Ballina Art PËRSONALITETE TË SHQUARA TË HISTORISË SONË PËR RËNDËSINË E LUFTËS SË VLORËS,...

PËRSONALITETE TË SHQUARA TË HISTORISË SONË PËR RËNDËSINË E LUFTËS SË VLORËS, 1920

 

“Në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopilë, Shqipëria e re ka një Labëri e Qafat e Koçiut”.
Halim Xhelo, Gazeta “Politika”, dt. 3. 9. 1924.

Patriotët që bënë Kongesin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës, rishpallën edhe një herë Pavarësinë Kombëtare dhe bënë të mundur që më 17 dhjetor 1920, Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë me kufijtë që ka sot.

Nga Enver MEMISHAJ

Për të kuptuar rëndësinë që ka Lufta e Vlorës në historinë e Shqipërisë, dhe për pasojë edhe vlerat e major Ahmet Lepenicës që e komandoi këtë luftë, duhet të njohim historinë e shtetit shqiptar që nga viti 1912 kur lindi, deri në vitin 1920.
Në vitin 1912, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali Zi u lidhën në një aleancë kundër Turqisë dhe kështu filloi Lufta e Parë Ballkanike. Alenaca kishte si qëllim që me luftë të detyronin Turqinë të tërhiqej nga Ballkani dhe këto shtete të ndanin prenë e fitores që ishin tokat e shqiptarëve. Shqiptarët mundën të shpëtonin vetëm 28 mijë kilometra katrore me një popullsi prej 800 mijë banorë, duke mbetur jashtë kufijëve territore të tëra të banuara me popullsi autoktone shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Vlorë më 28 nëntor 1912. Më 17 dhjetor 1912 Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Shqipëria të ishte autonome, nën sovranitetin e Sulltanit dhe nën garancinë dhe kontrollin e gjashtë Fuqive të Mëdha: Anglisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Gjermanisë, Francës, dhe Rusisë.
Më pas, në kushtet e reja të krijuara, më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme, çdo lidhje me Turqinë pritej, shpallej asnjanëse nën garancinë e Fuqive të Mëdha dhe vihej nën kontrollin e tyre. Sipas këtij vendimi: Në tetor 1913, arriti Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i cili u vendos në Vlorë dhe vuri nën kontroll të rreptë qeverinë e Ismail Qemalit.
Më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqien dhe pushteti i kaloi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Më 7 mars 1914, princi Vilhelm fon Vidi, zbriti në Durrës dhe më 17 mars 1914, formoi qeverinë nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit.
Më 4 gusht 1914, filloi Lufta e Parë Botërore, që përfundoi më 11 nëndor 1918. Lufta u zhvillua ndërmjet dy blloqeve:
Antanta që doli fituese nga kjo luftë dhe që përbëhej prej Anglisë, Francës dhe Rusisë e cila doli nga lufta në tetor 1917, pasi kishte fituar atje revolucioni proletar i udhëhequr nga Lenini. Në këtë alenacë më pas u fut edhe Italia për inetresat e sajë për të pushtuar tokat shqiptare, aleatë u bënë edhe Greqia e Serbia si edhe Esat Pashë Toptani me 140 ushtarë që shkoi në Selanik. Në krahun e fituesve u radhitën edhe SHBA dhe Japonia.
Blloku tjetër përbëhej prej Austro- Hungarisë dhe Gjermanisë. Më pas u futën në këtë aleancë edhe Turqia e Bullgaria.
* * *
Më 26 prill 1915, në Londër u nënshkrua ndërmjet fuqive të Antantës dhe Italisë një pakti i fshehtë, sipas të cilit: Bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës e deri në derdhjen e Drinit në Shëngjin i jepej Serbisë e Malit të Zi.
Vlora dhe ishulli i Sazanit i jepej Italisë. Italia nuk do të kundërshtonte dëshirën e Anglisë, Francës dhe Rusisë për t`i dhënë Serbisë e Malit të Zi zonat veriore, ndërsa Greqisë zonat jugore të Shqipërisë.
Në Shqipërinë e Mesme do të formohej një shtet autonom nën protektoriatin e Italisë.
Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, Qeveria komuniste e Bashkimit Sovjetik e denoncoi paktin e fshehtë të Londrës. Më 18 janar 1919, në Paris u mbajt Konferenca e Paqes e cila i vazhdoi punimet edhe gjatë vitit 1920. Shqipëria megjithëse gjatë luftës mbajti qëndrim asnjanës u trajtua më keq se shtetet që humbën luftën, pra çështja shqiptare do të zgjidhej sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915.
* * *
Në vazhdim të punimeve të Konferencës së Paqes, Italia dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen Titoni – Venizellos, që u përfundua më 29 korrik 1919. Siaps kësaj marrëveshje, Italia do të mbështeste në Konferencën e Paqes, Greqinë për të aneksuar Korçën e Gjirokastrën, ndërsa Greqia do të përkrahte aneksimin e Vlorës dhe mandatin mbi pjesën e mbetur të shtetit shqiptar.
* * *
Sipas këtyre marrëveshjeve rezulton se, në janar të vitit 1920, Shqipëria ishte coptuar ndërmjet fqinjëve dhe shteti shqiptar nuk ekzistonte më. Në këto kushte, u mbajt Kongresi Lushnjës dhe u bë Lufta e Vlorës të cilat hodhën poshtë planet armiqësore të Fuqive të Mëdha dhe të fqinjëve grabitqar.
Patriotët që bënë Kongesin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës, rishpallën edhe një herë Pavarësinë Kombëtare dhe bënë të mundur që më 17 dhjetor 1920, Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë me kufijtë që ka sot.
* * *
Lufta e Vlorës ka qënë vlerësuar që në vitin 1920, prandaj autoritetet e kohës në vitin 1923, menduan të shkruanin edhe historinë e kësaj lufte dhe për këtë detyrë ngarkuan At Shtjefën Gjeçovin, të cilit i shkruan prefekti i Vlorës Bajram Fevzi: “Vlorë, 2.6.1923. I dashur mik! Me nderime të posaçme po ju shkruaj… Nuk keni kërkuar kurrë ndonjë rrogë ose shpërblim, për të shkruar Historinë e Luftës së Vlorës. Ministria kur mendoi për këtë çështje ma barrosi mue me njoftue juve. Unë ministrisë i shkrova edhe nevojën e caktimit të një rroge ose shpërblimi për ju. Kjo nuk qe dëshira e juaj por qe detyra ime me mendue unë nga Vlora… Qe Qazim Kokoshi këtu dhe i thashë, më dha fjalën se ka me i marrë në konsederacion me ju lut me pranue. Miku juaj Bajram Fevzi”. (AQSH, F. 58, V. 1923, D. Shtjefën Gjeçovi, 95/14-95/15, f. I-I)
Nuk i njohim shkaqet, se përse dështoi kjo inisiativë atdhetare për të shkruar Historinë e Luftës së Vlorës.
* * *
Për të folur për rëndësinë e Luftës së Vlorës, pra edhe për rëndësinë e atyre burrave që e udhëhoqën atë luftë, 12 anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dhe dy komandantët e luftës, major Ahmet Lepenicën dhe kapiten Qazim Koculin, dhe shumë të tjerë, që patën role drejtuese, kemi preferuar të citojmë autoritetet e shquara të historisë, të kulturës dhe të politikës shqiptare. Mendojmë se kështu bëhet më e lehtë idea për të kuptuar atë luftë vigane që bënë shqiptarët, si dhe nderohen e respektohen ata burra që duke dhënë mendime e gjykime mbi Luftën e Vlorës bashkangjitën emrin e tyre me heronjtë e Vlorës:

