“U përpoqa, dështova. Nuk ka rëndësi, do të provoj përsëri. Do të dështoj më mirë”. Para se të bëhej manifesti i SiliconValley dhe turbokulturës së sipërmarrjes, aforizmi i shkruar në vitin 1951 nga Samuel Beckett, për novelën e tij “Molloy” mund të përfaqësojë lehtësisht manifestin e shpirtit irlandez.
Mantra e një kombi që përleshet gjithnjë me mjerimin, persekutimin dhe vështirësitë, por që ia del gjithnjë të ngrihet me krenari, guxim. Ose thjesht dëshpërim. “Jemi një vend i gjallë i zhvilluar, por kemi kujtime të përulura nga Bota e tretë” – shpjegoi Mary McAleese, gruaja e parë presidente e Republikës së Irlandës (nëntor 1997 – nëntor 2011).
E thyer në vitin 1845 nga një uri që vrau një milion persona (e barabartë me 10% të popullsisë) duke detyruar një milion persona të tjerë të emigrojnë, Irlanda, nga një këndvështrim demografik, nuk e ka marrë kurrë veten. Nga më shumë se 8 milionë banorë në vitin 1841, sot Irlanda ka më pak se 5 milionë banorë.
Kjo, pavarësisht një ekonomie të zhvilluar, e cila, me ndihmën e Trojkës mundi të kapërcejë krizën financiare të vitit 2010, duke u kthyer në pak vite në Tigrin Kelt të cilin shumë e kanë zili. Sot është e vështirë të imagjinosh që më shumë se 10 milionë irlandezëve u është dashur të braktisin tokën e tyre për të krijuar një jetë më të mirë jashtë vendit.
I ngritur dhe financuar nga Neville Isdell, emigrant irlandez i cili u bë president dhe CEO i Coca Cola në vitin 2016, me një investim 15 milionë euro, muzeu Epic ka një mision të trefishtë: të informojë, të mësojë dhe të jetë historikisht i patëmetë.
Jo rastësisht, në World Travel Awards, Epic triumfoi si “Tërheqja më e mirë turistike europiane”, duke lënë pas Pallatin Buckingham, Koloseun dhe Kullën Eifel. Historitë që shfaqen në Epic janë të mrekullueshme – një kaleidoskop dritash, tingujsh, muzikash, skenografish, videosh dhe aktivitetesh ndëraktive, por edhe dokumente, dorëshkrime, libra dhe filmime të asokohe. E gjithë kjo, nën kujdesin e studios Events Communication.
Galeritë e para të Epic, “Migration” përfaqësojnë momentin e lamtumirave. Në zonën “Motivation” zbulojmë gjenezën e emigrimit irlandez – persekutimet fetare e sociale, luftërat, uria.
Në sesionin “Influence” zbulohet se si hemorragjia njerëzore nga Ishulli Emerald ka formuar kulturën botërore. Çdo galeri ka një pamje të ndryshme, me ekrane në muret prej guri të magazinave të vjetra, projeksione në dysheme etj.
Llogaritet që në botë të jenë të paktën 70 milionë persona, në venat e të cilëve rrjedh gjak irlandez: mes tyre, të paktën 22 presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Kennedy te Nixon, nga Reagan te dy Bush-ët e deri te vetë Obama.
Por nuk do të gjeni vetëm emra të famshëm në muret e Epic. Ka histori të pabesueshme dhe të panjohura, si ajo e Nellie Bly, gazetarja e parë investiguese në histori, e cila në vitin 1885 krijoi zhanrin e “hetimit të fshehtë”. Ajo befasoi drejtuesin e saj, Joseph Pulitzer, e cila u shtir si e çmendur, duke hyrë në një institut të sëmurësh mendorë për femra, të cilin përshkroi pastaj pa dorashka. Katër vjet më pas, Nellie përshkoi gjithë botën në 72 ditë, duke fituar një bast me Pulitzer.
Çfarë mund të themi për irlandezin James Barry, kirurgu i parë i ushtrisë britanike dhe veteran i betejës së Vaterlosë, i cili kreu ndërhyrjen e parë cezariane në histori dhe që, vetëm pas vdekjes, u zbulua se ishte një grua, Margaret Ann Bulkley? Sikleti i ushtrisë britanike ishte i tillë sa të fshihte të gjitha provat për më shumë se 100 vjet.
Në muze gjendet edhe Irish Family History Centre, një “qendër moderne gjenealogjike”, ku mund të zbuloni rrënjët, duke nisur nga mbiemri e deri në një analizë të AND-së.
I mbyllur për shkak të lockdown, muzeu hapi dyert më 29 qershor, por përfitoi nga koronavirusi për një projekt interesant. Gjatë muajve të izolimit e distancimit social, Epic u bëri thirrje gjithë irlandezëve nëpër botë për të treguar historitë dhe përvojën e jetës gjatë pandemisë. Do të lindë një ekspozitë tjetër, e pasur me histori të pabesueshme që rrjedhin së bashku me birrat në venat e “leprechaun” – histori legjendare të frikës, guximit, shpresës. E mbi të gjitha, krenarisë, e ndërthurur me humor. Një proverb antik thotë: “Në botë ka dy lloje njerëzish: irlandezët dhe ata që do të donin të ishin”.
*Enrico Marro
Burimi: Il Sole 24 Ore, përkthyer me shkurtime