Ballina ED/OP Rotacioni politik tek shqiptarët në Ballkan dhe përpjekjet për model hibrid në...

Rotacioni politik tek shqiptarët në Ballkan dhe përpjekjet për model hibrid në Shqipëri – Nga Prof. Lisen Bashkurti

 

Politika shqiptare në Ballkanin Perëndimorë është përballë problemeve të njohura, përsëritja e të cilave po krijon një situatë të rënduar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriu, shumë më pak në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Kryeproblemi i kohës është freskimi i elitave politike, me fjalë më të drejtpërdrejta ndryshimi i elitave në krye të partive, qeverive dhe establishmentit institucional.

Ndryshimi i elitave politike e qeveritare në hapsirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor nuk është qëllim në vetvete. Jo, kurrësesi, jo. Ndryshimi i elitave politike dhe qeveritare në hapsirat shqiptare do të sillte shkëputje të politikës me krimin dhe oligarkitë e pastrimit të parave, uljen e korrupsionit qeveritar dhe administrativ, vendosjen e qeverisjes mbi baza principale legjitime, transparente, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse si dhe forcimin demokracisë pëmes sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve të ekonomisë së tregut të lirë.

Rotacioni i munguar, mandat i pakufizuar

Në hapsirat shqiptare rotacioni politik si ligj i natyrshëm dhe i shëndetshëm i democracisë, është një ligj i munguar. Në Shqipëri, Kryeministri Rama dhe enturazhi i tij i afërt, është pjesë e qeverisjes vëndore e qëndrore prej më shumë se dy dekadash. I ardhur nga emigracioni, i katapultuar në qeveri si ministër kulture, prej aty i zgjedhur në krye të Bashkisë së Kryeqytetit, mandej në krye të Partisë Socialite dhe së fundmi prej tetë vitesh kryeministër, Edi Rama është bërë modeli i pandryshueshmërisë së elitave politike dhe qeverisëse në Shqipëri. Institucioni moral i dorëheqjes nuk ka ekzistuar kurrë për Edi Ramën. Edhe përballë gabimeve, edhe përballë dështimeve, edhe përballë fajeve të rënda plot skandale inkriminuese, korrupsion dhe paaftësi, sërish Kryeministri Rama e ka kërkuar përgjegjësinë tek kundërshtarët e tij, duke filluar nga ato politik brënda vëndit deri te ndërkombëtarët jashtë vëndit.

Një frymë të tillë narcisiste, Kryeministri i Shqipërisë Rama e ka induktuar edhe në hapsirat e tjera shqiptare. Në Kosovë dy liderët më afatgjatë, Presidenti Thaci dhe Kryetari partisë LDK në Qeverisje, Isa Mustafa qëndrojnë në pushtet prej një kohe të gjatë. Isa Mustafa ka qënë dhe kryetar i LDK, më pas ka qënë kryeministër dhe tani është sërish kryetarë partie dhe politikisht drejton qeverinë aktuale të Abdullah Hotit. I mbuluar me dështime politike, i lakuar për abuzime me fonde diaspore dhe financa publike, i paaftë për qeverisje dhe stanjativ në politikë, Isa Mustafa shquhet vetëm për kalcifikimin e postit të tij. Dinamika e vetme e Isa Mustafës është nga partia në qeveri dhe vice versa.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, gjithashtu po konsumon mbi dy dekada në krye të politikës, të qeverisë dhe të shtetit në Kosovë. E nisi në krye të UCK, vijoi në krye të projektit politik të PDK, e prej tij ka uzurpuar prej vitesh drejtimin e ekzekutivit dhe shtetit të Kosovës. Në thundrën e Hashim Thacit ka qënë dhe mbetet trashëgimia e UCK që po përdoret së tepërmi, e Kuvendit të Kosovës, që po shpërdorohet në parapaskenë dhe e Shtetit që po abuzohet për interesa partiake dhe personale. Me slloganin se “historia nuk rishkruhet” Thaci po përpiqet të vihet edhe në krye të historisë përsë gjalli, kur në fakt po bie me këmbët e veta në fund të saj. Një histori e politizuar, duhet rishkruar.

