Ballina Bota OBSH krijon një komision për vlerësimin e përgjigjes ndaj pandemisë së koronavirusit

OBSH krijon një komision për vlerësimin e përgjigjes ndaj pandemisë së koronavirusit

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë të enjten emëroi ish-kryeministren e Zelandës së Re Helen Clark dhe ish Presidenten e Liberisë Ellen Johnson Sirleaf për të udhëhequr një komision të pavarur për të vlerësuar përgjigjen e agjencisë ndaj pandemisë së Covid-19.

Duke folur në një konferencë të shteteve anëtare në selinë e OBSH-së në Gjenevë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus prezantoi të dy udhëheqësit, duke thënë se është një kohë për reflektim.

“Shkalla e kësaj pandemie, e cila ka prekur pothuajse të gjithë në botë, meriton qartë një vlerësim të adekuar dhe të sinqertë”, tha Tedros.

Krijimi i komisionit vjen dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën zyrtarisht nga organizata pasi Presidenti amerikan Donald Trump tha se OBSH-ja nuk e konfrontoi Kinën për përgjigjen e saj fillestare ndaj shpërthimit të koronavirusit. Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk do të mbështesë OBSH-në nëse ajo nuk ndërmerr reforma të mëdha.

Vendet si Japonia, megjithëse nuk mbështesin vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga OBSH-ja, bënë thirrje për reforma në organizatë.

Zoti Tedros tha se ai pajtohet me thirrjes se OBSH-ja ka nevojë për një vlerësim të plotë dhe të sinqertë.

“Ky nuk është një raport standard që më pas thjesht vendoset në dollap. Kjo është një përpjekje që ne e marrim seriozisht”, tha ai.

Zoti Tedros propozoi që të gjitha shtetet anëtare të propozojnë sugjerime për anëtarët e komisionit të vlerësimit dhe që komisioni të operojë në mënyrë të pavarur.

Ai sugjeroi që paneli të paraqiste një raport të pavarur në nëntor para Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, dhe raportin e tij përfundimtar para asamblesë në maj të vitit të ardhshëm.