Ballina Aktualitet OKB: Bota po përballet me një “katastrofë” në arsimimin e gjeneratave të...

OKB: Bota po përballet me një “katastrofë” në arsimimin e gjeneratave të reja

 

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi se bota po përballet me një “katastrofë për gjeneratat e reja” pas mbylljes së shkollave për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe “kthimi i studentëve/nxënësve në shkolla dhe institucionet mësimore sa më të sigurta të jetë e mundur duhet të jetë një përparësi kryesore”.

“Pandemia e Covid-19 ka çuar në ndërprerjen më të madhe të arsimit të ndodhur ndonjëherë”, tha Guterres gjatë promovimit të fushatës “ Save our future”, që ka në fokus pikërisht problemet e arsimimit në botë.

“Pavarësisht dhënies së mësimit nga televizioni, radio apo interneti, dhe përpjekjeve më të mira të mësuesve dhe prindërve, shumë nxënës mbeten jashtë këtyre mundësive”.

Në mes të korrikut, shkollat ​​u mbyllën në më shumë se 160 vende, duke prekur më shumë se 1 miliardë nxënës, tha ai. Të paktën 40 milionë nxënës në të gjithë botën kanë humbur arsimin në vitin e tyre kritik parashkollor.

Nxënësit me aftësi të kufizuara, ata në komunitetet minoritare, studentët e zhvendosur, fëmijët refugjatë, si edhe ata në zona të largëta kanë rrezik më të madh për t’u lënë pas dore.

“Dhe madje edhe për ata që mund të përdorin mësimin në distancë, suksesi varet nga kushtet e tyre të jetesës,” tha Guterres.

“Tani ne po përballemi me një katastrofë në këtë drejtim që mund të çojë dëm potencialin njerëzor dhe të rrezikojë dekada progresi, si dhe të zmadhojë pabarazitë”.

Më shumë se 250 milionë fëmijë të moshës shkollore ishin jashtë shkollës që para fillimit të pandemisë./CNN