Midis liderëve të kalcifikuar të Tiranës dhe të Kosovës, po myken në shenjtninë e tyre edhe liderët shqiptar në Maqedoninsë e Veriut, Ali Ahmeti dhe Mendih Thaci. Si dy vëllëzër siamez, por antonim të njëri-tjetrit, Ahmeti dhe Thaci e kanë ngulfatur politikën shqiptare në këtë vënd. Prej dy dekadash, dyshja Ahmeti-Thaci rendin nga Tetova në krye të partive të tyre politike drejt posteve qeveritare në Shkup me partitë e mëdha maqedone, LSDM ose me VMRO. Pa përfillur ideologjitë përtiake, programet elektorale, premtimet e bujshme, dështimet, skandalet dhe bojkotimin e qyetarëve e ndonjëri edhe të ndërkombëtarëve, këta dy liderë duket të vendosur të udhëheqin deri në përjetësi.

Mbështjellë me flamurë nacionalizmi, veshur me petka etnoshqiptare, ngarkuar me zhargon foklorit, Ahmeti e Thaci vazhdojnë të manipulojnë mentalitetin shqiptar me të gjitha rrugat, mënyrat dhe mjetet.

Modeli i demokracisë Amerikane

Një nga dallimet më esenciale të demokracive pluraliste është funksionimi i ligjit të rotacionit politik. Në ShBA premisa për rotacion politik është po aq e hershme sa vetë republika. Për këtë kanë ekzistuar dy premisa kontrastuese. Së pari, premisa e ndricuar nga teoricionet dhe politikanët për të mënjanuar mbajtjen e përjetshme të detyrave qeveritare. Së dyti, premisa që në gjitha nivelet e qeverisjes administrate t’i hapet rruga vlerësimit të mbështëtesve dhe ndëshkimi të kundërshtarëve.

Premisa e parë është lancuar nga George Uashngton, i cili në vitin 1796 hodhi poshtë mandatin e tretë si president, duke treguar marrëveshjen informale fisnikësh që tregon respekt të thellë për institucionet demokratike Amerikane. Në fillim të vitit 1829, Presidenti Andrju Xhekson bëri rotacionin e gjithë administratës federale duke u shprehur fare thjeshtë se “asnjë njeri nuk ka ndonjë isntikt më të drejtë për të qeverisur më shumë sesa një tjetër”. Duke pasur në mëndje këtë ‘demokraci xhekonsoniane’ Ai pastroi shërbyesit civilë të paraardhësit të tij, duke i zëvëndësuar të gjithë nivelet e administratës me të rinj nga baza dhe nga elita e re politike që e mbështesnin atë.

Vetëm në fillim të shekullit XX, nisi reforma e nëpunësve civile stabël (U.S. Civil Servise Law), të dallueshëm nga funksionet e larta politike që i nënshtroheshin rotacioneve politike. Në vitet 1940 Presidenti Ruzvelt vendosi të kandidojë për të tretën herë, duke hedhur poshtë parimin e G.Uashingtonit për limitimin e mandateve presidenciale vetëm në dy. Mbas vdekjes së Ruzveltit, në ShBA u bë amendament kushtetues që limitoi përfundimisht postin e presidentit në dy mandate, duke filluar me Lindon Xhonson.

