Ballina Aktualitet Cili është destinacioni i preferuar i kësaj vere?

Cili është destinacioni i preferuar i kësaj vere?

 

Jo rastësisht natyra idilike e Dhërmiut mrekulloi perandorë romakë, shkrimtarë dhe aventurierë, po aq sa sot magjeps me mijëra turistë që zgjedhin këtë destinacion për të kaluar pushimet.

Ujërat e kristalta në 5 kilometër vijë bregdetare, plazhet intime dhe gjelbërimi që shfaqen sapo zbret Llogaranë, janë thirrja më e fortë “pusho shqip”. E thirrjes i janë përgjigjur prej fillim Korrikut pushues brenda e jashtë vendit.

“Plazhet e Shqipërisë janë më të bukurat në botë”.

“Pse duhet të ikim jashtë kur kemi këtë natyrë të mrekullueshme”.

“Plazhi është shumë i bukur”.

Argëtimi nuk përfundon me kaltërsinë e Jonit. Vetëm 3 kilometra nga plazhi, 10 minuta me makine, buzë Malit të Vetëtimave shtrihet fshati i Dhërmiut.

“Janë të shumtë pushuesit që zgjedhin fshatin e Dhërmiut për të kaluar orët e pasdites, që ofron për ta jo vetëm bukurinë e natyrës, por kulturë dhe shumë histori”.

Të shumtë e krahasojnë atë me Santorinin e Greqisë apo Amalfin në Itali, po Dhërmiu shqiptar ka identitetin e tij unik. Shtëpitë karakteristike, rrugicat me kalldrëm dhe mbi 30 kisha e manastire kuriozojnë çdo vit qindra turistë.

Dhe atëherë kur mendon se ditës i ke marrë gjithçka, nata ofron adrenalinën e saj. Muzika, shëtitjet buzë detit, pijet, vetëm sa rrisin kureshtjen për të eksploruar të nesërmen të tjera gjire, plazhe e rrëfenja të panjohura.