Ballina Rajoni MANASTIRI I DEÇANIT – SI U SHNDËRRUA NGA NJË VENDI I SHENJT...

MANASTIRI I DEÇANIT – SI U SHNDËRRUA NGA NJË VENDI I SHENJT I SHQIPTARËVE NË NJË INSTRUMENT TË POLITIKËS ANTISHQIPTARE SERBE – Nga Dr. Murteza OSDAUTAJ

 

(Sa herë shkoj në vendlindje dëgjoj se ky projekt a ai investim komunal në Deçan nuk është bërë, nuk ka filluar apo nuk është kryer për shkak se s’ka lejuar Manastiri i Deçanit duke vënë pengesa të çfarëdollojshme duke shfrytëzuar statusin e zonës së mbrojtur dhe me qëllim të pengimit të gjithanshëm të zhvillimit të komunës. Kjo është arsyeja e këtij shkrimi të cilin e shkrova jo me ndonjë kënaqësi të madhe por e ndjeva si detyrim për t’i qartësuar, sidomos për gjeneratat e reja, disa aspekte të jetës sonë të përbashkët me dhe karshi manastirit. Në këtë shkrim do t’i paraqes disa arsye pse kleri i këtij manastiri duhet të kërkojë falje për të bërat e të pabërat kundër shqiptarëve gjatë njëqindvjetëshit të okupimit serb të Kosovës për faktin se, në një mënyrë a tjetrën, kleri i këtij tempulli fetar ishte instrument i të gjitha pushteteve serbe. Në këtë shkrim unë shpreh mendimin se të parët e këtij manastiri duhet të kërkojnë falje për vrasjet, dhunimet, masakrat dhe dëbimet që shteti serb, që nga viti 1912, i ka bërë kundër shqiptarëve. Duhet të distancohet kleri i kësaj kishe nga gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit që shteti serb i ka ushtruar ndaj nesh. Duhet t’i lejojnë shkencëtarët dhe hulumtuesit shqiptarë dhe botërorë të kenë qasje në arkivat e saj. Duhet t’ua kthejnë shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës të gjitha eksponatet arkeologjike, dorëshkrimet dhe artefaktet tjera që i ka përvetësuar e vjedhur me forcë apo me mashtrim për gati njëqind vjet dhe të cilat janë me vlerë të pakontestueshme për historinë dhe kulturën e Kosovës.)

Jam rritur me legjendat për Manastirin e Deçanit, për objektin e shenjt që përfaqësonte, për mjeshtrit që e kishin ndërtuar dhe për ‘varrin e mirë‘ tek i cili shpesh na dërgonin nënat e gjyshet dhe na detyronin t’i kryenim një varg ritualesh magjike te cilat, sipas besimit të tyre, do të na bënin mirë për shëndetin apo do të na ndihmonin që të  na ‘shkonte shkolla më mirë‘ apo të na hapej mundësia që t’na ecte më mirë fati i jetës.

Gjyshet tona manastirin e quanin kishë dhe për të njëjtën thoshin se ishte ‘e jona’ por që prej saj u larguan kur u konvertuan në myslimanë. Megjithatë, edhe pse njerëzit ishin kthyer në myslimanë, asnjëherë në ndërdijen e tyre nuk ishte braktisur ideja se ishte një objekt kulti ‘i joni’ dhe si i tillë respektohej dhe çmohej pa fund si vend i shenjt.

Ky objekt çmohej pafund nga shqiptarët dhe ruhej si pjesë e pasurisë religjioze të tyre. Ata duke e konsideruar të shenjt, asnjëherë, që prej konvertimit të popullsisë në myslimanë, nuk ishin larguar, së paku shpirtërisht nga ajo që e konsideronin trashëgimi të tyre duke e manifestuar këtë respekt dhe këtë mbamendje, së paku, me vizitat e shumta aty dhe marrjen pjesë ne festat fetare që organizoheshin në kuadër të datave të shënuara kishtare.

Dua të filloj me legjendën mbi ndërtimin e ‘kishës’ së Deçanit.

Siç flitet në popull dhe nga gojëdhënat që ende ekzistojnë, në vendin ku është sot kisha e Deçanit kishte ekzistuar një kishë e vjetër katolike e cila ishte pronë e një familjeje të fisit Kuçi nga Deçani dhe e cila për shekuj ishte faltore e banorëve të kësaj ane. Meqenëse objekti ishte dëmtuar shumë ngase kisha katolike e Romës, me kohe, e kishte humbur ndikimin dhe pushtetin e saj në këto vise për shkak të hegjemonisë bizantine, ortodoksët të cilët ishin fuqizuar shumë nga mbizotërimi bizantin do të fillonin ta rindërtonin atë me qëllim të shndërrimit të saj në tempull ortodoks, ata do t’i ftonin për rindërtimin e kishës së Deçanit vëllezërit Kuçi nga Tivari. Ndër ta, ishte më i madhi Vita Kuçi. Sipas legjendës këta vëllezër nuk ishin njerëz të zakonshëm por ishin dragonj dhe kishin fuqi mbinatyrore. Pasi kishin punuar me vite me radhë për ta rindërtuar kishën e vjetër, padronët që në ndërkohë e kishin pushtuar vendin, për të mos ua bërë pagesën, vendosin që mjeshtërve mos tua bëjnë pagesat për punën e kryer dhe për këtë qëllim zgjidhja më e mirë ishte vrasja e mjeshtërve. Meqenëse tre vëllezërit posedonin fuqi mbinatyrore, dhe pasi e kuptojnë se nga vendi nuk do të dalin të gjallë përdorin fuqinë e tyre mbinatyrore dhe, duke fluturuar, arrijnë në tri vende të bukura të Kosovës. Njëri prej vëllezërve zbret më së afërmi, në anën tjetër të Bistricës së Deçanit ku, posa zbret, buron uji i njelmët i Gushavcit. Tjetri fluturon pak më larg, te vendi ‘Gllejtë e Deçanit’ ku mbijnë pishat dhe bredhat me të bukur të parë ndonjëherë. I treti vëlla fluturon më gjatë dhe zbret në vendin që sot quhet Banja e Istogut, posa e prek tokën, aty do të burojë uji i ngrohtë i cili do të bëhet vend shërim për dhjeta e dhjeta gjenerata.

Kjo ishte e vërteta magjike në lidhje me kishën e Deçanit.

Por cila është e vërteta jo legjendare?

Shqiptarët përgjithmonë, deri në luftën e Kosovës, kishën e Deçanit e konsideronin vend të shenjt të tyre ngase, duke qenë tempull i popullsisë ortodokse shqiptare vendase qe quheshin shkije raje (ky term fillimisht nuk kishte karakter fyes dhe as karakter nacional por thjeshtë fetar(skizma – shkie)), pra ortodoks vendas  të cilët, për shkak të përkatësisë së tyre ortodokse, e konsideronin tempull të tyrin. Mjafton t’i shikojmë fotot e ruajtura të kësaj kishe deri në vitin 1912 (para pushtimit serb të Kosovës) që ta kuptojmë se në ato foto përveç personave të veshur me veshje kombëtare shqiptare nuk shihen persona apo grupe me veshje tjera që të mund t’i identifikojmë se u përkasin përkatësive të tjera kombëtare. Për dijen e lexuesve, duhet të cekim se në Deçan dhe në Pejë deri në vitin 1912 mund të ketë pasur jo më shumë se 200 familje ortodokse të cilat, bazuar në mbamëndjen kolektive, nuk dallonin as me gjuhë, as me tradita, as me veshje, as me zakone dhe as me rite nga popullsia tjetër joortodokse e atëhershme (sllavishtja e vjetër, atë kohë, ishte gjuhe tradicionale kishtare ortodokse dhe përdorej vetëm gjatë shërbimeve fetare). Por pushtimi serb i Kosovës e ndërroi tërë gjendjen, në këtë  mënyrë kisha e Deçanit, që nga viti 1912 e tutje, u shndërrua në instrument politik të Serbisë ndërsa popullsia vendase ortodokse iu nënshtrua një asimilimi të shpejt. Edhe në këtë gjendje,  Kisha e Deçanit gëzonte status shpirtëror tek ne dhe, për këtë arsye, edhe kujdesi për të ishte i veçantë si përherë. Bile, që është tepër me rendësi, kjo kishë ruhej dhe mbrohej, për shekuj me radhë, nga familje të njohura shqiptare. Vlen të cekët se familja e fundit që është kujdesur dhe e ka mbrojtur kishën e Deçanit ka qenë familja e Sali Rrustëve që, edhe sot, quhen vojvodët e Deçanit dhe e cila në mbrojtje të kësaj kishe, sidomos në kohën e pushtimit austriak, kishte flijuar disa djem të cilët ranë duke e mbrojtur kishën dhe duke mos lejuar depërtimin e ushtarëve austriakë në brendësinë e saj.

