Ballina ED/OP Mantelbardhët më të rrezikuarit ndaj infeksionit të pandemisë COVID – 19 –...

Mantelbardhët më të rrezikuarit ndaj infeksionit të pandemisë COVID – 19 – Shkruan: Prof. Asc. Sc. Dr. Ramadan Dacaj

 

Pandemia në Kosovë ka filluar të rritet për ditë e më shumë, duke përfshirë tërë popullatën e sidomos mjekët dhe infermierët që gjenden në vijën e parë të frontit. Ata të cilët me profesionin dhe punën e tyre, duhet të kontribuojnë për shpëtimin e popullatës ndaj kësaj beteje, e cila çdo ditë e më shumë po rritet, janë më të rrezikuarit, çka po dëshmohet edhe me paraqitjen e rasteve të infektuara të personelit mjekësor (mantelbardhëve). Kjo argumentohet në bazë të dhënave shkencore të paraqitura në literaturën botërore në formë statistikore (me shifra), e që tregojnë që stafi mjekësor është më i rrezikuari në krahasim me profilet tjera. Kjo rrezikshmëri e mjekëve është në tërë botën, e në veçanti në Republikën e Kosovës.

Të dhënat statistikore në Holandë tregojnë se 5% të personelit mjekësor janë të infektuar me COVID-19, të botuar në Lancet inf. disease 02. 07. 2020. Në Shqipëri infeksioni i stafit mjekësor ka arritur vlerën deri në 6%, të dhënat nga Taulant Muka. Të dhënat në rajon: Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë deri në 8.2%. Për fate të keçë të dhënat e infektimit të stafit shëndetësorë në Kosovë kanë arritur në një përqindje 2 herë më të lartë se sa në rajon më shifër 11.6%, që tregon për një kërcenim të rrezikut, me tendencë të rritjes së përqindjes e cila mund të rrezikon edhe më shumë personelin shëndetësor ndaj këtij infeksioni, e që mund të manifestohet me pasoja të rrezikshme sa i përket mbrojtjes së popullatës nga ana e këtyre heronjve të vërtetë me COVID-19.

Profesionistët dhe punëtorët shëndetësor, kanë treguar veten, kanë treguar se janë heronj të vërtetë, gjatë kësaj pandemie. Janë momentet e fundit që institucionet relevante të kenë parasysh këtë situatë alarmante, e cila mund të eskalon dhe të humb kontrollin duke shkaktuar pasoja të mëdha. Është moment i rëndësishëm që institucionet relevante: Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, sikurse edhe Sindikata e pavarur e Shëndetësisë dhe Oda e Mjekëve të Kosovës, të krijojnë kushtet optimale për furnizim të aparaturave mjekësore, dezinficientëve, materialit harxhues dhe medikamenteve, në mënyrë që stafi mjekësor të jenë më të suksesshëm në njërën anë, e në anën tjetër të ju mundësojnë dhe të ju lehtësojnë kushtet për punë. Në këtë situatë asgjë nuk ka më të rëndësishme dhe prioritare se tu shpëtohet jeta atyre që nuk kursejnë as jetën, për t’i shpëtuar pacientëve e tyre.