Në Uashington, një restorant në zemër të qytetit pati mjaft sukses për menynë e tij të perimeve, por pandemia përmbysi gjithçka. Tani, restoranti e ka të vështirë të mbajë punonjësit dhe të vazhdojë misionin e tij për të ofruar ushqime të mira për shëndetin.
Kur vizituam për herë të fundit restorantin Fare Well në Uashington në shkurt, biznesi po lulëzonte.
“Kemi një grup të rregullt klientësh që vijnë shpesh për të ngrënë dhe pa këtë bazë klientësh ne nuk do të ishim këtu. Kështu që unë jam jashtëzakonisht mirënjohëse për njerëzit që e ndihmojnë restorantin tonë të ekzistojë.”
Pronarja e restorantit, Doron Petersan, një eksperte ushqimit, e ka pasion prezantimin e produkteve pa mish tek klientët e saj në rritje…gjithçka, nga hamburgerët me bazë bimore, deri tek pastat me përmbatje bimore.
Por, masat kufizuese ndryshuan gjithçka.
“Më 16 mars ne filluam të pakësonim shërbimet dhe numrin e tavolinave bazuar në atë që po ndodhte. Ne menduam se kjo situatë do të kalonte për dy javë.”
Më shumë se dy muaj më vonë, zonja Petersan, pronare e dy restoranteve, po përpiqet të mbijetojë.
“Nuk do t’i quaja restorantet e mia fitimprurëse, nuk ka fitime.”
Zonja Petersan pushoi nga puna një të tretën e punonjësve, mori një hua të dytë, dhe vonoi pagesat e qirasë.
Porositë me telefonë dhe në internet, që dikur përbënin më pak se 15 për qind të biznesit, tani janë pjesa e vetme e biznesit.
“Ne kemi shitje të mjaftueshme ditore sa për të paguar për përbërësit e ushqimit dhe për pagat e punonjësve aktualë.”
Ajo do të dëshironte të kishte udhëzime më të qarta nga qyteti dhe qeveria federale mbi mënyrën se mund të marrë ndihmë financiare. Por, megjithëse kjo ka qenë një përvojë traumatike, zonja Petersan thotë se dështimi nuk ka qenë kurrë një alternativë për atë.
“Të them të drejtën, dështimi për mua nënkupton humbjen e shtëpisë sime dhe 50 njerëz pa punë”.
Zonja Petersan thotë se mjedisi i biznesit ka ndryshuar përgjithmonë. Por ajo shpreson që ndryshimet e shkaktuara nga pandemia do të kthejnë më shumë vëmendjen tek shëndeti dhe mirëqenia e komuniteteve, punëtorëve dhe më pak tek niveli i fitimeve.