemeve të shëndetit mendor, vetëvrasjeve apo dhe shqetësimeve të tjera”, shprehet psikologia./Burimi:EuroNews