Po ç’kërkon kjo kishë sot nga shqiptarët dhe cilët janë faktet që e dëshmojnë se ky institucion kishtar asnjëherë nuk e ka ushtruar ndikimin e vet, se paku shpirtëror dhe moral, në mbrojtje të popullsisë së Deçanit nga represioni dhe gjenocidi serb.

Kjo kishë dhe udhëheqësit e saj nuk i dolën në mbrojtje popullsisë shqiptare në vitin 1911 kur Dukagjini u pushtua nga malazezët dhe çetat kriminale të Mark Milanit, duke kërkuar konvertimin e popullsisë myslimane në ortodoksë, vranë dhe masakruan qindra e mijëra shqiptarë dhe shkatërruan qindra fshatra të Dukagjinit. Kjo kishë dhe popat e saj nuk e folën kurrë një fjalë mbrojtjeje dhe as një fjalë keqardhjeje për të gjitha ato masakra që iu bënë popullsisë e cila e mbante gjallë dhe e ruante atë.

Kjo kishë dhe klerikët e saj nuk e folën një fjalë mbrojtëse për popullsinë shqiptare të Deçanit kur ky territor, në vitin 1912 u pushtua nga Serbia. Kjo kishë kurrë nuk e foli një fjalë për masakrat dhe gjenocidin e tmerrshëm që kryenin çetat serbe të asaj periudhe duke vrarë e djegur familje të tëra në mënyrën më mizore.

Kleri i kësaj kishe nuk foli dhe nuk shprehi mospajtimin e saj edhe për masakrat e kryera nga Serbia në luftërat ballkanike dhe në luftën e parë botërore edhe pse djem e burra shqiptarë ranë duke e mbrojtur kishën dhe klerin e saj nga depërtimi i forcave austriake gjatë kësaj lufte.

Kleri i kësaj kishe, edhe pse mbrohej nga shqiptarët, kurrë dhe në asnjë rast nuk kishte ngritur zërin kundër zullumit të pafund që ushtronin forcat serbe kur me dhunë e bënin shpronësimin e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre nga trojet e veta gjatë viteve njëzet e tridhjetë.

Kjo kishë dhe kleri i saj, gjithmonë ishte në shërbim të xhandarmerisë serbe të cilët në të gjitha kohërat terrorizonin popullsinë e varfër dhe të robëruar të Kosovës. Kurrë nuk e foli një fjalë keqardhjeje për djemtë e ri të vrarë, për gratë e nuset e reja të masakruar e të dhunuara, për familjet e tëra që lidheshin rreth mullarëve me sanë dhe iu vihej flaka e digjeshin të gjallë, për të gjitha atë nuse e gra shtatzëna të cilave për se gjalli u prehej barku dhe u nxirreshin foshnjat të cilat, pastaj, ushtarët serbë i ngulnin në hunj e në shpatat e tyre të lyera me gjak.

Kjo kishe dhe kleri i saj nuk shprehi kurrë keqardhje për plaçkitjet dhe vrasjet e banorëve të pafajshëm shqiptarë në bjeshkët e Deçanit e të Isniqit në vitet 1920-30.

Kleri i kësaj kishe nuk e foli asnjë fjalë dhimbjeje për qindra e qindra fshatarë të kësaj ane që u vranë gjatë luftës së dytë botërore nga çetnikët.

