Ballina Bota Britania largon Huawei nga rrjeti 5G, Kina paralajmëron për pasoja

Britania largon Huawei nga rrjeti 5G, Kina paralajmëron për pasoja

 

Britania njoftoi të martën se do të ndalojë pajisjet nga kompania “Huawei”, për përdorim në rrjetin 5G, duke ndryshuar një vendim të marrë vetëm gjashtë muaj më parë. Ky hap ndërmerret, siç duket i detyruar nga sanksionet amerikane ndaj firmës Huawei, ndërkohë që Kina po paralajmëron për pasoja të mundshme në marrëdhëniet e ardhshme tregtare me Britaninë.

Ndryshimi i politikës britanike do të thotë që të gjithë ofruesit e telefonëve do të ndalohen të përdorin pajisje të reja Huawei nga fundi i vitit 2020 dhe e gjithë teknologjia ekzistuese Huawei 5G duhet të hiqet deri në vitin 2027.

“Duke pasur parasysh pasigurinë që kjo krijon rreth zinxhirit të furnizimit Huawei, Mbretëria e Bashkuar nuk mund të jetë më e sigurt nëse do të jetë në gjendje të garantojë sigurinë e pajisjeve të ardhshme Huawei 5G,” tha Oliver Dowden, Sekretari Britanik i Kulturës.

Marrëdhëniet janë tashmë të tensionuara midis Britanisë dhe Kinës, pasi Londra është e pakënaqur nga politikat e Kinës në Hong Kong si dhe nga perceptimet se Pekini nuk tregoi të vërtetën e plotë mbi shpërthimin e koronavirusit.

Por, kjo nuk ishte arsyeja që qëndron pas masave të marra ndaj Huaweit, thotë analisti i sigurisë në internet James Sullivan.

“Asgjë nuk ka ndryshuar në aspektin e perceptuar si kërcënim nga Kina, asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrën sesi perceptohet Huawei, nëse mund apo nuk mund të bëjë keq. Është vërtet keq përsa i përket problemit themelor të furnizimit dhe në fund Mbretëria e Bashkuar ka vendosur që nuk mund të vazhdojë më me Huawei sepse është një furnizues jo i besueshëm”.

Shtetet e Bashkuara thonë se Huawei paraqet një rrezik të sigurisë kombëtare për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me qeverinë kineze dhe ka frikë se pajisjet Huawei mund të përdoren për spiunazh.

Huawei i ka refuzuar këto pretendime dhe thotë se SHBA. është duke u përpjekur të shtypë një rival tregtar.

“Administrata Amerikane ka vendosur të pengojë konkurrencën,” tha Jeremy Thompson, Nënpresident i Huawei në Mbretërinë e Bashkuar.

Britania bashkohet me ShBA-te, Australinë, Zelandën e Re dhe Japoninë në ndalimin e pajisjeve Huawei. Kompania tha që masa do ta vinte Britaninë në “korsinë dixhitale të ngadaltë”.Pekini la të kuptohet se do të ketë pasoja më të mëdha ekonomike.

“Kjo ngre dyshime për të ardhmen e investimive kineze në Britani. Kina po i kushton vëmendje të madhe”.

Vetë zemërimi i Pekinit në një farë mënyre provon dyshimet ndaj kësaj kompaie, thotë analisti i Kinës, Steve Tsang.

“Një kompani, qoftë nëse ajo është në pronësi të shtetit ose private, që gëzon këtë nivel të mbështetjes nga qeveria kineze – e cila është e gatshme të përdorë gjithçka në dispozicion të shtetit kinez për të mbështetur atë kompani – e bën atë kompani jashtëzakonisht të pazakontë. ”

Masat e marra nga Britania shënojnë një fitore për politikën amerikane dhe sanksionet kundër Huaweit. Uashingtoni do të shpresojë se aleatët e tjerë perëndimorë së shpejti do ta ndjekin.