Ballina Aktualitet Shqipëria ndër 7 vendet europiane me lindshmërinë më të ulët për 2018-...

Shqipëria ndër 7 vendet europiane me lindshmërinë më të ulët për 2018- ën

 

Shqipëria u rendit ndër 7 vendet me normën më të ulët të lindshmërisë në Europë për vitin 2018, duke lënë pas vetëm Greqinë, Qipron, Italinë, Spanjën, Maltën dhe Ukrainën, sipas të dhënave të Eurostat.

Norma e fertilitetit në Shqipëri në vitin 2018 ishte 1,37 fëmijë për grua. Kjo normë është shumë poshtë kufirit të zëvendësimit të popullsisë (mbi 2) dhe sinjalizon tendencën rënëse të popullsisë shqiptare, e cila po tkurret me ritme të shpejta edhe prej emigracionit të lartë.

Sipas Eurostat, Gjeorgjia kishte normën më të lartë të indeksit të fertilitetit, duke shënuar 2,09 lindje për grua, ndërsa të gjitha vendet e tjera të Europës e kishin normën e fertilitetit nën nivelin e zëvendësimit.

Gjithsesi në rang europian, Turqia dha Franca, zunë përkatësisht vendin e dytë dhe tretë për normat e larta të lindshmërisë me 1,99 dhe 1,88 lindje për grua, të ndjekura nga Rumania, Suedia të cilat kishin një normë lindje për grua në nivelet 1.7.

Norma e fertilitetit në Shqipëri është e dyta më e ulëta nga vendet e tjera në Ballkan, me 1.37 lindje për grua, në raport me 1.42 në Maqedoninë e Veriut, 1.76 në Mal të Zi, 1.49 në Serbi. Më e ulëta, kjo normë është në Bosnjë-Hercegovinë, me 1.3 lindje për një grua, ndërsa më e larta është në Kosovë, me 1.65.

Shqipëria ka ende një popullsi të re, me 17.2% të totalit që janë në moshën nën 15 vjeç, kundrejt 16.4% në Maqedoninë e Veriut, 18% në Mal të Zi, 14.3% në Serbi, dhe 16.4% në Bosnjë. Por, popullsia më e re është në Kosovë, me 24.4% të popullsisë totale.

Rënia e lindshmërisë poshtë normës së zëvendësimit të popullsisë kudo në Europë sinjalizon rënien e popullsisë gjatë dekadave dhe plakjen e shpejtë. Kontinenti për ketë arsye po vuan plotësimin e  nevojave të tregut të punës. Kërkesa për punë e nxitur nga faktori demografik do të krijojë kushtet për një rrjedhë të sigurt emigracioni edhe nga vendet në zhvillim të tilla si Shqipëria.

Të dhënat mbi emigracionin neto treguan përkeqësim në vitin 2019, me rreth 23 mijë persona, shumica e të cilëve kërkuan azil ekonomik në BE.