HYSEN KURTI KRENARIA E RAPSODISË SHQIPTARE NË KOHËN TONË
60 vite jetë në ansamble të ndryshme folklorike nëpër Kosovë, Shqipëri ,Evropë e Amerikë, janë madhështia e këtij rapsodi, plot krenari kombëtare. Këtij thesari do ishte mrekulli t’i bashkohej edhe ndonjë lëvdatë shtetërore, pa dallim nga Kosova apo Shqipëria.
Këto ditë takova në fshatin e lindjes, Stankaj të Rugovës së Pejës, z.HysenKurtaj, i moshës 75 vjeç. Një burrë i bëshëm, me veshjen e traditës rugoviane,të cilit një shall i bardhë, ngjeshur kokës, i kishte dhënë bukurinë gjithë fizikut të tij, me ato vetulla të trasha e të zbardhura, mustaqe të mbajtura mrekullueshëm,që ia shtonin hijeshinë një burri malësor ,me gjatësi trupi si pishë mali . Lëvizjet e tij i ngjanin një tridhjetëvjeçari, ecte shpateve plot krenari jete…
Ishte ky, HysenKurti ,rapsodi më i njohur i kohës sonë ,një këngëtar e valltar universal i melosit tonë popullor, trashëguar nga autoktonia e shpateve të Rugovës, mjeshtër i veglave të folklorit burimor shqiptar, të cilat, me dorën e përsosur të një artisti skulpturor, i punon me shijen prej mjeshtri të ditur.
Me të parë se iu kishim afruar derës së oborrit të kullës së tij, nuk priti t’a thirrnim sipas traditës, por u ngrit në këmbë dhe me atë zërin e bujarisë së vendit, malësorçe tha:
“Mirë se edhe o mik i dashur!”
Pasi shtrënguam duart si vëllezër ,bëmë nga një foto para kullës së HysenKurtit në Stankaj, e cila për syrin e shijen tonë, ishte më e bukur se kulla Ejfeli në Francë…
Hysen Kurti, tani më është i njohur në mbarë trojet shqiptare, jo vetëm për këngën e bukur ,melosin e veçantë,që dredhon ëmbël nga shpirti fisnik, por njihet edhe për artin nga druri, me të cilin punon figura të ndryshme të personaliteteve historike të kombit, figura te heronjve të luftës dhe punë tjera me vlerë të jashtëzakonshme.
Që nga fëmijëria, arti i HysenKurtit ishte kënga, me të cilën u rrit dhe filloi të merret që nga mosha dhjetëvjeçare si bari atyre shpateve të vendlindjes. Zëri i ëmbël fëminor, joshte çdo adhurues të këngës shqipe. Në fillim këndonte këngë erotike ,pastaj me pjekurinë e arritur, këndonte çdo lloj kënge e melosi burimor të trevës së Rugovës,si ato kreshnike e këngë trimërie. Bukuritë e vendlindjes sime thotë Hyseni, gjithmonë kanë qenë inspirim i shpirtit tim për këngën. Në shpirtin e tij të pasur,thellë flen edhe melosi i këngës malësorçe, të cilin nuk e le në harresë kur e dalldisë malli i kohës…
Hysen Kurti, në kuptimin e trashëgimisë së këtij arti, është autodidakt, pra një rapsod që ka provokuar e frymëzuar veten e tjerët në gjetjet e reja të artikulimit të zërit dhe melosit autokton rugovian. Baba e mixha, thotë Hyseni, i kanë ra lahutës fort bukur ,por nuk kanë kënduar asnjëherë.Ishin instrumenttistë të njohur të kësaj vegle historike të folklorit tonë shqiptar.
Nga dhuntia e tij personale, falë dashurisë së skajshme për artin folklorik, duhet theksuar se Hyseni u bie këtyre veglave me aftësi të rrallë:
Çiftelisë, sharkisë ,lahutës ,veglave frymore ,gjethit, bilbilit ,fyellit, kavallit e bizhnicave. Pos veglave të cekura ,Hyseni është një valltar i talentuar, një artist i gjithanshëm në kuptimin e plotë të fjalës.Si i tillë ,HysenKurti, në vitet 70-ta,ka marrë pjesë, thuaja në të gjitha festivalet e folklorit në Kosovë e jo vetëm. Ka qenë pjesëmarrës i ansamblit folklorik “Rugova” dhe i shpërblyer me disa mirënjohje.
Hysen Kurti që nga vitet 90-ta,ekskluzivisht merret me veglën e lahutës, pra i njohur si lahutar brenda e jashtë Kosovës. Nëse e kërkojmë këtë arsye të rapsodit se pse ka bërë këtë “shkëputje” vetëm te lahuta, ai flet me krenari duke thënë:
” E dëgjova zërin e shpirtit brenda vetes.”
