Ballina Aktualitet Mali i Zi mbyll kufirin me Shqipërinë

Mali i Zi mbyll kufirin me Shqipërinë

 

Autoritetet malazeze vendosën këtë të shtunë për ri-mbylljen e kufirit tokësor me Shqipërinë për shkak të përkeqësimit të situatës me Covid – 19.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria jonë e Punëve të Jashtme ku sqarohet se vendimi i vendit fqinj u bazua tek numri aktiv i të të infektuarve, që në Shqipëri e kalon limitin prej 700 personash.

Nga mesnata e te shtunës, në territorin e Malit të Zi lejohet hyrja transit vetëm për ata shtetas që do të paraqesin në kufi dokumentin e testit të bërë brenda 48 orëve, ku rezultojnë negativë.

Po ashtu nga ky kufizim përjashtohen udhëtarët që janë personel shëndetësor, diplomatët, ushtarakët, personat që kryejnë transportin e mallrave dhe ata që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Autoritetet malazeze vendosën të rishikojnë listën e vendeve që mund të futen në territorin e tyre, pas dyshimeve se virusi u importua sërish nga jashtë, ndërkohë prej 30 ditësh shënonin 0 raste.

Ky regjim i ri është i vlefshëm deri në një vendim të dytë nga Njësia Operacionale e Krizës në Mal të Zi dhe vlen gjithashtu për shtetasit nga Kosova, Bosnja, Italia, Izraeli, Turqia, Polonia, Rumania dhe Ukrahina.