Ballina Bota SHBA, zënie masive e prodhimit ekonomik

SHBA, zënie masive e prodhimit ekonomik

 

Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shtetet e Bashkuara u tkurr me 9.5% në tremujorin e dytë të vitit. Kjo rënie masive në ekonomi vjen ndërsa numri i rasteve me koronavirus po rritet ndjeshëm duke detyruar shumë shtete që të frenojnë rihapjen për të ngadalësuar përhapjen e infektimeve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo njofton:

Prodhimi i Brendshëm Bruto, një tregues kryesor për mallrat dhe shërbimet, u tkurr në periudhën prill-qershor ndërsa epidemia e koronavirusit detyroi bizneset që të mbylleshin për herë të dytë në shumë pjesë të vendit.

“Prodhimi ekonomik ra në shifra të thjeshta 9.5%. Kjo përkthehet në një rënie vjetore 32.9% në tremujorin e dytë dhe në gjysmën e parë të vitit tkurrja llogaritet rreth 10.5 %”, thotë Gregory Daco, krye-ekonomist tek Oxford Economics, USA.

Disa e interpretuan rënien vjetore prej afro 33% si një tkurrje me një të tretën të ekonomisë amerikane. Por ekonomisti Gregory Daco, nuk e sheh kështu.

“Kur je në recesion, ka një rënie të madhe të aktivitetit ekonomik tremujor dhe u shumëzon me katër. Por nuk është logjike të mendosh që do të kesh këto rënie të përsëritura çdo tremujor. Është më e dobishme ta shohësh si një rënie të thjeshtë tremujori në kontekstin e recesionit nga koronavirusi dhe të thuash që ekonomia amerikane në fund të tremujorit të dytë ishte 10% më e vogël sesa para koronavirusit”, thotë ai.

Më herët këtë javë, Jerome Powell, kreu i rezervës federale paralajmëroi se shenjat e para të një rimëkëmbjeje, po rrezikohen pasi disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, po përjetojnë një rritje të rasteve me koronavirus.

“Kemi parë javët e fundit disa sinjale se rritja e rasteve me virus dhe rikthimi i masave për ta kontrolluar atë, po fillojnë të ndikojnë tek aktiviteti ekonomik”, tha ai.

Mbi 150 mijë amerikanë kanë vdekur dhe mbi 4.5 milionë janë infektuar me koronavirus.

“Rruga përpara për ekonominë është shumë e pasigurt dhe do të varet në pjesën më të madhe nga mbajtja nën kontroll e virusit”, tha zoti Powell.

Ekonomisti Daco është dakord.

“Ekziston rreziku që me rigjallërimin e virusit dhe mungesën e miratimit të paketës fiskale, njerëzit të fillojnë të frenojnë përsëri shpenzimet dhe kjo të çojë në një recesion të dyfishtë”.

Ai thotë se tani për tani kjo nuk po ndodh por se gjendja duhet të ndiqet me kujdes.

Rimëkëmbja pritet të jetë e ngadaltë.

“Mendoj se rimëkëmbja do të dojë kohë. Megjithatë, rritja vjetore dhe prodhimi i brendshëm bruto, mund të rikthehen në zero. Kjo nuk do të thotë që gjendja do të kthehet ku ishte, para mbylljes por se rënia do të ndalet pas një viti”, thotë Steven Ricchiuto, krye-ekonomist i firmës Mizuho Securities.

Ekonomistët thonë se paketa e ndihmës financiare e miratuar në mars, është arsyeja kryesore që ekonomia ka filluar të stabilizohet pas rënies rekord të pranverës.