Frrok Gjoni aktualisht është punonjës policie në Tropojë, por ka studjuar edhe për biologji dhe kimi, vite më parë.Unë e kam njohur si artist, një instrumentist i shkëlqyer, pjesë e ansamblit të mrekullueshëm pukjan të Ndue Shytit , ikonës së çiftelisë dhe jo vetëm.Vazhdon traditën me disa kolegë të tij, duke dashur ta ruajë si vlerë të shtrenjtë, si thesar të traditës krijimtarinë dhe mënyrën e rrallë të interpretimit.I angazhuar në Qendrën Kulturore “Dardania”, në projektet kulturore të saj, me mbështetjen e mjeshtrit Skender Doshlani, ai ndihet aq mirë, i përkrahur dhe i dashur si në qytetin e tij, në Pukë.
Së bashku, mbështetur edhe në përvojën e krijuar nga “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “ Tropojë, me dashamirësi dhe respekt ka bashkëpunuar drejt një projekti ambicioz, të themelimit dhe rritjes së Shoqatës Kulturore “Kçira” fshat i Pukës nga kanë dalë dhjetra figura të rëndësishme të artit,kulturës,arsimit, por dhe nga shumë fusha të tjera si ekonomistë, juristë të shquar, prokurorë të republikës, kryetarë bashkie etj.
Puka sot më shumë se në çdo epokë tjetër është shndrruar në një destinacion të bukur turistik, për shkak të pozitës gjeografike dhe pasurive natyrore, të një relievi tërësisht alpin, por edhe për trashëgiminë e saj të shquar kulturore, nga traditat që vijnë të gjalla dhe aktive që nga ilirët e këtej.
Kçira ka luajtur rol të rëndësishëm gjithmonë në Pukë ndër 7 bajrakë, në luftë e kuvende dhe si një vend me pozitë gjeografike të favorshme dhe me njerëz të besës e burrnisë qysh në kohën e Gjergj Kastriotit dhe Lekë Dukagjinit, e cila ishte nën zotërimin e këtij të fundit.
Për fshatin Kçirë të Pukës , nëse kerkon në internet gjen një përshkrim të vitit 1916, kur fshati tërësisht katolik kishte tre kisha, 105 shtëpi e 800 frymë. Një pjesë e mirë e banorëve jetojnë duke punuar për punishten e reçelrave, mjaltit, pijeve, bimëve mjekësore, të cilat eksportohen deri në Vatikan.Familjet e Kçirës mbjellin e mbledhin fruta e bimë me punë sezonale.Historia e Kçirës sipas studjuesve të zones daton që në vitin 1529, përshkruar kryesisht nga Profesor Xhemal Meshi, Mjeshtër i Madh.
Në kujtesën e komunitetit pukjan, debutuesit e pare të Ansamblit “Puka” si valltarët Avdulla Laçi,Demush Pema, Mehmet Rrapushi, Ram Selimi, Mark Maluta, instrumentisti virtuoz Ndue Shyti, Artist i popullit dhe Qytetar Nderi i Pukës, udhëheqësja artistike e këtij ansambli Sabrie Nushi, rapsodi popullor Frrok Haxhia, i nderuar me medaljen e artë në Festivalin Folklorik Moskë ,regjisori i talentuar Fran Vukaj, koreografi me pervoje Riza Hoxha, studiuesja e muzikës e folklorit prof. Yllka Selimi përpunuan dhe ngritën në art, nëpërmjet artistëve të ketij ansambli, vlerat kulturore me të spikatura te artit popullor pukjan.
Orkestra me vegla popullore të krahinës, drejtuar nga Ndue Shyti, kishte në përbërjen e saj instrumentistë të shquar si Fran Zefi, Pjetër Nimani, Mark Shyti, besnik Haxhia, Sadri Lleshi, Gjovalin Ndreca etj, u bë e njohur brenda brenda dhe jashtë vendit për mjeshtërinë artistike të saj.
Bash në këtë rrugë, me synime të qarta të promovimit të këtyre vlerave kulturore, por duke u përqëndruar tek roli dhe kontributi i Kçirës si pikë referimi e zhvillimit kulturor dhe më gjërë, një grup artistësh dhe intelektualësh kanë formuar Shoqatën “Kçira” e cila ishte dhe mikpritëse e një grupi kulturor nga “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve” Tropojë dhe Qendra Kulturore “Dardania”, me inisiativën e Frrok Gjonit, në Bar” Univers”.
Aty u bashkëdiskutuan alternativat e mundshme të funksionimit të organizmave mbështetës dhe promovues të traditave, të trashëgimisë së përbashkët kulturore të dy trevave, Pukës(përkatësisht Kçirës) dhe Tropojës, sensibilizimin e strukturave shtetërore, të shoqërisë civile dhe të individëve me reputacion, në mënyrë që kultura, kjo ambasadore universale, të lidhë dhe fuqizojë marrëdheniet kulturore dhe ti përfaqësojë ato në nivele më të larta brenda dhe jashtë vendit.
Kçira e 9 klerikëve të njohur patriotë, e vëllezërve Tonin e Simon Rrota, e muzeut të njohur historik, kufiri i ndarjes së bajraqeve, i lahutës dhe zamares, i Tringës së maleve ka çfarë të kontribojë në këtë takim.Këtë thanë në fjalën e tyre kryetari i Shoqatës “Kçira” dhe kryetari i “Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve” Tropojë,profesoret Ndokë Seferi dhe Hilë Boci, prokurori Arjan Ndoi, kryetari i Bashkisë Fushë Arrëz Frrok Tuci,Durim Seitaj nga Mallakastra, Lad Luka e plot të tjerë.
Spikatën dhe emocionuan të pranishmit orkestra popullore me çifteli , ku vëllezërit Gjergj e Sadri Lleshi gati të hipnotizonin me meloditë e tyre, ndërkohë që interpretimi me bilbil i Gjovalin Ndrecës na dhuroi çaste të mrekullueshme.Poeti dhe artisti i njohur Gjovalin Dushai interpretoi vargjet e tij të bukura, tashmë tekste kengësh të njohura kenduar nga këngëtarë të njohur nga Puka, Tropoja, Shkodra, Kosova etj.
Një takim i mirëseardhur dhe shumë miqësor, anipse në kushte të sigurisë shendetësore prej Covid 19, i cili vertet deshmon se artistët dhe njerëzit e kulturës, kudo që ndodhen mund dhe duhet të bashkëpunojnë në të mirë të zhvillimit dhe prosperitetit të saj, sidomos në kushtet e sotme kur sfida më e rëndësishme ka qënë dhe mbetet ruajtja dhe lançimi i vlerave të traditave tona të përbashkëta etnokulturore. Duke nisur që nga një vend, qoftë edhe fshat i vetëm si Kçira, që shërben si një model për tu admiruar…
Pukë, 30.07.2020