Ballina Ravijëzime COVID-19 kërcënon suksesin e Europës në luftën kundër pabarazisë

COVID-19 kërcënon suksesin e Europës në luftën kundër pabarazisë

 

Vetëm vendet më të pasura mund të bëjnë diçka

Sezoni i karnavaleve në Holandën e Jugut është një spektakël njëjavor që përfaqëson çmendurinë rabelesiane. Më 28 shkurt, Leon Elsjan nga Wipper, një teknik i pavarur i tingullit, po drejtonte sistemin zanor në festën e karnavaleve në qytetin Uden, duke vështruar njerëzit gazmorë të veshur me kostume, që konsumonin sasi të mëdha birre.

Ky do të ishte koncerti i tij i fundit për disa kohë. Karnavalet e këtij viti ishin evente që e përhapën në masë Covid-19 në Holandë. Në Uden, numri i vdekjeve rivalizoi atë të veriut të Italisë, dhe qeveria i anuloi të gjitha festivalet publike deri në shtator, shkruan The Economist.

Zoti Elsjan nga Wipper nuk është sëmurë, por si një profesionist i pavarur, ai është i cenueshëm në një mënyrë tjetër. Për të përballuar pasojat ekonomike të Covid-19, Holanda prezantoi një program për mbështetjen e pagave, të ngjashëm me sistemin Kurzarbeit të Gjermanisë. Shteti paguan 90% të pagave të punëtorëve në kompanitë që janë goditur më fort nga kriza. Por punëtorët e vetëpunësuar (12.5% e fuqisë punëtore) nuk janë të mbuluar nga programi.

Për ta, qeveria krijoi një program të dobët. Zoti Elsjan nga Wipper merr maksimumi: 1,050 € (1,170 $) në muaj.
Për dekada të tëra, shtetet e lakmuara të mirëqenies sociale në Europë, e kanë mbajtur pabarazinë në një nivel relativisht të ulët. Recesioni nga Covid-19 e kërcënon atë sukses në tre mënyra. Së pari, godet shumë më tepër punëtorët me pagë të ulët sesa ata me pagë të lartë.

Së dyti, bllokimet krijojnë forma të reja pabarazie. Disa sektorë qëndrojnë të hapur, ndërsa të tjerë mbyllen, dhe disa njerëz mund të punojnë nga shtëpia, ndërsa të tjerë nuk munden. Së treti, ashpërsia e rënies ekonomike ka nxjerrë në pah vrima në sistemet e mirëqenies në Europë. Disa vende po i mbulojnë ato, por të tjerë po hasin probleme.

Matja me shifra e pabarazisë është e vështirë, por është e dukshme se Europa është relativisht egalitare. Një njësi matëse është koeficienti Gini, që varion nga zero (barazi e plotë) në një (pabarazi e plotë). Për të ardhurat pas taksave dhe transferimeve në vitin 2017 (viti më i fundit i disponueshëm për krahasim), koeficienti Gini i BE-së ishte rreth 0.30. Në Amerikë ishte 0.39, ndërsa në vendet e Azisë Lindore si Japonia dhe Koreja e Jugut, ishte midis këtyre dy shifrave.

Ndërsa për të ardhurat para taksave dhe transferimeve, pamja është ndryshe: mbi këtë bazë, për shembull, Gini i Gjermanisë, është afërsisht i njëjtë me atë të Amerikës. Sistemet e taksave në Europë nuk janë veçanërisht progresive, kështu që prej kohësh ekonomistët kanë menduar se suksesi i madh i Europës në luftimin e pabarazisë qëndron në programet e mëdha të transferimit.

Por studiuesit në Laboratorin e Pabarazisë Botërore (WIL), një projekt akademik, argumentojnë se ky mendim është i gabuar. Transfertat europiane duken kaq bujare pjesërisht për arsye se pensionet europiane janë kryesisht publike, ndërsa në vendet e tjera ato janë kryesisht private. Nëse pensionet do të trajtoheshin si të ardhura të fituara, atëherë madhësia e shteteve të mirëqenies sociale europiane do të zvogëlohej – megjithatë hendeku i pabarazisë transatlantike mbetet.

Analistë të tjerë i hedhin poshtë të dhënat e WIL, veçanërisht për Amerikën. Por sipas laboratorit, në vitin 1980, pjesa e të ardhurave të gjysmës së popullsisë me pagë më të ulët dhe 1 përqindëshit me fitime më të larta, ishte e ngjashme në Amerikë dhe Europë. Deri në vitin 2017, kjo ndryshoi në Amerikë, ndërsa në Europë gjysma me të ardhura më të ulëta ende fitonte më shumë.