Këshilli Kombëtar Shqiptar: “Këshilli Kombëtar, në emër të gjithë përfaqësuesve të kombit, i shpreh nderim popullit fisnik të asaj Vlone, skelë e famëshme dhe djep i lirisë, ku për të parën herë u çpall vetqeverimi i Shqipnisë, me i drejtuem përgëzimet tona ma të përzëmërta për bashkimin e vet me Shqipninë. Lutemi për nji herë t`i bani të njoftun përgëzimet tona edhe të gjithë trimave të Labërisë, për burrninë e therorinë qi diftuen për me ja mbritë këtij qëllimi, edhe t`i çfaqni ngushëllimet qi nga thelbi i zemrës ia drejtojmë prindërve e fëmijëve të atyne fatosave, qi burrënisht ranë theror për shpëtimin e Vlonës. Kryetari Dimitri Kacimbra Kryeskretari Hil Mosi “ (Bisedimet e Këshillit Kombëtar, Mbledhja e 45-të, dt. 23.9.1920, f.74-75 Revista “Agimi”, Shkodër, nr. 4, gusht 1920. f. 94)

Shtypi: “Rënia e Vlorës i detyrohet trimërisë së Labërisë. Ata trima të Labërisë, që më 1914 luftuan me grekërit dhe me rebelët, u vranë e u therën, gjersa më në fund iu dogjën edhe shtëpitë e tyre e u lanë refugjatë nëpër ullijtë e Vlorës, prapë ata sot, në kohën më të shtrenjtë të njeriut që mejton të sigurojë rrojtjen e dimrit, muarën
armët kundër qeverisë italiane… Luftën nuk e bëka topi e mitrolozi, po e bëka trimëria dhe bashkimi. Labët, të bashkuar me trimërinë e tyre të parrëfyer, s`kishin nevojë as për top, as për mitroloz, as për gërshërë që të presin telat e italianëve që kishin rrethuar Vlorën, po vinin gunat e tyre të dhirta që t`i kapërxenin. Ju lumtë o labër, se nderuat edhe një herë faqet e historisë shqiptare dhe do mbeti një shembull për të tjerët”. (“Dokumenta e materiale historike nga Lufta e Popullit Shqiptar për liri e demokraci 1917-1941”, Tiranë 1959, f. 67; Gazeta “Kombi”, dt. 23.7.1920).

Sulejman Delvina, kryeministër në vitin 1920, më 2 shtator 1920, dërgon këtë telegram në Vlorë: “Ju uroj me gjithë zemër për akordin që u ba. Atdhetarizmi e theroria që asht rrëfye në Vlonë, do të ndriçojë faqet ma të famshme të historisë sonë kombëtare… Ju lutemi që t`i kumtoni gjithë ushtrisë kombëtare urimet e mia të përzëmërta…” (“Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920”,(Përmbledhje dokumentash), Vëll. II, Tiranë 1976, f. 434, dok. 380,f. 451, dok. 404, 405)

Fan Noli, kryeministër në vitin 1924: “Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjithë anët e vëndit tonë… Projektet e coptimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Uillson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë…
Në dhjetor 1920, kur unë si delegat i Shqipërisë u ndjeva në një radhë me përfaqësonjësit e Shteteve të tjerë të qytetëruar të botës në Gjenevë, kur indipedenca jonë u njoh përsëri zyrtarisht, kur vëndi ynë shpëtoi nga makthi i invazjeve të huaja, kur u vendos një mjet paqësor për të rregulluar konfliktet e kufirit tonë, kur populli ynë mori veten dhe pa një ditë të bardhë pas aq mjerimesh dhe vojtjesh të patreguara, ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë… (Fan S. Noli “Portrete dhe skica”, Tiranë 1995, f. 127-128)

Ahmet Zogu, kryeministër, president; në vitet 1928-1939 Mbret i Shqiptarëve: “Vlona, qyteti ma i randësishëm i shtetit tonë, çelësi i gjithë Shqipnisë dhe shtylla ma e shëndoshë e Statutit të Londrës 1913, ka nji muej që gjendet në luftë me Italinë që kërkon ta bajë nji qytet të sajin.
Kjo luftë që bajnë atje vëllazënit tanë, nuk asht vetëm për atë qytet, por asht për gjithë Shqipninë, se nji Shqipni pa Vlonë nuk mundet të ketë dhe nuk mund të bahet. Vlona dhe populli i saj po i bajnë ballë kësaj lufte të madhe me pasuninë e tyne e me gjak…
Kjo që bahet atje me nji mbretni kaq të madhe, i shpalli botës mbarë që kombi shqiptar asht i zoti të rrojë superior e vetsundues në tokë e në Shqipni të vet. Sot gjithë bota po e lavdëron kombin shqiptar me këtë therori kaq të madhe që po ban. Prandaj lutemi prapë që të bahen ndihma të mëdha për këtë qëllim kaq të shenjtë e të çohen në ballë të luftës” (“Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920”,(Përmbledhje dokumentash), Vëll. II, Tiranë 1976, f. 440).

Xhefer Ypi, kryeministër në vitet 1921-1922 dhe i prefekti i Beratit i ngarkuar nga qeveria e Sulejman Delvinës të mbante lidhje dhe të raportonte për zhvillimet në Vlorë: “Morali i popullit është në një gradë shumë të lartë. Fëmija dhe gratë nuk hiqen nga marrja pjesë në këtë luftë, duke thënë se shpirti i qeverisë është Vlora. Në ofensivën që do të merret pas përgatitjes së fuqive jemi sigur se shqiptarët do të hyjnë e ta pushtojnë qytetin e Vlorës”. (“Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar”, (Përmbledhje dokumentash), Vëll. II, Tiranë 1976, f. 370)

Qazim Koculi, kryeministër për një ditë, 6 dhjetor 1921: “Nuk bëmë kurrë një gjë përveç detyrës që kemi kundrejt Atdheut tonë të dashur. U them vetëm këtë, të dashur vëllezër, se kjo ushtri, e cila u betua të vdesë për shpëtimin e kësaj Vlore, është betuar që të vdesë për çdo vend të Shqipërisë, në qoftë se i turret rrezik”. (Gazeta “Koha”, Korçë, dt. 11. 9. 1920)

Mehdi Frashëri, kryeministër në vitet 1935-1936: “Lufta e Vlorës kunder italianëve u prit me entuziazëm në gjithë anët e Shqipërisë. .. Lufta e Vlorës filloi me suksese të mëdha, sa bëri bujë në gjithë Europën… Italianët e kuptuan gabimin e madh që kishin bërë në çështjen shqiptare… Sipas shtypit të Europës mendimi i përgjithshëm i botës së qytetëruar ishte kthyer në favor të shqiptarëve… Nga errësira e zezë ku ndodhej çështja shqiptare, filloi të agonte një ditë e shkëlqyeshme. .. Shtypi i Europës unanimisht këtë e konsiderojë si një sukses të madh të shqiptarëve, që u treguan të denjë për një pavarësi të plotë”.(Mehdi Frashëri “Kujtime” , Vitet 1913- 1933, Tiranë 2005, f. 84-85, 87).

Mustafa Kruja, kryeministër në vitet 1941-1943: Megjithëse kundërshtar i Kongresit të Lushnjës, thotë se pa Lushnjën nuk do të kishim mrekullinë e Vlonës…
(Arben Puto “Shqipëria politike 1912 – 1939”, Toena, Tiranë 2009, f. 276-281)

Sali Berisha, kryeministër 2005-2013: “Kongresi i Lushnjës, në çdo analizë që mund t`i bëhet, është Kongresi i shpëtimit kombëtar… Qytetarët e Lushnjës hapën dyert dhe zemrat e tyre dhe pritën personalitetet më të shquara të cilët erdhën këtu për të bërë një betim: do ta bëjmë Shqipërinë!… Qeveria e shpëtimit kombëtar u themelua këtu në Lushnjë… e cila nuk i shpalli luftë Italisë imperialiste, por u shndërrua në faktor kryesor në largimin e sajë nga Vlora, vendosi një bashkëpunim të shkëlqyer me Komitetin e “Mbrojtjes Kombëtare”, u shndërrua në një mbështetje të madhe të luftëtarëve të lirisë dhe faktikisht në fund të gushtit, Shqipëria u ngrit në këmbë… Qeveria e Sulejman Delvinës… ja doli të antarësojë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve… Të nderojmë ata që themeluan një shtet demokratik bazuar në pluralizëmin”.(Gazeta “RD”, Tiranë, dt. 22. 1. 2012, f. 3)

Ministri Mid`hat Frashëri, alias Lumo Skëndo: “Tani më 1920 Shqipëria u krijua, u gatua jo vetëm prej vetë shqiptarëve, por edhe kundër Evropës, kundër gjithë pushteteve dhe kombeve mbështjellë rreth Konferencës së Paqes. Punën e bënë vetë shqiptarët, kundër keqdashjes së të tjerëve, pa asnjë ndihmë syresh, as edhe një simpati platonike. Është e vërtetë kjo simpati nuk vonoi të vijë kur pa bota se shqiptari përpiqej për veten e tij me fuqinë dhe mjetet e tij”.(Lumo Skëndo, “Problemet e Shqipërisë indipedente”, revista “Përpjekja”, Tiranë, nr. 3 – 1995)

Ministri Spiro J. Koleka: “Juve zotrinj që mbani armët në krahë dhe ata që ranë në fushën e nderit do merrni kurorat me dafina dhe do të mburreni në faqet e historisë së ardhëshme”. (Gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, 20.10.1920)

Ministri Hasan Dosti: “Ishte me të vërtetë Fat i madh i Shqipërisë që politika e krahinës së Vlorës, e cila nga një rrjedhim ndërhyrje rrethanash të lumtura mori format e politikës të të gjithë kombit, në kohën më dramatike, ndodhi të drejtohej prej agallarëve të pashkollë, por burra të paisur me shumë zgjim, me virtytet civile më të mira, me shpirt therorie shembullore, e jo prej bejlerëve e intelektualëve politikanë e diplomatë të profesionit të karierës. Pra sjellja bujare dhe vullneti i zjarrtë që kanë treguar në ato rrethana të vështira, ata burra agallarë, bij të popullit, më bënë të mbaj aq lartë respektin ndaj tyre, sa mbaj lartë adhurimin e therorisë së atyre që kanë rënë në fushën e nderit”.(Ago Agaj “Lufta e Vlorës”, Toronto, Kanada 1968, f. XIII)

Ministri Ago Agaj: “Një vepër të pashoqe që pas vdekjes të Skënderbeut e tëhu, me atë akt heroizmi e vetmohimi në vitin 1920, që mori më vonë emrin: Lufta e Vlorës. Autorët dhe aktorët e kësaj vepre madhështore si dhe vepra vetë u harruan. S`u zu në gojë sikur të mos kishin jetuar e vepruar kurrë, sikur të mos kishin derdhur aq mundim, gjak e lot, për të ngrehur themelet e pavarësisë dhe lirisë së dytë të atdheut tonë, se atë të parën e zuri nën vetë Lufta e Parë Botërore dhe lakmitë e fqinjëve tanë të mëdhenj e të vegjël… Tri herë në jetën time e kam ndier veten krenar që jam i vlonjat: Për shpalljen e pavarësisë, Për Luftën e Vlorës dhe më shumë për mirë pritjen e muhaxhirëve të cilën s`e kam parë më ngjetkë në të gjitha fatkeqësitë që i ranë më vonë kombit tonë përsipër”. (Ago Agaj “Lufta e Vlorës”, Toronto, Kanada 1968, f. 18, 48, 61)

