Ballina Rajoni Kryetari Rugova priti në takim Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora...

Kryetari Rugova priti në takim Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi

 

Republika e Kosovës                                     Komuna  e Istogut

  Republika Kosovo        OpštinaIstok

Republic of  Kosova  Municipality of Istog

_______________________________

Zyra për Komunikim dhe Informim

Njoftim për Media Nr. 14/2020

Istog, më 15.07.2020

Kryetari Rugova priti në takim Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi

Kryetari i Komunës Haki Rugova priti sot në takim  Ministren Vlora Dumoshi, e cila ishte e shoqëruar edhe nga zëvendësministri Engelbert Zefaj dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, ku fillimisht u priten nga kryetari i  komunës, Haki Rugova, me të cilin diskutuan për projektet që po investon ministria e Kulturës në Istog si dhe mbarëvajtjen e tyre. Gjithashtu, u bisedua edhe për nevojat dhe problemet tjera që ka Komuna e Istogut, në resorët që i mbulon MKRS-ja dhe që janë të interesit të përbashkët .

Kryetari Haki Rugova, e falënderoi ministren për vizitën dhe për gatishmërinë e treguar për ta mbështetur me investime Komunën e Istogut, në projekte të cilat janë të nevojshme dhe në dobi të qytetarëve të kësaj ane. Ai tha se me ministren Dumoshi dhe stafin e saj kanë diskutuar për përfundimin e sallës së sportit në Istog dhe shumë e shumë projekteve tjera që po investohen në këtë komunë. “Dua ta falënderoj ministren Dumoshi për kujdesin ndaj Istogun sepse me marrjen e detyrës si ministren vizitën e parë e ka pasur në komunën tonë”, kujtoi kryetari Rugova.

Ndërkaq Ministrja Vlora Dumoshi tha se “Interesi i Qeverisë dhe plani programor i saj është i lidhur me zhvillimin e komunave të Kosovës. Në kuadër të kësaj, fushat e kulturës, rinisë dhe sportit, të cilat mbulohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes investimeve të saj në komuna, janë konform këtij plani. Ndër marrëveshjet e para që kam nënshkruar si ministre me komunat, ka qenë me komunën e Istogut. Lajmi më i mirë është që një prej projekteve që është tejzgjatur, salla e sporteve në qytet, po shkon drejt përfundimit dhe sipas planit deri në shtator ky projekt të kryhet. Ministrja Dumoshi foli edhe për projektet për sektorin e rinisë dhe porositi drejtuesit e komunës së Istogut që të inkurajojnë të gjithë të rinjtë e Istogut që të aplikojnë në programet që ka MKRS-ja për rininë, qoftë në programet e trajnimit për ndërmarrësi, në programet startup, e të gjitha thirrjet tjera. Ministrja ribëri të ditur që nga fondi 5 milionë euro që veç është paralajmëruar për MKRS-në, një pjesë do të ndahet edhe për rininë.

“Si ministri do të angazhohemi në maksimum duke bashkëpunuar edhe me komunat që të parandalojmë emigrimin e të rinjve jashtë vendit duke krijuar kushtet që të rinjtë të zhvillohen dhe të avancohen në vendin tonë”, u shpreh ministrja Dumoshi, edhe e cila u bëri thirrje të rinjve që të aplikojnë në thirrjet e ministrisë.

Kryetari Haki Rugova së bashku me Ministren Vlora Dumoshi inspektuan investimet të cilat po financon MKRS-ja në komunën e Istogut . Bëhet fjalë për projektet kapitale e Sallës së Qytetit në Istog, stadiumin “Demush Mavraj”, sallën e edukatës fizike në fshatin Vrellë, e që kalojnë vlerën financiare mbi një milionë euro vetëm për vitin 2020 si dhe “Memorialin Ibrahim Rugova”, objekt multifunksional i cili do të luajë edhe rolin e muzeut si një atraksion turistik i këtij qyteti.

Gjatë vizitës në Palestrën e Sportit të qytetit,  kryetari Rugova tha se ky projekt do të përfundoj shumë shpejt dhe si është mësë miri ndërkaq ministrja Dumoshi tha se Istogu e meriton një sallë të këtillë sepse ka traditë, sidomos në sport . “Sportistët e Istogut do të kenë një hapësirë moderne ku do të mund t’i zhvillojnë aktivitetet sportive e garat”, tha ajo mes tjerash.

Ndër projektet që do të përkrahen nga MKRS-ja komunën e Istogut do të jetë edhe finalizimi i “Memorialit Ibrahim Rugova” ku gjatë vizitës së memorialit kryetari Haki Rugova tha së bashkë më Ministrinë e Kulturës në këto hapësira do tëbëhen hapësirë multikulturore ku do të jetë edhe një pjesë e trashëgimisë së muzeut dhe figurës së Ibrahim Rugovës i cili shumë shpejt do ta ketë edhe shtatoren në hapësirat e Memorialit lart në pllato, kërkova ndihmë edhe nga Ministrja Dumoshi që së bashku me të gjithë të bëjnë një projekt i cili do ta ketë funksionin shumë dimensional,  ku në këtë memorial të organizohen tubime kulturore, letrare të gjitha natyrave të kulturës, turizmit. Ky memorial do jetë pikë orientuese dhe e pakalueshme për çdo vizitor që vjen në komunën e   Istogut tha ndër të tjera kryetari Haki Rugova.

Ministrja tha se MKRS-ja në Istog është duke investuar dhe financuar edhe në fushën e trashëgimisë dhe vetëm në këtë vit janë duke u zhvilluar 8 projekte në gërmime e në restaurime.“Memoriali Ibrahim Rugova është një hapësirë e mrekullueshme multifunksionale e cila do të jenë në funksion për aktivitete të ndryshme kulturore e artistike. Ashtu siç u zotova në zyrën e kryetarit, bashkërisht do ta bëjmë konceptin muzeal ku do të mund të ekspozohen eksponatet e ndryshme pasi që Istogu përpos që ka bukuri natyrore është i pasur edhe me arkeologji”, theksoi ministrja Dumoshi, duke kujtuar se memoriali do të përfundojë me vënin e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova, në qytetin e vendlindjes së tij.

Zyra për Informim- Komuna Istog,

Nr. Kontakti 049 766 476;

Vizitoni ueb-faqen e Komunës së Istogut: http://kk.rks-gov.net/istog/;