Me këtë ma kujtoi një thënie të Stendalit, kur shkruan:
”E përjetoj bukurinë e botës vetëm në sajë të bashkimit të zjarrtë të mishit me shpirtin.”
Vegla historike e folklorit tonë burimoë shqiptar, ka hyrë brenda qenies së tij shpirtërore si diçka e veçantë, si ndjenjë e rrallë shpirtërore, tingujt e së cilës shprushin thellësitë shpirtërore bashkë me talentin e tij të lindur . Si njëri ndër rapsodët-lahutarët më në zë në trojet shqiptare ,disa vite radhazi ishte i ftuar në organizimet e festivaleve të folklorit kombëtar shqiptar. Në vitin 2001 ishte i ftuar në Gjirokastër, ku u shpërblye me mirënjohje për lahutë dhe çifteli. Në vitin 2003,në Festivalin Kombëtar, në Lezhë, iu dha vendi i parë si lahutari më i mirë. Në vitin 2016 i ftuar nga “Zoja e Shkodrës” në SHBA, dy herë u shpërblye me dekoratë për suksesin e arritur në lahutë.
Me rapsodin Kurti ,ne oden e burrave, në kulle guri.
Sukseset e arritura në artin e skenës folklorike, si rapsod i kohës sonë janë të shumta, sa nuk do kishte vend për numrin. Por ,vlen të ceket se këtë rrugëtim është duke e vazhduar edhe i biri i Hysenit, Sherif Hysen Kurti, i cili e vazhdon përsosjen e talentit te babait të tij. Sherifi,me rastin e Shenjtërimit të NënësTereze në vitin 2016 në Vatikan, ishte i ftuar zyrtarisht si lahutarë. Edhe ky rast dëshmon për një talent e trashëgimi familjare që do kultivojnë pasurinë shpirtërore kombëtare.
HysenKurti me të birin trashëgimtarin ,Sherif H.Kurti
Gjatë bisedës me rapsodin HysenKurti, patëm një kureshtje të veçantë ta pyesim se nga ku kishte lindur dashuria e madhe për lahutën, si instrument i folklorit burimor shqiptarë:
“Nga të gjitha instrumentet e folklorit tonë kombëtarë, në veçanti e dua lahutën. Arsyeja është e thjeshtë sepse kjo vegël muzikore ka forcën dhe peshën historike të këngës së lashtë shqiptare. Për këtë arsye e dua dhe e kultivoj si artizan ,i bie dhe i këndoj me respekt dhe krenari shpirtërore. Kam një xhelozi të grumbulluar ne zemër se këtë instrument (falë pasyçeltësisë sonë e institucioneve kompetente?!),pa të drejtë na e vodhën serbët dhe e bënë të “veten” në UNESKO. Kjo është një brengë dhe parehati shpirtërore e imja.”
Duke ndjerë një dashuri të skajshme ndaj folklorit, duke ditur edhe rëndësinë historike e shoqërore nëpër kohë, një grup entuziastësh të kësaj fushe ,nga Kosova e Shqipëria, janë organizuar dhe kanë formuar Shoqatën e Lahutarëve në nivel të Kosovës. Këtë Shoqatë e përbëjnë:
Hysen Kurti ,kryetar ,ndërsa antarë, Januz Velaj nga Shqipëria, Gjokë Kolaj nga Tuzi dhe Isa Muriqi nga Rugova e Pejës. Qëllimi kryesorë i formimit të kësaj Shoqate të Lahutarëve, është ruajtja e trashëgimisë folklorike ndër breza ,si pasuri e trashëguar historike kombëtare.
Talenteve të tillë, me vlera të rralla ,që jetojnë brenda shoqërisë sonë shqiptare, është e udhës që shoqëria mos t’i lerë në harresë të kohës. Harresa ndaj të tillëve do të thoshte krim në vete, krim ndaj kulturës në përgjithësi.Njerëzit e mëdhenj janë modest, siç është ky rapsod gjatë gjithë jetës. Ai nuk di t’i përkëdhelet askujt. I dinjitetshem me jetën dhe kulturën personale. Lakmi shkuar lakmisë!
Mirenjohjet e tij jane te pafundme , nga të gjitha skenat ku këndohet dhe kërcehet, ku buçet kënga dhe vallja shqiptare, që nga Rugova deri në Gjirokaster, nje gjeografi admiruese e karrierës së tij të lavdishme, të cilen ai e tregon me modestinë e njeriut të lidhur aq fort me token dhe traditat e vendit te vet, një lis krenar në artin bashkekohor…
RUGOVE, KOR,2020