Ballina Ravijëzime Puna vret. Për ta shmangur ka një mënyrë – më shumë autonomi

Puna vret. Për ta shmangur ka një mënyrë – më shumë autonomi

 

“Stresi në punë vret” është një shprehje e përdorur gjerësisht, në bazën e së cilës qëndron një themel i fortë i së vërtetës. Ky është përfundimi i një studimi të fundit, i kryer nga Universiteti Northern Illinois dhe Universiteti i Indiana-s, i titulluar, jo rastësisht “This job is (literally) killing me” – “Kjo punë (fjalë për fjalë) po më vret”.

Kërkimi, i cili u publikua në fund të fazës së parë të pandemisë, një periudhë gjatë së cilës niveli i stresit te punonjësit arriti maja të larta, mori në analizë të dhëna të mbledhura në një hark kohor prej 20 vitesh, me qëllimin për të treguar se ekziston një lidhje midis gjendjes shpirtërore të njerëzve në vendin e punës dhe vdekjes së tyre. Kërkuesit zbuluan se dy rrethana specifike – punët me nivele të larta stresi dhe mundësitë e pakta që punonjësi te ketë kontroll në aktivitetin e tij – lidhen me norma më të larta të vdekshmërisë.

Në studim u analizuan të dhënat e më shumë se 3 mijë qytetarëve amerikanë, pjesa më e madhe të moshës rreth 40 vjeç në fillim të tij, të cilët u monitoruan në tri faza të ndryshme të jetës. Duke u mbështetur në këto të dhëna, studimi gjeti se personat me punët më stresuese dhe mbi të gjitha, me më pak mundësi kontrolli, kanë 43% më shumë mundësi për të vdekur se sa ata në kategori me nivele më të ulëta rreziku. Bashkautori i studimit, Erik Gonzalez-Mulé, thotë se bëhet fjalë për një “rrezik të rëndësishëm, por të moderuar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ata që kanë këtë lloj pune, po firmosin një kontratë me vdekjen”.

Punonjësit që vdiqën gjatë studimit, vdiqën për arsye të ndryshme. Megjithatë, një ndër faktorët kryesorë është depresioni – ata që vuajnë prej tij, kanë 130% gjasa më shumë të vdesin të rinj.

Njerëzit që kryejnë punë stresuese dhe me pak autonomi bien më lehtë pre e depresionit. Botime të shumta shkencore shkruajnë se stresi në punë sjell pasoja të rënda në shëndet. Zgjidhja, megjithatë, nuk është të nxisësh punonjësit të japin dorëheqjen. Gonzalez-Mulé, përgjegjës i Burimeve Njerëzore, thotë se drejtuesit duhet të bëjnë të mundur që punonjësit të ndihen më autonomë në kryerjen e detyrave, veçanërisht në punë me nivele të larta stresi.

Por, pakësimi i stresit në punë, nuk është gjithnjë i mundur – disa profesione si mjekët e urgjencës apo disa lloje ndërtimesh, janë mjaft stresuese. Pikërisht për këtë – shkruajnë autorët e kërkimit – duhet të veprohet në spektrin e autonomisë.

Një opsion i cili u përhap shumë në periudhën e pandemisë është i ashtuquajturi smart working, d.m.th. t’u japësh mundësi njerëzve të vendosin se ku të punojnë, – nuk ka rëndësi nëse është në shtëpi, në ndonjë bar apo vende të tjera që nuk është zyra – mund të ketë efekte pozotive. Por ka edhe rrugë të tjera për të rritur autonominë e punonjësve.

“Nëse e lejoni stafin të zgjedhin se çfarë të bëjnë lidhet me nivele më të larta të spektrit të autonomisë; t’u japësh mundësinë që të zgjedhin vetë punët me më shumë përparësi dhe të përballen me detyrat që i gjykojnë më të përshtatshme është një formë autonomie, që lidhet me nivele më të ulëta stresi”. Kjo mund të bëjë një diferencë të madhe në mirëqenie.

“E dimë prej kohësh se në përgjithësi, njerëzit duan që t’u jepet autonomi. Përtej efekteve pozitive në shëndet, punonjësit kanë tendencë të jenë më të kënaqur dhe produktivë në punë” – shpjegon Gonzalez-Mulè.

“Është një nevojë e qenieve njerëzore të dinë se mund të veprojnë sipas vullnetit të tyre dhe jo vetëm mbi bazën e urdhrave të dikujt tjetër”. Sipas hulumtimit, pikërisht deficitet konjitive në punë, së bashku me nivelin e lartë të stresit, lidhen me vdekshmërinë më të lartë. Në anën tjetër, njerëzit që kryejnë punë, ku niveli i stresit është i madh, por me më tepër autonomi, kishin më shumë mundësi të mbijetonin dhe të ishin të shëndetshëm. Autonomia, sipas studimit, u jep mundësinë punonjësve të jetojnë jetën në një mënyrë më të thjeshtë e të kënaqshme, duke gjetur kohë për të bërë sport, aktivitete në ajër të pastër, apo të çlodhen, dhe duke respektuar ndërkohë afatet në punë.

Burimi: Business Insider