Christian Schmidt, një nga figurat kryesore të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, si dhe raporter për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU ka tërhequr vëmendjen e mazhorancës së majtë për të mos bërë veprime të njëanshme me ndryshimin e Kushtetutës dhe heqjen e të drejtës për koalicione parazgjedhore sipas vullnetit të partive.
Ai shpreh shqetësimin se ndryshimet e propozuara dalin përtej marrëveshjes së 5 Qershorit.
“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten? Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to. Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 Qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm!”, shkruan raporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestag.