Ballina Rajoni Pse Turqia e ka përballuar kaq mirë COVID-19?

Pse Turqia e ka përballuar kaq mirë COVID-19?

 

Turqia ka deklaruar se ka ritmet më të ulëta të vdekshmërisë nga COVID-19 në Evropë. Sipas statistikave, Turqia rezulton më mirë se shumë vende të pasura evropiane. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, mjekët paralajmërojnë se vetëkënaqësia është e rrezikshme:

Kreu i Spitalit Sultangazi Haseki të Stambollit, Dr. Sonmez, bën vizitat e përditshme.

Spitali që ai drejton ka qenë që në fillim në vijën e frontit kundër COVID-19, duke shtruar pacientin e parë me këtë sëmundje.

Pas trajtimit të 20 mijë pacientëve, Dr.Mehmet Sonmez, thotë se strategjia e reagimit agresive ndaj sëmundjes ishte çelësi i suksesit të Turqisë që thotë se ka ndër ritmet më të ulëta të vdekshmërisë në Evropë:

Në trajtimin e pacientit ka shumë rëndësi që sëmundja të menaxhohet para se i sëmuri të kenë nevojë për kujdes intensiv. Kjo arrihet me masa të hershme dhe cilësore. Nëse pacienti ka nevojë për kujdes intensiv, rriten ritmet e vdekshmërisë”.

Me rënien e numrit të të shtruarve me COVID, personeli mjekësor shprehet disi i çliruar:

Ne jemi fitimtarët në këtë betejë, të paktën në këto momente. Tani jemi në gjendje shumë më të mirë pasi kanë rënë rastet. Kjo na ka rritur motivimin, por ka rënë edhe lodhja dhe intensiteti,” thotë kryeinfermierja Merve Altinkaya.

Sultangazi është një ndër spitalet e reja shtetërore të ndërtuara në kuadër të investimeve masive të qeverisë në shëndetësi.

Po ashtu ka pasur zgjerim edhe të shërbimeve private spitalore në Stamboll. Prandaj kur epidemia goditi këtë qytet, sistemi nuk u stresua.

Po ashtu mjekëve iu dha liria e veprimit në reagimin me pacientët.

Ekspertët përmendin edhe faktin që Turqia ka një popullatë mesatarisht të re, si faktor për ritmet e ulëta të vdekshmërisë, pasi të rinjtë janë në përgjithësi më rezistentë ndaj kësaj sëmundjeje.

Krahasuar me vende perëndimore, një përqindje më e vogël e turqve në moshë të madhe jetojnë në qendra për të moshuarit.

Por vetëkënaqësia është armiku i ri. Tani që qeveria ka lehtësuar masat e izolimit fizik dhe po shtohen ritmet e testimit, ritmet e përhapjes së infeksionit rezultojnë dy herë më të larta.

Sidomos në stinën e verës, njerëzit janë pak më të lirshëm, prandaj sëmundja bëhet edhe më e rrezikshme. Deri kur të zhvillohet vaksina, virusi do të jetë sfidë e pranishme në jetët tona. E kemi vetë në dorë, ne si shoqëri, për të mos e lejuar që ky moment optimizmi të kthehet në pesimizëm,” thotë Dr. Sonmez.

Specialisti dhe personeli i tij janë të vetëdijshëm se mund të kenë fituar betejën e fundit, por lufta kundër COVID-19 nuk ka mbaruar ende.