Nga viti 1990 termi mbi limitimin e mandateve gjeti momentin e duhur për ta shtrirë si princip imponimi të rotacionit në shumë shtete për postet e zgjedhura në tëra nivelet. Zakonisht limitimi i mandateve ose ndryshe imponimi i rotacioneve përfshinë një kohë deri në tetë vite, duke e thelluar akoma më tej parimin e demokracisë së George Uashingtonit.
Demokracia më genuine në histori, ajo Amerikane pas një përvoje të gjatë historike erdhi nga principi i rotacionit të natyrshëm, me dy mandate, më pas me më shumë mandate, e në stadin aktual në parimin e termave të limituara, ose të mandative të kufizuara me ligj, në poste specifikisht të zgjedhura. Kufizimi me ligj i mandative sipas modelit Amerikan i shtrirë ne republikat presidenciale dhe gjysëm presidenciale vepron si një metodë për të frenuar mundësinë për monopole, kur liderët bëhen faktikisht ‘të përjetshëm’. Pra, rotacionet politike të caktuara, ose kufizimi me ligj i mandative të të zgjedhurve, ka si qëllim kryesor mbrojtjen e republikës nga shndërrimi de fakto në diktaturë.

Modeli hibrid putinist dhe erdoganist

Krejt e kundërta e modelit demokratik Amerikan është rruga që po ndjekin Presidenti Turk, Taip Erdogan dhe Presidenti, Vladimir Putin. Turqia dhe Rusia kanë zgjedhur të aplikojnë sisteme hibride, ku në vënd të ndarjes së pushteteve dhe balancimit të tyre po shkojnë drejt bashkimit dhe centralizimit të pushteteve nën një dorë të vetme, në vënd të sundimit të ligjit po shkojnë drejt sundimit të politikës, në vënd të respektimit të të drejtave të njeriut po shkojnë drejt limitimit deri te mohimi e plotë i tyre, në vënd të rotacionit të të zgjedhurave në krye të shtetit dhe të institucioneve po shkojnë de fakco drejt përjetësimit të pushtetit të tyre të përjetshëm dhe të pakufizuar.

Presidenti Turk Erdogan i hodhi këto hapa me ndyshimet kushtetuese të të bëra me referendumin e prillit të vitit 2017. Në bazë të këtyre ndryshimeve kushtetuese Presidenti Turk, Erdogan vuri në kontrollin e pushtetit të tij legjislativin, ekzekutivin, gjyqsorin dhe për konseguencë sektorin e sigurisë, median, akademinë e shoqërinë ccivile. Me këto ndryshime Erdogan konsolidoi pushtetin e tij deri në vitin 2029 dhe eleminoi parimet bazë të demokracisë. Bashkimi Europian apeloi mbi Erdoganin për konsesus kombëtar për një reforme të tillë kushtetuese. (https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/STATEMENT_17_981).

Presidenti Rus, Vladimir Putin, mbasi konsumoi dy herë nga dy mandate si president me nje ndërprerje në mes prej një mandati si kryeministër i Federatës Ruse inicoi së fundmi ndryshime kushtetuese për të rizgjedhur veten e tij si president edhe dy mandate të tjera mbasi ti përfundojë mandate aktual në 2024. (https://www.dw.com/en/russias-putin-ëins-referendum-on-constitutional-reforms/a-54018337)

Referendumi i mbajtur në kushtet e pandemisë covid-19 ishte formuluar me “po’ ose ‘jo’ për cështje kushtetuese shumë komplekse. Dihet që cështjet kushtetuese lidhen parasëgjithash me pushtetin, por formulimi i pyetsorit në referendum, mjeshtërisht mbulontë aspektet e pushtetit me një mbulesë aspektesh të tjera ideologjike, sociale dhe institucionale. Në këtë mënyrë, me ndryshimet kushtetuese të bëra në referendum Vladimir Putin mund të sundojë mbi Federatën Ruse edhe gjashtëmbëdhjet vite të tjera. (Christian F. Trippe: https://www.dw.com/en/opinion-russia-may-get-vladimir-putin-for-life/a-54020549)

Përpjekje për model hibrid në Shqipëri

Tashmë është bërë politikisht, publikisht, mediatikisht, madje edhe te partnerët më të rëndësishëm Perëndimorë të Shqipërisë, se mazhoranca aktuale në pushtet me Kryeministrin Rama në krye po përpiqen dëshpërimisht ta kthejnë vëndin në një sistem politik hibrid. Ky devijacion principal jo demokratik ka nisur në mënyrë të vecantë në madatin e dytë qeverisë së Kryeministrit Rama.

