Ballina Kosova THIRRJE PËR REFORMA NË LDK (2) ISA MUSTAFA DUHET TË PËRJASHTOHET NGA...

THIRRJE PËR REFORMA NË LDK (2) ISA MUSTAFA DUHET TË PËRJASHTOHET NGA LDK-ja – Nga Shefqet Dibrani

 

(Strukturat politike në LDK nuk duhet të heshtin!)

Nëse dikush meriton, jo vetëm për ta shkarkuar nga posti i kryetarit, por edhe për ta përjashtuar nga LDK-ja, ai person është Isa Mustafa, sepse është fatkeqësia e LDK-së. Zhvillimet e fundit na bëjnë të dyshojmë se ai është kanceri i Kosovës.

20 qershor 2020, Isa Mustafa, në mënyrë staliniste shkarkoi Nënkryetaren e LDK-së. Ai edhe kësaj radhe keqpërdori Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, tamam si dikur Staliniqë përdorte Byronë Politike, për t’i eliminuar kundërshtarët e vet. Po ashtu edhe Isa Mustafa eliminoi figurën qendrore të LDK-së, zonjën që ia siguroi mbi 160 mijë vota, dhe me këtë Ajo, ia zgjati jetën politike kësaj monstre të keqe që po ia sheh sherrin Kosova. Isa Mustafa, siç din ai, improvizoi një votim, siç u tha Online, për tu tallur pastaj me strukturat e LDK-së. Ai u tall me dinjitetin e një brezi që s’ka faj pse kryetar kanë një teknokrat të papërgjegjshëm. Ai u tall me një gjeneratë e cila është shpresa e këtij vendi, ardhmëria e Kosovës. Mjafton të analizohet raporti qesharak nga ai votim në të cilin thuhet se: “Për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”.

Të mos harrojmë se kjo deklaratë e Isa Mustafës, duhet të kualifikohet në vepër penale për mashtrim, pasi nocioni “lirim nga një funksion politik?!”, ka të bëjë vetëm nëse zonja Osmani ka kërkuar të mos ushtrojë postin e nënkryetares dhe të mos jetë më në strukturat e LDK-së, e kundërta, përkatësisht ashtu si ka vepruar Isa Mustafa, është një eliminim klasik dhe një linçim i tipit stalinist, së këndejmi vepër penale pse mashtroi KP të LDK-së dhe opinionin e gjerë. Madje duhet të hetohen edhe shpifjet që i kanë paraprirë këtij linçimi, pasi duket të jenë skenar i para-planifikuar i Isa Mustafës. Ai ka përvojë nga sistemi i kaluar.

Tashmë nga ky pozicionim më i qartësuar, le të gjykojnë strukturat e Partisë, po sidomos anëtarët e KP te LDK-së, qysh paska manipuluar me dinjitetin e tyre Isa Mustafa, dhe nëse kjo vërtetohet do të dalin në pah edhe pazare të tjera politike në dëm të Kosovës, të cilat falë Gjykata Speciale u evituan?! Prandaj ky apel miqësor, le të kuptohet drejt nga strukturat e LDK-së dhe anëtarët e KP të LDK-së se ka ardhur koha për tu ndarë shapi nga sheqeri, pasi Isa Mustafa, Agim Veliu dhe Avdullah Hoti, tashmë dihet se janë e keqja e Kosovës brenda LDK-së. Ne shtrojmë pyetjen, jo aq publike sa për strukturat e LDK-së, për të reflektuar se si ka mundësi tashti t’i thonë Amerikës JO, bash ata që deri dje gojën e kishin plot Amerikë?! Pra janë ata që shkarkuan Qeverinë në kohë pandemie ku ishin edhe vet, janë ata që hoqën reciprocitetin, janë ata që kanë vënë në lojë sovranitetin e Kosovës, dhe janë ata që në mënyrë staliniste eliminuan Nënkryetaren e LDK-së. Të mos gjykohet, por të kuptohet se Kryeministri Avdullah Hoti është kartë e djegur në duart e Isa Mustafës, kurse ky i fundit është kartë e djegur për ortakun e tij, me të cilin nuk duhet të merret LDK-ja.