Kjo kishë kurrë nuk ishte në krah të shqiptarëve të shpronësuar nga qeveria e SKS-së dhe kur në tokat e plaçkitura shteti i atëhershëm jugosllavë sillte kolonë serbë e malazezë nga Velika e Mali i Zi.

Kjo kishë kurrë nuk e shprehi së paku keqardhjen e saj për vrasjet e banorëve shqiptar pas luftës së dytë botërore nga çetat partizane dhe e çetnike.

Ky institucion fetar, edhe pse ekzistonte vepronte me një popull qe po sakatohej dhe po terrorizohej nga UDBA-ja e Rankoviqit, kurrë nuk doli t’i mbronte apo ta fliste një fjalë mospajtimi me këtë trajtim çnjerëzor të popullatës me të cilën bashkëjetonte.

Ky tempull fetar, nuk doli kurrë ta kundërshtojë shpërnguljen me dhunë të popullsisë vendase për në Turqi në vitet 50-ë e 60-ë të shekullit të kaluar. Nuk reagoi kurrë kur kjo popullsi trajtohej në mënyrat më çnjerëzore deri në vitin 1968 kur sistemi represiv i Rankoviqit ra përgjithësisht.

Stadi i këtij manastiri, në mënyrë sistematike, ka vjedhur dhe përvetësuar trashëgiminë arkeologjike të komunës së Deçanit që shtrihej në Grykën e Deçanit. Nga ana e kishës është vjedhur dhe fshehur, ndoshta edhe dërguar në Serbi, pasuria arkeologjike e Kullës së Çelisë, një objekt i fortifikuar i kohës antike. Kjo kishë ka vjedhur e plaçkitur, për vite e me vite, pasurinë arkeologjike që është gjetur në objektet sakrale që ekzistojnë në Grykën e Deçanit. Të njëjtën e ka bërë edhe në kohën e pasluftës nën mbrojtjen e KFOR-it gjë që është vepër penale dhe krim kulturor i pa tolerueshëm nga asnjë shtet sado demokratik dhe perëndimor te jetë.

Jo pse e ka pasur obligim: për hir të natyrës shpirtërore, predikimit të dashurisë dhe paqes mes njerëzve dhe humanizmit që përfaqëson apo do të duhej të përfaqësojë dhe për shkak se krimet kryheshin nga besimtarët e saj, kjo kishë dhe kleri i saj nuk iu përkushtua kurrë as me një fjalë të vetme mbrojtjes së popullsisë dhe të rinjve e të rejave por edhe familjeve që sulmoheshin, terrorizoheshin e vriteshin në të gjitha momentet historike kur populli shqiptar kërkonte të drejtat e veta dhe lirinë.

Kjo nuk ndodhi as në 1920, as në vitet 1930, as në vitin 1981, as në vitin 1983, as në vitin 1986, as në vitin 1987 dhe as në vitin 1989.

Asnjë fjalë e vetme nga kleri i kësaj kishe kundër vrasjeve të bëra nga xhandarmëria dhe policia serbe nëpër këto vite, asnjë keqardhje nga kjo kishe për masakrat dhe dëmet e shkaktuar nga pushteti serb, asnjë kundërshtim formal dhe asnjë shprehje e dhimbjes për gjenocidin e ushtruar në vitet 90.

Kjo kishë nuk foli dhe nuk e kundërshtoi asnjëherë mbylljen e shkollave kundërshtoi asnjëherë mbylljen e shkollave shqipe në vitin 1991, largimin nga puna të të gjithë shqiptarëve në vitin 1991 dhe 1992. Kjo kishë nuk reagoi kurrë, së paku për ta ruajtur fytyrën, kur vriteshin djem e vajza të reja, kur burgoseshin e vriteshin njerëz nga policia serbe, kur popullsia shqiptare trajtohej në mënyrat më barbare dhe kur shteti serb aplikonte aparteidin për tërë popullin shqiptar të Kosovës.

Kleri i kësaj kishe asnjëherë dhe në asnjë moment të historisë më të re nuk u vu në mbrojtje të të drejtave elementare njerëzore që shkeleshin nga besimtarët e saj në mënyrë sistematike.

