Ballina Bota Australia mbyll kufijtë për herë të parë në 100 vjet pas goditjes...

Australia mbyll kufijtë për herë të parë në 100 vjet pas goditjes nga Covid-19

 

Kufijtë midis dy shteteve më të populluara të Australisë do të mbyllen nga e marta për një periudhë të pacaktuar, ndërsa autoritetet po përpiqen të përmbajnë një shpërthim të koronavirusit në qytetin e Melburnit.

Kjo është hera e parë në 100 vjet që kufijtë midis Victoria-s dhe Uellsit të Ri Jugor (New South Wales) mbyllen.

Për herë të fundit kufijtë midis dy shteteve u mbyllën në vitin 1919 gjatë pandemisë së gripit spanjoll.

Kjo masë mund të jetë një goditje për rimëkëmbjen ekonomike të Australisë, e cila gjendet në recesionin e saj të parë në gati tre dekada.

Australia ka regjistruar deri më tani 8,500 raste, por shpërthimi në Melburn (kryeqyteti i Victoria) ka ngritur kambanat e alarmit.

Numri i rasteve të reja të Covid-19 në kryeqytetin Viktorian është rritur në ditët e fundit, duke bërë që autoritetet të zbatojnë masa të rrepta të distancimit social në 30 periferi dhe të vendosin në izolim të plotë nëntë ndërtesa të banesave publike.

Vendi ka raportuar mesatarisht 109 raste çdo ditë gjatë javës së kaluar, krahasuar me një mesatare prej vetëm 9 raste në ditë gjatë javës së parë të qershorit./Reuters