Një sërë iniciativash të ndërrmara nga Kryeministri Rama nisën nga viti 2017 me cungimet, deformimet dhe përpjekjet për kapjen e reformës në drejtësi. Kjo reformë si asnjë tjetër në historinë e demokracisë shqiptare u bë me konsesus të plotë parlamentar, me 140 vota të deputetëve. Ky konsesus u arrit me përpjekje të mëdha politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Por fryma e konsesusit u thye nga mazhoranca me z. Rama në krye duke adoptuar ligje, duke ndjekur procedura votimi dhe duke ndërmarrë qëndrime dhe vendime tërësisht antikushtetuese lidhur me ngritjen e funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Në vënd të ngritjes së institucioneve të pavarura, Qeveria Rama rriti presionin dhe ndërmorri veprime për të kapur politikisht organet e reja të drejtësisë. Në vënd të mbështjetjes së stafeve të pavarura, me integritet dhe profesionalitet të rekrutuarve të rinj, Qeveria Rama mbështeti njerëz me grupe interesash dhe të motivuar politikisht. Sikur të mos i mjaftonte kjo, Rama, me gjithë rripat e transmisioneve të tij u sul edhe mbi institucionin e Presidentit Meta, duke kërkuar shkarkimin e tij me procedura parlamentare.

Konflikti midis kësaj sjellje antikushtetuese të Qeverisë Rama dhe Presidentit Meta lidhur me reformën në drejtësi u bë objekt interpretimi në Komisionin e Venecias. Ky komision kredibël ndërkombëtar në opinionin përfundimtar i dha të drejtë mendimeve, qëndrimeve dhe veprimeve të Presidentit Meta dhe rrëzoi pa ekuivok mendimet, qëndrimet dhe vendimet e mazhorancës dhe Qeverisë Rama. (Vincent W. J. van Gerven Oei https://exit.al/opinioni-brutal-i-komisionit-te-venecias-shpartallon-vendimet-e-ked-it-te-dvoranit/ )

Kohët e fundit ka një shqetësim dhe tension politik në rritje në Shqipëri. Provokues i kësaj krize të re është përpjekja e mazhorancës së Kryeministrit Rama për të bërë ndryshime kushtetuese të pamaturuara, të nxituara dhe politikisht të njëanshme. Thelbi i këtyre ndryshimeve, pavarësisht veshjes me mbulesa të tjera, sic flitet per listat e hapura zgjedhore, ka të bëjë ne fakt me parandalimin e rotacionit politik në zgjedhjet e ardhshme për limitimin e mandatit të Ramës. Rotacioni politik ne Shqiperi po konsiderohet gjërësisht brenda dhe jashte vendit si pastrim i Qeverisjes aktuale nga lidhjet me krimin dhe korrupsionin.

Iniciativa për të ndryshuar kushtetutën me nxitim, pa diskutim të gjërë dhe pa konsesus është ndjekje e sjelljeve putiniste dhe erdoganiste në mes të demokracive Evropiane dhe në një vënd që pret të hapë negociatat për antarësim në BE. Padyshim që është veprim i turpshëm, i shëmtuar dhe shumë i dëmshëm për demokracinë shqiptare dhe pengesë shumë serioze për integrimin e vëndit në Bashkimin Evropian.

Ndryshimi i elitave politike e qeveritare në hapsirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor nuk është qëllim në vetvete. Jo, kurrësesi, jo. Rotacioni i elitave politike dhe qeveritare në hapsirat shqiptare do të sillte shkëputjen e politikës nga krimi dhe oligarkitë e pastrimit të parave, do ulte korrupsionin, do vendoste qeverisjen mbi parime demokratike si dhe do forconte demokracisë pëmes sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve të ekonomisë së tregut të lirë. Kjo është rruga Shqiptare drejt Bashkimit Evropian…