“Modeli social europian është më së shumti efektiv falë ‘para-shpërndarjes’: investimeve në arsim, në kujdesin shëndetësor universal dhe rregulloret e tregjeve të punës që kompresojnë shkallën e pagave”, argumenton Lucas Chancel nga WIL. Në shumë vende, sindikatat bëjnë grevë pagash që mbulojnë sektorë të tërë të ekonomisë. Nordikët janë më të barabartët. Vendet e Europës Perëndimore si Franca, dhe ato jugore si Italia, mbështeten më tepër në rishpërndarje. Europa Lindore bën pak parashpërndarje ose rishpërndarje dhe nivelet e pabarazisë së saj janë më të larta.

Pabarazia po rritej edhe para Covid

Në disa vende, pabarazia po rritej edhe para Covid-19, pjesërisht për shkak se rregulloret e punës janë liberalizuar. Në Gjermani, pjesa e të ardhurave të një së dhjetës më të pasur të popullsisë dhe gjysmës me paga më të ulëta ishin të barabarta në kohën kur u zbatuan reformat e punës në vitin 2004; ndërsa në vitin 2017, pakica e pasur fitonte më tepër. Vende të tjera, si Holanda dhe Italia, kishin një rritje të numrit të punëtorëve me kohë të pjesshme ose të pavarur, të cilët kanë më pak mbrojtje dhe përfitime.

Covid-19 i ka bërë edhe më të dukshme pabarazi të tilla. Qeveria e Spanjës kuptoi se nuk kishte asnjë mekanizëm për të mbështetur të ardhurat e pjesës së madhe të popullsisë që punon në mënyrë joformale. Kjo e nxiti qeverinë me udhëheqje socialiste të paraqiste një ligj që garantonte të ardhurat minimale, i cili u lëshua si dekret javën e kaluar. Në Itali, punëtorët në sektorin e madh informal të vendit mund të kenë vështirësi për të përfituar nga masat urgjente ndihmëse kundër Covid-19.

Banka qendrore e Italisë mendon se koeficienti Gini i vendit u rrit nga 0.35 në 0.37 në tremujorin e parë. Kjo ndodhi pjesërisht për shkak të karantinës. Ky problem me siguri do të jetë përkeqësuar në tremujorin e dytë, teksa masat bllokuese vazhduan.

Në kuintilin me të ardhurat më të larta, vetëm rreth gjysma e të punësuarve kryenin profesione që ishin të vështira për t’u ndjekur nga shtëpia; ndërsa për kuintilin me të ardhura më të ulëta, kjo shifër ishte pothuajse 90%. Pabarazitë e tjera janë ato gjeografike. “Italia e Jugut ka regjistruar shumë pak vdekje nga Covid-19, por për shkak se mbështetet në turizëm, ajo po goditet shumë më tepër”, thotë Carlo Bastasin, një ekonomist në universitetin LUISS në Romë.

Tre të katërtat e pabarazisë së të ardhurave në Europë, e matur në një nivel kontinental, është shkaktuar nga ndryshimet brenda vendeve individuale. Hendeku midis Sicilisë së varfër dhe Milanos së pasur është më i rëndësishëm se ai mes Milanos dhe Parisit. Por kjo mund të ndryshojë. Recesioni nga Covid-19 po hap një ndarje midis vendeve, të cilat kanë aftësinë fiskale për të frenuar pabarazinë dhe atyre që nuk e kanë – sidomos në Europën Qendrore dhe Lindore.

Ndërhyrja e qeverisë në Gjermani ka arritur në gati 10% të PBB-së. Italia dhe Spanja, të shtrënguara nga borxhi, kanë bërë shumë më pak. Hungaria thuajse nuk i ka rritur fare shpenzimet; Polonia e ka bërë këtë kryesisht për të mbështetur kompanitë, dhe jo për të subvencionuar punëtorët ose të papunët.

Vitet e fundit, disa ekonomistë kanë argumentuar se luftërat dhe pandemitë mund të ulin pabarazinë, duke shkatërruar pasurinë e të pasurve dhe duke krijuar mundësi për popullsinë e gjerë. Në një studim muajin e kaluar, ekonomistët e FMN-së zbuluan se ky parim nuk vlente për epidemitë: ato më të mëdhatë e shekullit të kaluar vetëm sa rritën edhe më tepër pabarazinë. Zoti Elsjan nga Wipper nuk mendon se industria e tij do të rimëkëmbet: “Kur bisedoj me të rinj, u them që të mendojnë për një karrierë tjetër”.