Deputeti Ali Këlcyra (1891 – 1963), politikan i shquar karriere: “Lufta heroike e Vlorës përbën epopenë epike më të ndritur të historisë së re të Shqipërisë së re… Shqipëria …, e shpëtuar mrekullisht me pushkën e bijëve të saj. Duhet të kujtojmë gjestin heroik të popullit shqiptar më 1920, i cili me pushkën e vet, përpara admirimit e habitjes së gjithë botës, mundi të grisë një trakt ndërkombetar nënëshkruar prej Fuqive të Mëdha që e kishin fituar luftën, trakt i cili dënonte me coptim Atdheun tonë dhe me robëri kombin shqiptar. Epopeja më e shkëlqyer e historisë së rilindjes
kombëtare…” (“Hasan Dosti, një jetë për çështjen shqiptare”, Botart, Tiranë 2008, f. 112)

Prof. dr. Arben Puto: “Lufta e Vlorës përbën një ndër faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë së pavarur… Nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, si Kongresi i Lushnjës, ashtu edhe Lufta e Vlorës mund të barazohen me Shpalljen e Pavarësisë në nëntor të vitit 1912.” (Arben Puto “Shqipëria politike 1912 – 1939”, Toena, Tiranë 2009, f. 273)

Prof. Shaban Demiraj, akademik: “Faktori vendimtar në arritjen e fitores “së papritur” të trimave që luftuan “me dyfek lidhur me gja më” kundër një ushtrie të pajisur me mjete moderne të kohës, ishte vendosmëria e atyre trimave për të lënë edhe kockat në “istikamet” e pushtuesit, vetëm e vetëm që ta shihnin Vlorën e tyre të lirë e të bashkuar me pjesën tjetër të Shqipërisë. E kuptohet vetiu që në gjallërimin e këtij atdhetarizmi popullor një rol të rëndësishëm luajti puna e urtë e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”. Ata burra të shquar nuk kursyen asgjë, me qëllim që Shqipëria të mbijetonte… prandaj meritojnë të nderohen e përkujtohen…“ (Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, Tiranë 2001, f.6-7, Shaban Demiraj, Parathënie).

Prof. dr. Muin Çami e përkufizon rëndësinë e kësaj lufte me këto fjalë: “Vendimet e Kongresit të Lushnjës për të mbrojtur me çdo kusht pavarësinë dhe tërësinë territoriale të vendit, i vuri në jetë Lufta e armatosur e Vlorës… Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar shpëtoi vëndin nga një fund tepër tragjik, nga coptimi i tretë i trojeve shqiptare… E drejta e kësaj krenarie i takon në radhë të parë popullit të Vlorës dhe të krahinës… Faktori i brëndshëm luajti rolin vendimtar në rifitimin e pavarësisë të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes të integritetit të tij territorial.” (Muin Çami “Shqipëria në marrdhëniet ndërkombëtare 1914-1918”, Tiranë 1987, f. 33)1

Prof. dr. Marenglen Verli: “Lufta e Vlorës vlerësohet si njeri prej akteve më kulmore të lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të ndërmarë në njerin prej momenteve më kruciale (të rëndësishme) te historisë sonë të re… Momenti madhështor i mirëkuptimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që ngjizi në Lushnjë në një Kongres monumental kombëtar, frutin që do të piqej plotësisht në Vlorë në zjarrin e ndezuar nga një popull atdhedashës… Luftën e Vlorës do ta bënte në radhë të parë populli i asaj treve”. (Marrë nga Interneti: ëëë.malsia. Eu Indeksi i forumit: Historia Komtare)

Prof. dr. Myslym Islami: “Fitorja në Vlorë pati një rëndësi të madhe për krejt vëndin. Ajo bëri efekt të menjëhershëm edhe mbi Fuqitë e Mëdha imperialiste, u grisi këtyre gjithë planet e kurdisura, u dha fund të gjitha diskutimeve të pambaruara mbi
të ashtuquajturën “çështje shqiptare”. Kjo fitore pati rëndësi edhe për Korçën e krahinat e saja, sepse i dha një mësim të mirë edhe shovinizmit grek… Ndihmat dëshmojnë për shkallën e re në të cilën ishte ngritur ndjenja e unitetit kombëtar të popullit tonë, i cili bënte një luftë për jetë a vdekje kundër synimeve shoviniste dhe imperialiste nga çdo anë që vinin.“ (Instituti i Historisë “Kongresi Lushnjës dhe Lufta e Vlorës”, Tiranë 1974, Kumtesa e Prof.Dr. Myslim Islamit, f. 205, 206)