Veprimtaria antikombëtare e Isa Mustafës është e njohur qe 50 vjet. Ai linçon secilin duke përdorur edhe shpifjen, rrenën dhe sajesën, të cilën edhe autori i këtij shkrimi e ka provuar në lëkurën e tij. Denoncimet e kësaj natyre janë të pashembullta për demokracinë e brendshme në LDK, ndërsa shkarkimi-eliminimi i Vjosa Osmanit është i tipit stalinist, metodologji tipike komuniste për të deklasuar të padëgjueshmit. Kështu nuk ka vepruar asnjëherë dr. Ibrahim Rugova, pse duhet të tolerohet Isa Mustafa?!

Kush e mbështeti, kush e inspiroi, dhe kush i jep vetës të drejtën për ta deklasuar një grua më të guximshme se krejt burrat e LDK-së?! Prandaj ju bëjë thirrje strukturave të LDK-së, t’i lënë egot personale, e të mos heshtin, ndërsa strukturat e KP të LDK-së, tashmë është mirë të kërkojnë llogari publike nga Isa Mustafa, për ta bërë listën publike, pasi ne goxha jemi të sigurt se pjesa dërmuese e tyre nuk kanë votuar për eliminimin stalinist të Vjosa Osmanit, sepse ata nuk duan të jenë pjesë e kalkulimeve dhe e shantazhit të Isa Mustafës. E përsërisë se lista e votuesve “për” dhe “kundër” duhet të bëhet publike për të parë anëtarësia dhe veprimtarët e Degëve se si manipulon me të gjithë Isa Mustafa, në të kundërtën manipulimi me dinjitetin e strukturave të LDK-së po vetëkuptohet.

Mjaftë shqetësuese, madje e dhembshme është e dhëna se burra dy metra të gjatë dhe alamet akademikësh mozaikun e tyre po e plotësojnë me deklarime antidemokratike, për t’ia bërë qefin shefit të tyre. Prandaj dua për t’i sugjeruar akademikët e LDK-së, për të hulumtuar se si veprojnë kolegët e tyre në Partitë Popullore Evropiane, përkatësisht sa prej tyre ngarendin për tu bërë deputet?! Titulli profesor universitar dhe titulli i akademikut në vendet Evropiane, janë vlera që nuk zbriten e as barazohen me pozitën e një deputeti. Kjo mund të ndodhë vetëm në Kosovë, veçanërisht kur alamet profesori e figura publike bëjnë diferencime ideopolitike alla Isa Mustafa, në kohën kur edhe vet ata e dinë se ai është bërë Kryetar i LDK-së pa qenë anëtar i saj!

Shkarkimi i Vjosa Osmanit a nuk duket të jetë veprim i Kolonës së Pestë në LDK?

A e din akademiku i historisë, se historia e Isa Mustafës është e mbuluar me veprime mashtruese qysh nga vitet e shtatëdhjeta, fillimisht kundër politikanit komunist Mahmut Bakalli, kurse avazi i mashtrimit do të vazhdoj deri më sot, ndaj të gjithëve dhe kundër të gjithëve. Pastaj le të flas akademiku se cili ishte roli i I.M., gjatë viteve të tetëdhjeta, çfarë qëndrime kishte në ndryshimet kushtetuese, sa ishte transparent në “Fondin e 3%”, “Huan Popullore”, “Dardania Bankë”, e gjer tek titulli “Dr.” te kushëriri i tij?!

E pyes publikisht akademikun e LDK-së, nëse kanë mjaftuar vetëm “Fletoret shkencore” të I.M., të botuara në firmën private “RIINVEST”, për tu bërë ai akademik?! E të mos flasim për urrejtjen e pashembullt që kishte kundër LDK-së, dhe dr. Ibrahim Rugovës. Askush nuk mund ta rehabilitoj I.M. për bllokimin e mjeteve financiare kundër dr. Ibrahim Rugovës, kundër Presidencës, kundër Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), kundër Kryesisë së LDK-së në Prishtinë etj. Pastaj janë sabotazhet që ia kanë bërë Luftës, janë mashtrimet që ua ka bërë strukturave të Eprorëve Ushtarak të Karrierës, e kështu me radhë.

