Punëdhënësit amerikanë kanë hapur 4.8 milionë vende pune në qershor, një numër i konsiderueshëm dhe përqindja e papunësisë ra në 11.1%, ndërsa tregu i punës u përmirësua për të dytin muaj me radhë, megjithatë është ende shumë larg kompensimit të humbjeve kolosale që pësoi këtë pranverë.
Vendi ka rifituar tani afro një të tretën e 22 milionë vendeve të punës që humbi nga recesioni për shkak të pandemisë. Dhe me rritjen e numrit të rasteve në shumë shtete, shumë të dhëna lënë të kuptohet se rimëkëmbja e vedeve të punës mund të ngecë. Në shumë shtete, disa restorante, bare dhe biznese të tjera që ishin rihapur, po detyrohen të mbyllen persëri.
Rimbyllja po e mban numrin e atyre që janë humbur punën të lartë: Numri i amerikanëve që kërkuan ndihmë sociale, u ul fare pak javën e kaluar, në 1.47 milionë. Megjithëse kjo shifër është ulur çdo javë që kur arriti kulmin në fund të marsit, vazhdon të jetë më shumë se dyfishi i shifrës më të lartë që kishte arritur ndonjëherë më parë në vitin 1982. Dhe numri i përgjithshëm i atyre që marrim ndihmë sociale për papunësinë, vazhdon të mbetet i konsiderueshëm, në shifrën 19 milionë.
Kalifornia ka rimbyllur baret, kinematë dhe ambjentet e brendshme të restoranteve në pjesën më të madhe të shtetit. Edhe Florida ka rimbyllur baret dhe plazhet. Teksasi është tërhequr nga disa nga hapat për rihapjen e ekonomisë. Nju Jorku nuk po vazhdon me planet për të lejuar hapjen e ambjenteve të brendshme të restoranteve.
Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump, që përballet me një garë të vështirë politike për rizgjedhje, me ish-nënpresidentin Joe Biden, përshëndeti shifrat e qershorit.
“Punonjësit, kanë besim se do të gjejnë punë. Tregu i aksioneve po rritet jashtëzakonisht. Këto shifra, nuk do të ishin të mundura me një president tjetër”, tha ai.
“Çdo gjë po rikthehet më shpejt nga ç’do ta kishim menduar. Do të kemi një tremujor të tretë fantastik. Viti i ardhshëm do të jetë i mrekullueshëm për vendet e punës”, shtoi presidenti Trump.
“Ne nuk u tretëm dhe vendi nuk u tret”, përfundoi ai, para se të dilte nga salla, pa pranuar pyetje nga audienca.
Të dhënat e mbledhura nga JPMorgan Chase, tregojnë se konsumatorët i ulën shpenzimet javën e kaluar pasi i kishin shtuar ato vazhdimisht në fund të prillit dhe në maj. Ulja ka ndodhur si në shtetet me rritje të rasteve të COVID-19, edhe në shtete më pak të prekura, tha Jesse Edgerton, një ekonomist i firmës J.P. Morgan.
Në shkallë vendi, blerjet me karta ranë me afro 13% javën e kaluar krahasuar me një vit më herët. Kjo ishte një shifër më e dobët sesa javën e mëparshme kur krahasuar me një vit më herët blerjet me kartë kishin rënë vetëm afro 10%.
Njoftimi për punësimin që doli të enjten, mbështetet në të dhëna të mbledhura javën e dytë të qershorit, që shpjegon se pse shifrat reflektojnë një prirje pozitive. Shifrat e ngecjes së punësimit të javës së kaluar do të reflektohen në pasqyrën e korrikut, që do të bëhet publike në fillim të gushtit.
McDonald i ka pezulluar përjekjet për rihapje në gjithë vendin, ndërsa Apple thotë se do të rimbyllë 30 ose më shumë nga dyqanet e saj, përveç 47 dyqaneve që i ka rimbyllur tashmë për herë të dytë.
Ekonomistët kishin paralajmëruar prej kohësh se përfitimet ekonomike të rihapjes së bizneseve, nuk do të zgjasnin shumë nëse virusi nuk vihej nën kontroll. Deri kur amerikanët të ndjehen të sigurt që të hanë nëpër restorante, të udhëtojnë, të dalin për të bërë pazare dhe të mblidhen në grupe pa pasur frikë se do të preken nga koronavirusi, restorantet, hotelet dhe dyqanet, nuk do të kenë kërkesë të mjaftueshme për të justifikuar rimarrjen në punë të atye që i kanë pushuar.
Megjithata ka pasur disa lajme të mira javët e fundit. Prodhimi u rrit në qershor, pas tre muajsh tkurrje, tha të mërkurën Instituti për Menaxhimin e Ofertës. Kërkesa për mallra po shtohet dhe fabrikat po hapin vende pune.
Dhe kreditë me përqindje të ulëta rekord, po inkurajojnë blerjen e shtëpive, që u rrit në masë të konsiderueshme në maj.