Kjo kishë pranoi dhurata nga shteti serb edhe pasuritë që nuk ishin të saj dhe të cilat ishin ndërtuar me mundin dhe taksat e banorëve e shtetasve të Kosovës për vite e vite duke u bërë bashkëpjesëmarrëse e plaçkitjes së pasurisë së këtij populli të cilën e bëri shteti serb në mënyrë sistematike për decenie.

Kleri i kësaj kishe nuk e foli asnjë fjalë keqardhjeje për sulmet e ushtrisë serbe nëpër fshatrat e rajonit të Dukagjinit që bëheshin nga ushtria e paramilitarët serbë. Nuk foli asnjë fjalë kur u bë masakra e parë e Lubeniqit në vitin 1998 dhe nuk e foli asnjë fjalë dhe nuk shprehi asnjë keqardhje kur u bë masakra e dytë e Lubeniqit në vitin 1999. Kleri i kësaj kishe nuk shprehu kurrë keqardhje për qindra e qindra gra e fëmijë të vrarë në Kosovë dhe sidomos në Dukagjin. Kjo kishë nuk e dënoi asnjëherë, së paku gojarisht, djegien dhe shkatërrimin e dhjeta fshatrave të rajonit ku ajo funksionon.  Ajo nuk e bëri një zë të vetëm kundër masakrës se Belegut, ajo nuk e tha një asnjë fjale keqardhjeje kundër dëbimit masiv që bëri ushtria e Serbisë ndaj popullatës së Kosovës.

Kjo kishë dhe kleri i saj nuk bëzajti as kur tymi i shtëpive të djegura të fqinjëve të saj shqiptarë, mbërrinte dhe mbushte oborrin dhe hapësirat e saj me tym e mjegull.

Për më keq, në këtë kishë u strehuan paramilitarët serbë, u strehuan ata që dhunuan, vranë, prenë e dogjën gjithçka që ishte shqiptare.

Kisha e Deçanit  tash

Pas lufte, me mjeshtri, kjo kishë arriti ta përfitojë kujdesin e forcave të KFOR-it për çka popullsia dhe strukturat politike nuk mund të ishin kundër ngase ishte vështirë të kontrollohej mllefi i njerëzve të cilët kishin humbur familjet dhe kishin humbur tërë pasurinë e tyre nga sulmet e ushtrisë e paramilitarëve serbë për të cilët kjo kishë dhe stafi i saj për shumë vjet ishte shndërruar në zëdhënëse.

Nuk ishim kundër të ruhej kjo kishë ngase askush nuk donte që për ndonjë incident të rastësishëm që mund ta shkaktonte ndonjë i person që kishte humbur familjen apo i ishte dhunuar familja, të bëheshim pjesë e titujve të gazetave të vendit e të huaja.

Por kjo kish nuk u ndal me kaq! Ajo shfrytëzoi praninë e KFOR-it për t’u marr me politikë. Së pari arriti që, gati tërësisht, ta ndalojë qarkullimin e lirë të banorëve të komunës së Deçanit të cilët i kishin pasuritë e tyre të kullotave dhe të tokave në Bjeshkët e Nemuna apo që ishin banorë të fshatrave malore të kësaj komunë, siç ishin banorët e Bellesë dhe të Pleqes. Ata, për shumë vjet, kishin qasje të penguar në më se 80% të hapësirës së komunës së Deçanit ndërsa që këto pengesa ende ekzistojnë porse pak më të lehtësuara.

Shpallja e pavarësisë dhe pranimi që rreth manastirit të krijohej zonë e mbrojtur ishte edhe një moment tjetër të cilin personeli e kësaj kishe e shfrytëzoi për interesa të saj.

Pengesa e parë që kjo kishë e vuri për banorët e komunës së Deçanit, pronat e të cilëve ishin në zonën e mbrojtur, ishe moslejimi i ndërtimeve dhe investimeve të banorëve nëpër pronat e tyre. Kështu më se 800 hektarë që i përfshinë kjo zonë, janë praktikisht të papërdorshme për pronarët e tyre përveç për kositjen e barit. Duke e marrë parasysh se këto prona shtrihen në pjesën më të bukur të Komunës, për pronarët e tyre kanë qenë dhe do të ishin një burim i pazëvendësueshëm për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomive familjare.

