Ballina Aktualitet Vodafone kërkon largimin nga Shqipëria, nxjerr në shítje aksionet për vlerën e...

Vodafone kërkon largimin nga Shqipëria, nxjerr në shítje aksionet për vlerën e ”çmendur”, pati rënie të përdoruesve vitin e fundit

 

Në një kohë kur është një nga kompanitë me çmimet më abuzive, dhe më shumë të denoncuara nga qytetarët për shërbime shumë të shtrenjta në raport me tregun, Vodafone Albania po mendon largimin e saj nga tregu shqiptar, ndërsa vihet në pikëpyetje se çfarë do të ndodhë me përdoruresit e saj.

Lidhur me mungesën e kontrollit ndaj kësaj kompanie dhe problemet me menaxhimin e saj, pak muaj më parë u shkarkua dhe drejtori i AKEP Ilir Zela, i cili më herët ka qenë në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i socialistëve.

Edhe pse nuk u tha asnjëherë zyrtarisht, shkarkimi i tij duket se lidhet pikërisht me aktivitetin e Vodafone Albania, që pas fitimeve marramendëse, në një treg kryesisht informal si ky i yni, vendos që të mos ofrojë më shërbim në Shqipëri.

Vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare të vetë AKEP, Vodafone ka njohur një rënie të numri të përdoruesve të saj, që duket se lidhet pikërisht me shërbimet me kosto shumë të lartë që ajo ofron.

Shkrimi i plotë i revistës së biznesit Mergemarket:

Vodafone Albania ka nxjerrë në shitje aktivitetin e vet në Shqipëri, që përfshin komunikim fiks dhe të lëvizshëm, si edhe shërbim televiziv, siç i kanë pohuar Mergermarket dy burime në brendësi të situatës. Burimi i parë tha se çmimi i deklaruar është 270 milionë euro, dhe shtoi se nuk dihet nëse Vodafone do të caktojë këshilltar financiar për këtë plan.

Hamendësohet se Vodafone do të shesë të gjitha asetet në tregjet e Europës qendrore dhe lindore, tha burimi i dytë. Vodafone është i pranishëm në Republikën Çeke, në Hungari dhe Rumani ndër vendet e Europës qendrore dhe lindore. Vetë Vodafone nuk ka pranuar të bëjë komente lidhur me këtë situatë.

Një arsye e mundshme e largimit është rishqyrtimi që po i bën Vodafone pranisë në tregje të vogla europiane si Shqipëria dhe Malta, dhe fokusimi tek rritja e të ardhurave në Indi, sipas burimit të parë.

Vodafone bëri publike në dhjetor 2019 arritjen e marrëveshjes për shitjen e 100% të aksioneve të Vodafone Malta tek Monaco Telecom për shumën e barazvlefshme me vlerën e shoqërisë prej 250 milionë euro.

Sipas faqes së internetit të kompanisë, Vodafone Albania është krijuar në vitin 2001, ka 398 punonjës dhe 146 dyqane në mbarë vendin, ndërkohë që mbetet e paqartë tashmë se në dorën e kujt do të kalojnë këto dyqane.

Tremujori i parë i vitit 2020 u mbyll me 2,58 milionë përdorues aktivë të telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, duke shënuar 1,4% ulje krahasuar me një vit më parë, deklaron AKEP, autoriteti i komunikimeve elektronike dhe postare të vendit.

Vodafone Albania kryeson tregun me 1,19 milionë përdorues aktivë të telefonisë së lëvizshme, i ndjekur nga Telekom Albania me 990.670 përdorues dhe nga Albtelecom me 410.460 përdorues.

Vodafone njoftoi në tetor 2019 blerjen e AbCom, operatorit më të madh kabllor në Shqipëri, nga fondi privat i investimeve SEAF. Rrjeti i AbCom shtrihet në 460.000 shtëpi; kjo kompani u ofron shërbime të brezit të gjerë dhe TV me pagesë mbi 100.000 familjeve. (E.K/Faxweb.al)