Shqiptarët përfundimisht e kuptuan se me politikanët maqedonas mund të bashkëqeveriset, por jo duke e humbur autonominë e vendimmarrjes politike, siç kishte pretendime në të kaluarën që kjo autonomi të shkrihet brenda laboratoreve asimiluese politike maqedonase. Ky është edhe një kualitet i ri në politikbërjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që në praktikë mund të përkthehet si nivel i avancuar i një formimi politik karshi doktrinave nacionaliste maqedonase.
Nga Mehmet PRISHTINA
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut ishin ndër ato ngjarje të pakta me shije të mirë të javës që po lëmë pas. Shqiptarët atje fituan 32 mandate deputetësh, një sukses ky që nuk kishte ndodhur në të kaluarën dhe konteksti kohor i kësaj fitoreje na bën të jemi optimist se kur sensi i vetëdijesimit qytetar ndikon në rrjedhat politike, atëherë pozita e individit në shoqëri bëhet më e dinjitetshme. Tash e tutje mund të themi lirisht se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po e shkruajnë me dorën e tyre rrugën e dinjitetit drejt fitoreve të tjera. Kjo është edhe një meritë që mund t‘iu përshkruhet atyre, sepse gjithë këtë rrugëtim ata po bëjnë të pandikuar nga mentorë dhe faktorë të jashtëm, një dimension ky mjaft domethënës që flet për pjekurinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë.
Pas lajmit të mirë që vjen nga Serbia e Jugut, ku shqiptarët fituan tre ulëse në Parlamentin qendror, tash kemi arsye t’i gëzohemi edhe këtij suksesi të vëllezërve tanë Maqedoninë e Veriut. Ky sukses po bëhet edhe më kuptimplotë në kushtet e një konkurrence të fortë me bashkëqytetarët maqedonas, të cilët kësaj radhe demonstruan një potencë më të ulët politike në terren, për arsye se, si asnjë herë më parë, fuqia politike e elektoratit maqedonas është reduktuar në favor të shtimit të mandateve të deputetëve shqiptar në Parlament. Për ata që kanë ndjekur me kujdes zhvillimet politike në këto 20 vitet e fundit në Maqedoninë e Veriut, ky është momenti më kulmor që shpreh në vetvete befasinë e këndshme në jetën politike të shqiptarëve atje.
Ajo çka e bën të veçant këtë moment është faktorizimi i shqiptarëve që po ndodhë duke demonstruar një vetëdijesim politik e kombëtar për fatet kolektive brenda zgjidhjeve institucionale. Partitë politike dhe liderët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë t’i kenë mospajtimet dhe divergjencat e tyre për tema e probleme të caktuara, por ata kanë një qëndrim gati unik sa i përket fateve të kombit dhe sidomos temave që tangojnë interesat jetike të shqiptarëve. Ky është edhe një kualitet i ri në politikbërjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që në praktikë mund të përkthehet si nivel i avancuar i një formimi politik karshi doktrinave nacionaliste maqedonase. Edhe vet fushata e kulturuar zgjedhore, me oferta e ide interesante, e shpërfaqi këtë formim politik, ndërkohë që ambiciet dhe ofertat joshëse të subjekteve politike maqedonase ngelën duarbosh kësaj radhe. Shqiptarët përfundimisht e kuptuan se me politikanët maqedonas mund të bashkëqeveriset, por jo duke e humbur autonominë e vendimmarrjes politike, siç kishte pretendime në të kaluarën që kjo autonomi të shkrihet brenda laboratoreve asimiluese politike maqedonase.
Në ditët në vijim pritet të formohet qeveria e re në Shkup, që do të jetë reflektim i bilancit zgjedhor të 15 korrikut. Partitë politike ndodhen në fazën e pritjes së përfundimit të ankimimeve për parregullsi eventuale, ndërkohë që nga analistë dhe mediat kanë filluar të bëhen edhe kombinatorikat mbi strukturën e re të kabinetit të ri qeverisës. Gati të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe askush nuk mund të thotë me përpikëri se cila mund të jetë përbërja e koalicioneve të ardhshme, por ajo që mbetet për t’u trajtuar me seriozitet maksimal është ruajtja dhe bartja e fryteve të kësaj fitore elektorale të shqiptarëve edhe në bisedimet për formimin e kabinetit të ri qeverisës. Pavarësisht se gara politike në zgjedhje ishte e ndarë, kjo nuk nënkupton se në ditët në vijim, kur pritet të ndërtohet një koalicion bashkëqeverisës në Shkup, të mos demonstrohet një unitet më i madh pikëpamjesh e qëndrimesh të partive shqiptare rreth kushteve për formimin e qeverisë së re. Faktori politik shqiptar në asnjë mënyrë nuk guxon ta lëshojë shansin që e ka në dorë për një ngritje substanciale të kërkesave për barazi të plotë në shtet – që nënkupton shtetformim, zhvillim dhe garantim të perspektivës euroatlantike të vendit. Nëse në natyrën e parlamentarizmit lejohet zhvillimi i betejave politike për çështje të ndryshme, në rastin konkret, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, nuk e kanë luksin të zhvillojnë aso beteja politike që do ta shkërmoqte substancën kombëtare të tyre. Përkundrazi, të gjitha energjitë duhet orientuar në arritjen e një konsensusi të brendshëm për probleme që mund të konsiderohen ende të parrumbullaksuara, e që fillon nga efikasiteti i politikave gjuhësore në të gjitha nivelet e adminstratës dhe jetës publike, ku gjuhën shqipe do ta bënte edhe më kurajoze në rrafshin përdorimit zyrtar të saj, e deri te politikat ekonomike e fiskale, ku në rend të parë duhet të vendoset një kriter i fuqishëm kushtetues për zhvillim të barabart të të gjitha rajoneve, përfshi edhe ato të banuara me shqiptarë. Praktika ka dëshmuar se fatkeqësisht këto rajone në të kaluarën kanë ngelë nën hijen e temave të mëdha politike, ndërkohë që komunat e drejtuara nga shqiptarët vazhdojnë të vuajnë pasojat e mostrajtimit të barabartë, si në planin e politikave fiskale, ashtu edhe në ato të zhvillimit makroekonomik e zhvillimor. Në anën tjetër, buxheti i shtetit patjetër duhet të reflektojë realitetin shumetnik në Maqedoninë e Veriut, ku gjithsesi do të duhej të ketë edhe më tepër investime kapitale në zonat e banuara me shqiptarë, në mënyrë që prej atje të mos ketë shpërngulje dhe rritje të varfërisë.
E ardhmja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut përfundimisht është në duart e tyre, kurse bashkëpunimi rajonal, përfshi edhe Kosovën, Shqipërinë dhe viset shqiptare në Serbi e Mal të Zi, në kuadër të proceseve eurointegruese, do ta përshpejtonte ritmin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, kulturor, tregtar, turistik etj.
Prishtinë, 18 korrik