Pengesa tjetër e dytë ishte pengimi i ndërtimit të rrugës ndërkombëtare Deçan – Plavë. Ky institucion nuk e lejoi që rruga të ndërtohej sipas trasesë së planifikuar që fillonte në magjistralen Pejë – Gjakovë, në afërsi të Isniqit dhe vazhdonte vargmaleve të këtij fshati. Ministria, e detyruar për ta gjetur një zgjidhje tjetër, filloi një trase të re të rrugës që shmangte magjistralen Pejë-Deçan për disa kilometra duke filluar ndërtimin nga Çesta e Lloqanit drejt  Bjeshkëve të Nemuna. Edhe kjo vi e re nuk ishte e përshtatshme për Kishën. Organet shtetërore u detyruan që punën ta ndërprejnë përgjatë tërë vijës që kalonte nëpër zonën e mbrojtur, për të vazhdojnë në kufirin ku mbaron zona e mbrojtur e tutje, duke lënë të pa ndërtuar  më shumë se 5 km të rrugës që do të duhej të ndërtohej brenda zonës. Duke e penguar në këtë mënyrë, praktikisht i tërë projekti i rrugës së përmendur është jofunksional dhe nuk e luan rolin e parashikuar ngase mungesa e pjesës hyrëse prej 5 km që do të duhej ta lidhte qytetin me trasenë e planifikuar, këtë rrugë e pengon të bëhet faktor i lidhjes së shteteve dhe i zhvillimit ekonomik të Komunës. Çudia është se asnjë faktorë ndërkombëtar nuk e bëri asnjë reagim për pengesat e vëna nga e mbrojtura e tyre.

Pengesa tjetër e madhe që kleri i kësaj kishe ia bëri Komunës dhe banorëve të saj është moslejimi i realizimit të projektit komunal për ndërtimin e shtratit të lumit të Lumëbardhit i cili do të duhej të niste nga Ura e Demës, në mes ët Isniqit dhe Deçanit, dhe të vazhdonte deri te burimi i ujit të njelmët,  në Gushavc. Duke e penguar edhe këtë projekt, kisha e Deçanit, po e pengon zhvillimin e qytetit, urbanizimin, modernizimin e zbukurimin  e tij dhe zhvillimin e një komponente shume të rëndësishme të jetës së banorëve të komunës, pushimin, rekreacionin dhe turizmin. Edhe për këtë fenomen asnjë reagim nga faktorët ndërkombëtarë.

Kleri i kësaj kishe, me ndihmën e pushtetit serb, viteve të nëntëdhjeta, arriti t’i uzurpoi pa të drejtë, përveç pronave të ndërmarrjeve APIKO dhe të pushimores së Deçanit, shumë hapësira publike që shtriheshin rreth saj. Ajo, pas luftës, i rrethoi ‘pronat e saj’ me një mur të trashë guri mbi të cilin vuri tela me gjemba. Unë nuk e di nëse për këtë projekt kisha ka kërkuar leje por ndërtimi i një muri të tillë dhe vënia e  telave me gjemba mbi të krijon një pamje të shëmtuar dhe të padurueshme. Në njërën anë krijon përshtypjen se brenda atyre telave me gjemba nuk është një tempull fetar por një kamp përqendrimi si Aushvici dhe në anën tjetër, për ndonjë vrojtues të paanshëm, krijon përshtypjen se objekti qenka përballë një sulmi të vazhdueshëm nga ‘armiq të jashtëm’ e që të tillët, në rastin konkret, nuk mund të jetë kush tjetër përveç se banorët shqiptarë të Komunës së Deçanit.

Mendoj se Kisha e Deçanit është duke bërë gabim me sjelljen e saj ndaj popullsisë vendase. Ndoshta atë e mban shpresa se në bisedimet e ardhshme do të fitojë ekstraterritorialitet për të cilin as komuna dhe as shteti s’do të duhej të pajtoheshin, së paku për shkak sentimentit që popullsia e Deçanit e ka për kishën si objekt kishtar shqiptar dhe për shkak të tendencës së Serbisë që të përvetësojë çdo vlerë kulturore historike të krijuar në Kosovë.

