Në 100 vjetorin e lindjes…
(1920 – 1997)
ELEGJI PËR GAC ÇUNIN
Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë, të ngratin!
Banja t’madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin!
Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë
Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë!
Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t’Bedenit,
fill andej përplasun brrakave t’ liqenit;
ra e u’mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati,
s’ishte për tê kazma, s’ishte për tê shati
Se ktij qielli i fali çka s’i dha secilit:
frymën e muzikës, zanin e bilbilit.
Oh sa herë ndër muzgjet e robnis’ ai zâ
Zemrën qi lëngonte balçëm ai ju bâ
Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija,
tash ndër kangë shkodrane, tash n’Ave Maria.
Prante zhurma e dhomës, që të gjithë veshtojshin
Tretun ndër kujtime t’ambla qi ato zgjojshin…
Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë,
mâ s’ta gjegja zanin, mâ nuk t’ndesha jashtë!
N’imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë
Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?
Fshâj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahnuer!
Fshâj nji jetë artisti qi pa fryt u-buer!
Fshâj e përmbas teje le t’ankojë shoqnija
qi na njofti vlerën, mbarë t’ankojë rinija!
ELEGJIA VLLAZNORE
Ma thonte zemra e ngrata
se jeta t’kishte lanë,
edhe pse miqt e shokët
nuk dojshin me ma thanë.
Der sa mbi krye mandata
kur s’e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka n’anderr
prej kohe m’ishte gja.
E pau epileptiku
qi s’njifte mue as tye.
Po kapërcejshim lumin
kur befas ura u-thye…
Un’ rashë… m’u-turr vertikut…
humba! uluroi nji za…
Ti u-hodhe, m’kape, m’qite…
por vetë nuk dole ma!
Ti vuejtje, ti rreziqe
durove simbas stinës,
nga ishulli i Ventottenës (3)
ndër telat e Prishtinës (4).
E pse përbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmonë anmik i shtypjes,
e bir i atdheut, besnik.
Sot qi nga dita e mortit
ka rrjedhë ma se nji mot
tue t’a nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.
Pse për vdekjen e t’ fortit
i fortë duhet me u-bamë.
As përmendi fajtorët:
nuk kam ma çka me u namë.
Kur ndofta nga mizori
po përgatitet ura,
për mue ket herë, e kanga
e mbrame asht kjo qi thura,
me gjakun tand deshmori
vulosi sot nji be:
përbuzi komunizmin
e truhem per Atdhe.
•Shenim FR: Një kujtesë.., në 100 vjetorin e lindjes…
Melbourne, 28 Korrik 2020.