Ballina Bota Mospërdorimi i maskës shoqërohet me gjobë 135 euro në Francë

Mospërdorimi i maskës shoqërohet me gjobë 135 euro në Francë

 

Njerëzit në Francë rrezikojnë një gjobë 135 euro duke filluar nga sot nëse nuk zbatojnë dekretin e ri për të përdorur maskat në vendet publike të mbyllura.

Vendosja e maskave në ambientet e mbyllura, vjen si një përpjekje për të parandaluar një valë të dytë të koronavirusit.

Maska tashmë kërkohet në transportin publik, që dënohet me gjobë në të njëjtën masë, në vendin ku kanë humbur jetën mbi 30 mijë persona nga kjo epidemi.

Masa e re e prezantuar fundjavën e fundit nga Ministria e Shëndetësisë hyn në fuqi sot dhe do të zbatohet për dyqanet e supermarketet, tregjet e fruta-perimeve, bankat e institucionet e tjera ku përfshihet publiku.

Gjoba prej 135 euro, është gati dyfishi i çmimit të një abonimi mujor të transportit publik në Paris.

Për njerëzit që punojnë në zyrat komunale, qeveria ka deklaruar që punëdhënësit do të duhet të gjykojnë nevojën për të përdorur maskë sipas rastit.

Shërbimi shëndetësor publik në Francë vuri në dukje gjatë fundjavës se i ashtuquajturi faktori “R”, numri që tregon shkallën e transmetimit viral është rritur në mbi një, që do të thotë se çdo person i infektuar infekton rreth 1.2 persona nga ana tjetër.

Prej 11 majit kur u hoqën disa masa kufizuese, maska u bë e detyrueshme për transportin publik si dhe gjatë vizitave në vende si Muzeu i Luvrit, Disneyland Paris dhe Kulla Eiffel.

Punonjësit e restorantit duhet të vënë maskë gjithashtu, po ashtu edhe klientët përpara se të ulen për të ngrënë.

Franca ka filluar një fushatë për prodhimin e maskave pasi fillimisht u mbështetet në importet e tyre nga vende të tilla si Kina./AFP