Kisha duhet ta kuptoj se me këtë armiqësi që po e tregon ndaj popullatës vendëse nuk mund ta gjejë qetësinë e saj dhe nuk mund ta ruaj karakterin e saj sakral dhe biblik. Ajo, duke ndërmarrë akte armiqësie ndaj popullatës, vetëm sa e humbë, përfundimisht, respektin e dëmtuar pafund që ky popull kishte për Kishën. Ajo duhet ta kuptojë se gjeneratat e reja të të rinjve rriten pa sentimentet e gjeneratave të mëhershme lidhur me vlerën e shenjtë të këtij institucioni. Ajo duhet ta kuptojë se për gjeneratat e reja nuk e ka vlerën që kishte për ne. Me aktet e saj, për gjenerata e reja, ajo është një uzurpatore, një instrument politik serb dhe një pengesë për zhvillimin e gjithmbarshëm të rajonit.

Kleri i kësaj kishe nuk duhet të shndërrohet në instrument politik serb kundër shqiptarëve, sepse, cilido qoftë statusi i saj në të ardhmen, ajo e ka fat të ekzistojë në mes të shqiptarëve dhe me shqiptarët.

Kjo kishë duhet të fillojë me aktet e miqësisë dhe të mirëkuptimit. Duhet të kërkojë falje për të bërat e të pabërat kundër shqiptarëve gjatë njëqindvjetëshit të okupimit serb të Kosovës. Duhet të kërkojë falje për vrasjet, dhunimet, masakrat, dëmet dhe dëbimet që shteti serb, që nga viti 1912, i ka bërë kundër shqiptarëve. Duhet të distancohet nga gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit që shteti serb i ka ushtruar ndaj nesh. Duhet t’i lejojë shkencëtarët dhe hulumtuesit shqiptar dhe botërorë të kenë qasje në arkivat e saj. Duhet t’ua kthejë shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës të gjitha eksponatet arkeologjike, dorëshkrimet dhe artefaktet tjera që i ka përvetësuar e vjedhur me forcë apo me mashtrim për gati njëqind vjet dhe të cilat janë me vlerë të pakontestueshme për historinë dhe kulturën e Kosovës.

Kjo kishë mund të shndërrohet në një tempull kulti dhe objekt të perëndisë vetëm atëherë kur të pastrohet nga mëkatet ndaj popullsisë shqiptare të kryera që nga viti 1912 e deri tash nga shteti serb ngase kleri i saj ka vepruar dhe i ka realizuar direktivat politike serbe për shekuj me radhë. Do ta fitojë përsëri respektin dhe dashurinë e shqiptarëve kjo kishë vetëm atëherë kur do t’i pranojë të gjitha dhimbjet dhe tmerret që shteti serb dhe serbët ua kanë shkaktuar shqiptarëve sidomos gjatë 100 vjetëve të pushtimit.

Në të kundërtën, sido që ta ketë statusin e saj në të ardhmen, ky objekt do të mbetet në gjendjen, pamjen dhe perceptimin që e ka sot: strofull politik dhe armiqësor i shtetit serb kundër shqiptare dhe me pamjen e shëmtuar të një kampi përqendrimi nazist.

Unë ende e konsideroj Manastirin e Deçanit si vlerë kombëtare shqiptare dhe ende besoj se kleri i saj dëshiron ta shndërrojë manastirin nga një instrument politik dhe armiqësor në një tempull sakral, shpirtëror, biblik dhe humanist të cilin duhet ta ketë çdo tempull që i kushtohet zotit dhe besimit  në zot dhe të cilin ky manastir e ka humbur kaherë.

Përndryshe forma dhe arkitektura nuk janë elemente që një objekt e bëjnë të shenjt! Të shenjtë e bën veprimtaria dhe vlerat fetare dhe humaniste që e ushtrojnë njerëzit që jetojnë dhe veprojnë brenda saj.