Ballina Bota Buffet jep 2,9 miliardë dollarë për bamirësi

Buffet jep 2,9 miliardë dollarë për bamirësi

 

Warren Buffett, një ndër njerëzit më të pasur të botës, dha rreth 2,9 miliard dollarë për katër familje bamirëse si dhe për fondacionin Bill & Melinda Gates, si pjesë e planeve për dhurimin e pasurisë së tij.

Në një deklaratë të mërkurën, kompania Berkshire Hathaway tha se ky është donacioni i 15-të i zotit Buffett që nga viti 2006.

Kjo e çon në më shumë se 37.4 miliard dollarë shumën e përgjithshme të dhuruar deri tani nga zoti Buffett, i cili mbush 90 vjeç më 30 gusht të këtij viti.

Katër të pestat e donacioneve kësaj here i shkojnë Fondacionit Gates. Pjesa tjetër shkon për Fondacionin Susan Thompson Buffett, emri i gruas së parë të zotit Buffett si dhe organizatave bamirëse të drejtuara nga fëmijët e tij Howard, Susan dhe Peter.

Sasia më e madhe e dhuruar ndonjëherë nga zoti Buffett ka qenë 3.61 miliardë dollarë në vitin 2019, kur çmimi i aksioneve të kompanisë së tij ishte më i lartë.

Megjithëse zoti Buffett ka dhuruar 48% të aksioneve të tij në kompaninë Berkshire, ai ende zotëron rreth 15.2% të këtij konglomerati me qendër në Omaha të shtetit Nebraska dhe kontrollon gati një të tretën e paketës së tij votuese.

Revista Forbes tha të martën se zoti Buffett ka ende një pasuri prej 71.4 miliardë dollarësh, duke u renditur i shtati në të gjithë botën.

Themeluesi i firmës Amazon.com Jeff Bezos renditet i pari me 178.1 miliardë dollarë, ndërsa bashkëthemeluesi i kompanisë Microsoft Bill Gates vjen i dyti.

Gates, një mik i vjetër i zotit Buffetit, këtë vit i dha fund pjesëmarrjes së tij 16-vjeçare në bordin e firmës Berkshire për tu përqendruar tek fondacioni i tij.

Konglomerati Berkshire zotëron më shumë se 90 biznese, si hekurudhat BNSF, firmën e sigurimit Geico dhe prodhuesin e akulloreve Dairy Queen.

Ajo zotëron gjithashtu dhjetëra aksione të bursës, duke përfshirë aksione të firmës Apple me vlerë prej më shumë se 93 miliard dollarësh.