Kolonel Prof. dr. Proletar Hasani: “Lufta e Vlorës… nuk pati vetëm përfitime politike, që lidheshin me fatin e Vlorës dhe të krejt Shqipërisë… Lufta heroike e Vlorës dhe e gjithë shqiptarëve më 1920, është një prej gurëve të çmuar në gjerdanin e luftrave për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Ajo krahas arritjeve konkrete, politike e shoqërore, që solli në ruajtjen e pavarësisë dhe të territorit shqiptar, mbart dhe disa vlera të gjithanëshme, mes të cilave përvojën e dukshme në artin e të luftuarit.” Gazeta “Labëria”, dt. 30. 6. 2000, f. 4

Prof. dr. Bardhosh Gaçe: “Në atë luftë ishin dy ushtri, të vëna përballë njera tjetrës në vijën e frontit, ku njera sheh vendin e mbrojtjes sterenë, tjetra ikën për t`u fshehur nëpër det. Mbi të gjitha populli përballë ushtrisë së huaj vë epërsinë e moralit të tij të madh. Kështu, dalëngadalë “të zot e vatanit”, duan të vdesin “për dheun e shenjtë” (Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, Tiranë 2001, f.239)

Prof. dr. Eftim Dodona:“Le të kujtojmë me veneracion dëshmorët e Luftës së Vlorës si dhe pjestarët që mbetën gjallë, ata qenë jo vetëm luftëtarë trima me pushkë por edhe muzikantë, ku në sup mbanin në vend të pushkës veglën muzikore, e cila në llojin e vet është pushkë e shkuar pushkës”.(Gazeta “Koha Jonë”, faqia Aks, dt. 9-10. 9. 1995, f. 19)

Prof. as. dr. Rami Memushaj: “Planet e pushtuesve italianë për të shkëputur nga trualli amtar Vlorën dhe Labërinë, e bënë urdhëruese nevojën e organizimit të kryengritjes së armatosur. Atdhetarët që e drejtuan këtë kryengritje, i caktuan Kurveleshit një rol shumë të rëndësishëm. Kurveleshasit rrëmbyen armët dhe u bashkuan në lëvizjen që shpëtoi Vlorën nga kthetrat e Italisë dhe Shqipërinë nga zhbërja.” (Universiteti Vlorës “Konferenca shkencore Vlora në rrjedhat e kohës”, Toena, Tiranë 2001, f. 93)

Prof. dr. Romeo Gurakuqi: “Suksesi i shqiptarëve në Luftën e Vlorës, si dhe prapësimi që shqiptarët po i bënin po në këtë kohë përparimit serb drejt Tiranës, vendosën fatin e Shqipërisë. Me marrëveshjen e 2 gushtit 1920 Italia njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe premtoi se do të tërhiqte trupat e saj që kishte në veri”. (Romeo Gurakuqi “Shqipëria dhe çështja shqiptare pas Luftës së Parë Botërore”, Shkodër 2007, f. 163)

Prof. Abaz Ermenji “ Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim llogjik pavarësinë e Shtetit shqiptar. .. Ndërrimet e herë mbas herëshme të politikës italiane kundrejt vendit tonë i kanë sjellë Shqipërisë dëm më shumë ndoshta nga barbarizmat e fqinjëve ballkannikë … Pra me tërheqjen e ushtrive italiane nga Vlora më 1920, Shqipëria mbetej automatikisht Shtet i pavarur”.(Gazeta “Flamuri”, Romë, Itali, nr. 113-114, dt. 20.7.1960)

Dr. Iliaz Gogaj: “Pas fitores së 1920-ës, e cila arriti apogjeun e parabolës së lavdishme më 3 shtator të atij viti , kur u larguan përfundimisht trupat pushtuese italiane nga Vlora dhe u vulos një datë historike, ajo u festua disa vite me radhë me nderimin e merituar nga populli i Vlorës”.(Gazeta “Rilindja”, dt. 21. 9. 1996, f. 12)

Historiani Fane Veizi: “Fitorja e Luftës së Vlorës ishte një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë. Ajo tregoi edhe nje herë se shqiptarët ishin një popull i pamposhtur, dhe të zotë të përballonin çdo agression…” (Fane Veizi “Qeveria e Kongresit të Lushnjës dhe veprimtaria e saj 1918-1920”, Tiranë 1987, f. 166)

Ferit Vokopola sekretar i Kongresit të Lushnjës: “Vlora shpëtoi me kryengritjen e famëshme që ashtë e pjellma e këtij Kongresi”

