Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) ka miratuar një rekomandim për të shfuqizuar kufizimet e përkohshme për udhëtimet jo thelbësore në BE.
Kufijtë e jashtëm të BE-së do të mund të hapen për qytetarët e 15 shteteve të ndryshme, por do të mbeten edhe për një kohë të mbyllur për qytetarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Sipas këtij vendimi, vetëm Mali i Zi dhe Serbia përfshihen në të ashtuquajturën listë pozitive. Qytetarët e këtyre vendeve mund të udhëtojnë në BE nga 1 korriku.
Të gjitha vendet e tjera të rajonit konsiderohen të pasigurta, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike të koronavirusit të ri.
Vendimi shpjegon se kriteret për heqjen e kufizimeve për vendet e treta, përfshijnë, veçanërisht, situatën epidemiologjike dhe masat e mbrojtjes.
Për të hapur kufijtë për një vend të tretë, numri i rasteve të reja COVID-19 duhet të jetë afër ose nën mesataren e BE-së, që do të thotë një maksimum 16 të infektuar për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit.
Gjithashtu në këto vende duhet të ketë “një tendencë të qëndrueshme ose në rënie të rasteve të reja gjatë kësaj periudhe në krahasim me 14 ditët e mëparshme”.
Këshilli njoftoi se kjo listë e vendeve të sigurta do të rishikohet dhe përditësohet çdo dy javë.