Pra si të donë le ta lajë me sapun Rrusta e le t’ia kruaj zhugën edhe dr. Naseri, se nuk do të kenë mundësi për ta rehabilituar dhe as për t’ia shëruar kurrë zgjeben komuniste. Pra si të duan dhe kush të duan, mund të hapin debat, madje le ta ftojmë edhe një prokuror, pse jo edhe ata nga Gjykata Speciale, dhe vërtetë le të shihet kush po gënjen, dhe kush qenka më serbofil?! Ne që jemi veteran dhe strukturë themeluese e LDK-së e që nuk kemi tradhtuar kurrë, bashkë me një gjeneratë e pastër dhe e padjallëzuar, apo strukturat e rryera dhe të urryera të sistemit komunist jugosllav, madje bashkë me bijtë e udbashëve që tashmë po na flisni për Rugovizëm dhe në emër të LDK-së. Po dëshiruat mundeni t’i merrni me vete edhe daullet e shqyera, (siç i cilësoi një patriot nga Drenica – tupanxhinjtë), se nuk do t’u bëjnë punë, pasi ne e dimë se ju me mashtrime dhe dallavere, madje edhe në emër të viktimave (vrasjeve politike), i keni fituar zgjedhjet lokale e parlamentare. Ju vazhdimisht keni premtuar se do t’i zbuloni vrasësit, por nuk e bëtë kurrë?! Pse kështu?

Ndoshta është kjo një arsye apo metodologji staliniste për t’i shantazhuar familjarët dhe fëmijët e tyre, për t’na mbyllur gojën neve miqve dhe veprimtarëve, për të heshtur e për të mos kërkuar llogari nga Ju, për baballarët e tyre të vrarë, në rrethana të pasqaruara, e ju heshtët dhe po heshtni?! Por heshtja juaj ka nxitur dyshimin tonë, në implikimin ose pazare të tjera edhe më të pista?! E ne besojmë se drejtësia do të veproj, vetëm duhet ta keni durim se ju vjen radha edhe juve. A nuk po merrni vesh se aleancat komuniste i ka shkatërruar demokracia amerikane, sikurse që Amerika po i shpërbën edhe sot në Kosovën tonë klanet tuaja. Pra as juve nuk do tu hynë në punë milionat e gllabëruar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe as brohoritmat “Rrnoftë Amerika”, se tashmë edhe Amerikanet e kanë kuptuar se ju jeni Kolonë e Pestë në LDK. Vetëm ju duhet ca durim se as neve nuk do t’na mashtroni më tej se qenkeni miq të Amerikës, andaj iu bëjmë thirrje publike të mos luani me fatin e Kosovës.

Isa Mustafa, dhe një klan rreth tij, i manipuloi zgjedhjet e KP të LDK-së, në të cilën alamet burra, alamet intelektual dhe alamet akademikësh, si lukuni qenkan bërë bashkë jo për ta “liruar” siç manipulohet, por për ta eliminuar nga të gjitha funksionet në LDK, një grua, një intelektuale, e cila më në fund, edhe ajo i paska parë mashtrimet, dhe pazaret e I.M. për t’ia shpëtuar lëkuren “Kryetarit të vërtetë të LDK-së?!”, të cilin tashmë edhe amerikanët e braktisën, Bashkimi Evropianpo se po, por shtrohet pyetja ku do të mbetet lëkura e Isa Mustafës, veçmas atëherë kur të kuptojnë edhe zyrtaret në EPP, se çfarë manipulimi “demokratik”, paska bërë I.M. edhe me ta?! Po ku do të mbetet lëkura e I.M., kur të kuptojnë edhe Amerikanët se struktura të caktuara në LDK, për vite të tëra kanë përgatitur dosje, kanë shpërndarë informacione të falsifikuara?!

Çuditërisht strukturat e LDK-së bashkë me kryetaret e Degëve dhe anëtarët e KP të LDK-së po heshtin?! Ata nuk kanë arsye të ndjehen keq për tradhtinë e radhës që ua ka bërë Isa Mustafa, të gjithë nuk janë me faj, prandaj faji mbi ta do të rëndojë nëse edhe më tej heshtin, nëse edhe më tej nuk veprojnë. Tashmë është momenti kur zëri i demokracisë së brendshme në LDK duhet të oshtijë, të kërkohen përgjegjësi dhe reforma si dhe të bëhet përjashtimi i Isa Mustafës nga LDK-ja. Pra është momenti i fundit për të reaguar, nëse e duan LDK-në dhe Kosovën, pasi krizën e Kosovës e ka parapërgatitur vet Isa Mustafa me bash ortakët e tij me të cilët tashmë po merren Amerikanët dhe Bashkimi Evropian!

St. Gallen, 26.06.2020.

Shefqet Dibrani / Shkrimtar
dhe aktivist i LDK-së që nga themelimi i saj.