At Shtjefën Gjeçovi: Në luftë të Vlorës luftoj besa e trimnia kundra fuqijet e dijet…
Filluan luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vllaznuer, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës, ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve… Hytë ngadhnjyesa në Vlonë, në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas diftue veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht Shqiptar…” (Shtjefën Gjeçovi “Kremtimi Fitimtar” , gazeta “Mbrojtja kombëtare”,Vlorë, 21-28.10.1920; Shtjefën Gjeçovi “Shtyllat e kombit”, Rklama,Tiranë 1999, f. 57)

Aleksandër Stavre Drenova, Asdreni: “Shpresë më s`mbetej nga përjashta ku s`të peshonin aspak, tërë puna varej nga duart tona… që anijen ta nxirrnim në limanin e shpëtimit… Edhe dëshpërimi të shtyn , të jep guxim dhe të bën të zotin të bësh gjëra që më parë nuk i mendoje aspak… Marrin trimat në krah armët e qëmotshme stërgjyshore… me flamurin e shenjtë në krye me gunat hedhur në një sup…U lumtë dora atdhetarëve që nuk presin tryezën t`ua shtrojnë … të tjerët, po venë dorë vetë ata dhe e mbarojnë gostinë e madhe me duart e tyre…” (Gazeta “Shqipëri e Re”, Kostancë, dt. 1.10.1920, f.1)

Ali Asllani: “Në mes të këtij tufani lipsej Nuhu, djemtë e tij dhe gjemia. Vlora këta i kërkonte në Lindje e Perëndim, i kërkoi në qiell e në diell, por i gjeti këtu, i gjeti në gjirin e saj. Dhe në vend të një plaku, këtë radhë duall një tufë djem, burra dhe dragoj”.(Gazeta “Koha”, Korçë, dt. 11. 9. 1920)

Petro Marko: “Sa për Luftën e Vlorës, më 1920 unë kam shkruar romanin “Ultimatumi”. Kuptohet që për këtë luftë shumë gjëra nuk janë thënë, për mua nuk është pasqyruar objektivisht. Ende janë lënë në mjegullnajat e kohës, Osmën Haxhiu, Qazim Koculi, Spiro Koleka, Ahmet Lepenica, Baba Ahmet Turani, Sezai Çomo e shumë të tjerë. Më shumë se 70 persona kam pyetur si dëshmitarë të kësaj lufte legjendare që vendosi fatin tonë kombëtar…” (Gazeta “Java”, Gjirokastër, dt. 3. 9. 1995, f. 8-9)

Dritëro Agolli: “Përherë Labëria ka qënë dhe mbetet një vullkan që e mban të ndezur dashurinë për mëmëdhenë dhe për Lirinë. Relievi i saj ka pak pyje… por ka shumë pyje figurash të shquara, kapedanësh, komitësh, heronjsh…” (Badhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, Tiranë 2001, f. 297)

Dr. Fatos Arapi: “Pas Epopesë Skënderbejane dhe Lidhjes Gjithëshqiptare të Prizërenit, Epopeja e Vlorës 1920, shënon një nga kulmet dhe kthesat në historinë tonë të re… Kjo luftë do të lërë vulën e saj në proçeset e ardhëshme ballkanike… Lufta e Vlorës 1920, tani e tutje, do të jetë shembulli i gjallë frymëzimi për gjeneratat e reja të shqiptarëve… “.(Badhosh Gaçe “Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, Tiranë 2001, f. 295)

Ahmet Dakli: “Djemtë e Labërisë kreshnike, marrin armët, betohen për të vdekur e me një shpejtësi të çudiçme vërsulen kundrejt një kundështari të tmerrshëm si nga fuqia ashtu dhe nga mjetet. Por trimëria… këtyre burrave të vendosur të hynin në Vlorë gjallë a vdekë, ua kishte veshur sytë me kurora dafinash, që të mos shihnin flakën e topave të tmerrshëm, që zbazeshin paprejtë mbi ta, luanët e Labërisë vazhdonin me indiferencë nëpër udhë të vdekjes për të gjetur shpëtimin e një kombi të vogël. Gjaku nga plagët e tyre derdhej pa kursim, por turri nuk ndalej, se burrat
e dheut janë betuar të duken në kodrën e Kuzumbabait, për të valvitur vëllezërve të qytetit flamurin kuq e zi dhe për të sjellë lirinë e vërtetë”.(Hilmi Dakli “Ahmet Dakli, patriot i shquar”, Tiranë 2001, f. 35)

