Ballina Aktualitet 64% e shqiptarëve nuk e përballojnë dot një javë pushime jashtë shtëpisë,...

64% e shqiptarëve nuk e përballojnë dot një javë pushime jashtë shtëpisë, sa dyfishi i BE, më e larta në Europë

 

Me krizën e koronavirusit që ka mbërthyer gjithë globin dhe ka pezulluar planet e udhëtimeve për shumëkënd, turizmi i brendshëm mbetet shpresa e vetme për të rimëkëmbur sektorin. Të gjitha shtetet po shpresojnë se udhëtimet brenda vendit mund të kompensojnë një pjesë të humbjes.

Por, në Shqipëri, banorët e saj rezultojnë me pamundësinë më të madhe për të përballuar një javë pushime jashtë shtëpisë në Europë, sipas të dhënave krahasuese nga Barometri i Ballkanit, publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (për shtetet e rajonit) dhe Eurostat (për vendet e BE-së).

Pyetjes “A jeni përballur me paaftësi për të përballuar të paktën një javë pushime larg nga shtëpia (nëse doni) gjatë 12 muajve të kaluar”, rreth 64% e shqiptarëve i janë përgjigjur Po, përqindja më e lartë në rajon. Në përgjithësi, për këtë pyetje, të gjithë vendet e rajonit kanë shprehur pamundësinë për të bërë pushime, ku pas Shqipërisë, renditet Mali i Zi (48%), Maqedonia e Veriut (46%), Serbia (40%), Bosnjë-Hercegovina (35%). Në rajon, më lehtë i përballojnë pushimet shtetasit nga Kosova, me vetëm 28% të totalit, që pohojnë se nuk bëjnë dot pushime. Kosova ka si destinacion kryesor për të kaluar pushimet, Shqipërinë.

Në vendet e Bashkimit Europian, sipas Eurostat, në vitin 2019, 29% e banorëve të Shteteve Anëtare të BE-së të moshës 16 vjeç e sipër nuk ishin në gjendje të përballonin pagimin e një pushimi vjetor njëjavor larg shtëpisë. Kjo peshë është ulur gradualisht që nga viti 2010, kur 39% e europianëve nuk mund të përballonin një javë pushime larg shtëpisë së tyre. Sidoqoftë, për shkak të bllokimeve dhe mbylljes së kufijve të zbatuar në të gjithë botën në vitin 2020 për të ngadalësuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit, kjo prirje rënëse ka të ngjarë të ndalojë në vitin 2020.

Midis shteteve anëtare të BE-së, Rumania kishte peshën më të lartë, me shumicën e rumunëve (54%) që nuk mund ta përballojnë një pushim vjetor prej një jave në vitin 2019. Banorët e Greqisë ishin të dytët, me 49% që nuk ishin në gjendje të përballonin një pushim njëjavor larg shtëpisë, e ndjekur nga Kroacia (48%), Qipro (45%) dhe Italia (44%).

Në të kundërt, në fundin e ulët të shkallës, vetëm 10% e njerëzve në Suedi nuk ishin në gjendje të përballonin një pushim vjetor një javë, e ndjekur nga Danimarka dhe Luksemburgu (të dy 11%), Finlanda (12%), Gjermania dhe Austria (të dy 13%).