Ballina Kulturë MENDJEMPREHTI (Kushtuar Prof. Dr. Simë Dobrecit ) – Nga Neki Lulaj

MENDJEMPREHTI (Kushtuar Prof. Dr. Simë Dobrecit ) – Nga Neki Lulaj

 

Ishe dhe do ngelesh dritë e pasosur
Në Panteonin tonë kombëtar
Me rrënjë të thella urtësije stamposur.
Në Shestan, Ulqin dhe tej, në Ulpianë

Dikur e dhe para Kosovës “Betimin e Hipokratit“
E mbeti kurdoherë fjala jote urë mirësije.
Puna jote e vyer i ngjan majës më të lartë të malit
Fjala për ty shkulmon në shkolla si det pavdekësie.

Hej, mos u shoftë kujtimi i mallit Simë Dobreci
Mbete bash gjerdan i pashtjerrur i shqiptarisë
Një copë jetë e le në Dardani brez pas brezi
Një copë tjetër e le në Shestan dhe Ulqin.

Kurrë s`do t`na shterrojnë krojet e mallit
E dielli i prushtë qënka sot si furrë qershori
Ngjitet si re mbi Pinjesh si burrat majë malit.
E Ti jeton sërish me Biblën e heshtjes në dorë.

Në rrënjët e ullinjve more bekimin e shenjtëruar
Atje buzë liqenit të Shkodrës ku nimfat lahen.
E hëna nusërore ta puth ballin e fisnikëruar.
Duke mbajtur fort strajcën ku shihen ngjyra Parajse

Tehu i dhimbjes buzëqeshjen për besë ma ka ngrirë
Por qëndro krenar në kujtesë e në amëshim.
Se ti ia ngrite vetes shtatorën e pavdekësisë.
Ngelur thellë nëpër brezat që në këtë tokë vijnë.

Speyer 20 qershor 2020

Poeti Neki Lulaj dhe Prof Dr. Simë Dobreci