Ballina Aktualitet BE nuk hapet më 1 Korrik

BE nuk hapet më 1 Korrik

 

Kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian mund të mbeten të mbyllur për Shqipërinë dhe vendet Ballkanit Perëndimor, edhe pas datës 1 Korrik, pas rritjes së numrit të infeksioneve të reja me Covid-19.

Kjo ka bërë që disa shtete të BE-së të kërkojnë në Bruksel që të vihet në pikëpyetje heqja e kufizimeve për hyrjen në BE të shtetasve të vendeve të rajonit tonë.

Edhe shtypi grek ka ngritur alarmin për mos lejimin e shtetasve shqiptarë në fillim të Korrikut, pasi rastet me koronavirus në vendin tonë u shtuan ndjeshëm ditët e fundit.

Zëdhënësi për Çështje të Emigrimit në Komisionin Evropian, Adalbert Jahnz, ka thënë se u takon vendeve anëtare të vendosin për heqjen apo jo të kufizimeve për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Rekomandimi për datën 1 Korrik nuk ishte vetëm për shkak të situatës epidemiologjike, por edhe për shkak të raporteve të BE-së me atë rajon. Sa i përket situatës me Covid-19, ne jemi duke e ndjekur me shumë kujdes. Diskutimet në Këshill janë në vazhdim e sipër dhe në ato diskutime merret parasysh edhe situata aktuale epidemiologjike”.

Disa vende anëtare të BE-së si Sllovenia tashmë janë duke i rritur masat për kufizimin e hyrjes së shtetasve nga vendet e Ballkanit Perëndimor.