Ballina Bota Britania rrit fondet e kujdesit shëndetësor për të shmangur valën e Covid-19...

Britania rrit fondet e kujdesit shëndetësor për të shmangur valën e Covid-19 në dimër

 

Kryeministri Boris Johnson do të vë në dispozicion 3 miliardë paund për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar ( NHS) për të forcuar kapacitetet dhe ndalur një rigjallërim të koronavirusit, pasi ai përcakton fazën tjetër të planit rimëkëmbjes për Britaninë.

Britania është vendi më i prekur në Europë nga koronavirusi, ku mbi 45 mijë persona kanë humbur jetën që nga fillimi i epidemisë.

Qeveria është përballur me kritika në disa aspekte të ndryshme të përgjigjes së saj ndaj pandemisë, duke përfshirë faktin që u tregua shumë e ngadaltë për të imponuar masat bllokuese dhe nuk arriti të rindërtojë kapacitetin e testimit shumë shpejt.

Javët e fundit, vendi ka lehtësuar masat bllokuese pasi niveli i infeksionit ka rënë, por qeveria tha që tani duhet të fillojë të përgatitet për një kulm të dytë të mundshëm të rasteve të reja gjatë dimrit.

“Kryeministri është i qartë se tani nuk është koha për vetëkënaqësi dhe ne duhet të sigurohemi që Shërbimi Shëndetësor Kombëtar të jetë gati për betejë në dimër,” tha zëdhënësi i kryeministrit Johnson.

Fondi prej 3 miliardë paundësh për sistemin shëndetësor të financuar nga shteti do të vihet në dispozicion menjëherë, dhe përdorimi i spitaleve private dhe spitaleve të përkohshëm në terren do të lejohen deri në mars të vitit të ardhshëm, tha qeveria.

Fondi total vjetor i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në Angli i tejkalon 115 miliardë paund.

Njoftimi për financim vlen vetëm për shërbimin shëndetësor anglez, ndihma për Skocinë, Uellsin dhe Irlandën Veriore do të përcaktohet më vonë.

Qeveria gjithashtu do të rrisë kapacitetin e testimit dhe fleksibilitetin, do të forcojë rezervat e saj të pajisjeve mbrojtëse, dhe do të kushtojë vemendje edhe për sëmundjet e tjera sezonale, duke rritur programin e saj vjetor të vaksinimit të gripit./Reuters