Xhelal Staravecka (1912-1975): ” Lufta e Vlorës, në historinë e kombit shqiptar, është një nga epopetë më të shkëlqyera… Më 1920 lindi dielli i 28 Nëndorit të Dytë… Në tokat ku sundonte italiani filloi të sundonte topi e mitrolozi … që kërkonte të mbrohej nga sulmet e luanëve shqiptarë, nën rrahjen e fletëve të flamurit të grisur nga plumbat e italianëve… Bijtë e shqipes si dragonj të plagosur, hidheshin mbi armikun me duar të zhveshura, për t`u armatosur me armët e tij, në atë Luftë të Shenjtë dhe plot lavdi mbasi, veç trupit dhe trimërisë legjendare, ata nuk kishin mjete kundër një armiku të pasur dhe të armatosur deri në dhembë… Italianët tërhiqeshin në shpartallim e çrregullim, përpara furisë së trimave përrallorë të asaj lufte fatlume… “ (Xhelal Staravecka “Përpara gjyqit të historisë”, Kujtime historike 1912-1966, “Naimi”, Tiranë 2012, f. 37-38).

Nonda Bulka “Dëgjo se si kërcet kënga e tyre: Qafë e Koçiut moj grykë/ Ç’hata bërë atë ditë/ Vrave djemtë Shqipërisë/ Katërqint e ca shehitë/ Katërqint e ca të vrarë…Në sheshin legjendar ku është ngritë Flamuri, dukeshin sikur bashkë me popullin këndonin labçe edhe trimat me fletë që, ndonëse fëmijët I kishin pa bukë, muarën armët dhe shkuan të luftojnë për Mëmëdhenë. Se njerëzit e thjeshtë e ndjejnë më tepër se kushdo dashurinë për atdhe. Dhe s’ka top në botë që ta thërmojë zemrën e tyre të madhe”.(Almanaku “Vlora Vlora” Tiranë 1962, nr. 4, f. 55 – 56)

Prof. dr. Muin Çami: Rëndësia e shërbimit që major Ahmet Lepenica, në postin e Komandantit të Përgjithshëm të Luftës së Vlorës, i solli vendit të tij, në udhëheqje të Luftës së Vlorës 1920, duhet parë e analizuar krahas rëndësisë që kjo luftë ka në historinë tonë. Prof. dr. Muin Çami, ka përcaktuar saktësisht dhe qartësisht vlerat dhe rëndësinë e shërbimit që major Ahmet Lepenica i solli atdheut të tij si komandant i Luftës së Vlorës:
“Lufta e Vlorës zgjati dy muaj. Ajo nisi më 5 qershor 1920, dhe mbaroi më 2 gusht të atij viti. … Kjo periudhë dy mujore, nuk është e mbushur e gjithë me ndeshje të armatosura. Vetëm faza e parë tre javore, që shtrihet deri më 21 qershor, ka qënë karakterizuar nga luftime të ashpëra dhe nga fitore ushtarake të pandërprera dhe bile të bujëshme të palës shqiptare. Gjatë kësaj faze faktorët ushtarakë të fitores janë tejet të dallueshëm dhe me shumë peshë. Ishin këto fitore, ato që i detyruan qeveritarët italianë, të pranonin atë që e kishin kundështuar vendosmërisht më parë…
Ndërsa faza tjetër pasuese më e gjatë, prej gati 5 javësh, që shtrihet deri më 2 gusht 1920, është dalluar më shumë nga bisedimet diplomatike midis dy palëve…” (Muin Çami “Lufta e Vlorës”, Tiranë 2000, f. 44)

* * *
Të gjitha sa thuhen për Epopenë e Vlorës më 1920 e gdhëndi një ndër udhëheqësit e kësaj lufte, Halim Xhelua me fjalët: “Në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopilë, Shqipëria e re ka një Labëri e Qafat e Koçiut”.(Gazeta “Politika”, dt. 3. 9. 1924)

Ndërsa një oficer italian thotë: ”Lufta e Vlorës ishte një luftë e Thermopileve, me një kryekapedan Leonidha ashtu u tregua Ahmet Lepenica në këtë luftë“ (Oficer italian, shprehur në gazetën “Koha”, Paris, dt. 25.12. 1920)
* * *
Në këto arritje, më të mëdhatë në historinë e kombit tonë, ka meritën e tij edhe major Ahmet Lepenica, si komandanti që udhëhoqi dhe çoi drejt fitores, një nga betejat më të rëndësishme që kanë bërë shqiptarët gjatë udhës së gjatë të historisë së tyre.
Kështu mbaroi me lavdi kjo faqe e jetës së major Ahmet Lepenicës. Veprimtaria e tij gjatë Luftës mbeti e gdhëndur në kujtesën e popullit që e përjetësoi në këngët e shumta sidomos në Labëri. Vetëm ky shërbim që Ahmet Lepenica i solli Atdheut të tij, mjafton që emëri tij të gdhëndet në histori me gërma të arta, si një komandant atdhetar e legjendar.