Ballina Kulturë Hajdin Morina: POEZI E DRAMATIZMIT SHPIRTËROR TË NJË HEROI LIRIK (Recension për...

Hajdin Morina: POEZI E DRAMATIZMIT SHPIRTËROR TË NJË HEROI LIRIK (Recension për vëllimin poetik “Lëkundje lavjerrësish”, 2020, të autorit Mehdi Krasniqi)

 

Vëllimi poetik “Lëkundje lavjerrësish” i poetit Mehdi Krasniqi që në takimin e parë me të, që në leximin e parë dhe në përpjekjet e para që si lexues dhe si vrojtues i kësaj poezie të përsiatësh rreth saj dhe rreth heroit lirik, të cyt të mendosh për rolin e shkrimtarit në shoqëri dhe për raportet e tij me të si dhe të cyt të mendosh më shumë për natyrën e artit letrar duke pasur parasysh realizime të ndryshme poetike dhe duke krahasuar autorë dhe vepra të artit poetik të formave, të zhanreve dhe të kohëve të ndryshme. Vëllimi të nxit të japësh në një dialog me vetveten një vlerësim tëndin qytetar e intelektual për gjendjen e vlerave në shoqëri, për sistemin e vlerave që instalohet dhe për sistemin e vlerave që ka sfiduar shekujt, pushtimet, sistemet shoqërore e politike, por, përgjithësisht, jo vetëm në ambientin ku jeton heroi lirik i Krasniqit, nuk respektohet dhe nuk promovohet në masën çfarë duhet ose shkelet me qëllim ky sistem vlerash morale, qytetare e historike, por edhe kombëtare, sepse raportet e heroit lirik me realitetin neve si lexues na japin idenë, perceptimin dhe ndjesinë e tillë. Konteksti kohor dhe hapësinor brenda të cilit shkelen, mohohen e nëpërkëmbën disa ngjarje dhe vlera morale e kombëtare na kujton edhe konstatimin argumentues të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili shkruan se “antishqiptarizmi sot është profesion fitimprurës”, duke analizuar situata të përditshmërisë, ku nga intelektualë, gazetarë e personalitete fushash të ndryshme mohohen ngjarje, vepra e vlera kombëtare si Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Shën Nënë Tereza etj.

Prej mijëra vjetëve të ekzistimit të bashkëjetesës me njerëzit dhe me lexuesit e saj, poezia ishte dhe mbetet zëdhënësja më besnike e shpirtit njerëzor, aleatja më e fuqishme që i duhej shpirtit ose personazhit lirik për të evidentuar përjetësisht gjendje, situata, tragjedi dhe vizione që pastaj të lexohen dhe të përjetohen nëpërmjet vargjeve nga miliona lexues të gjuhëve të ndryshme, të cilët doemos përmes këtij leximi formuan dhe formojnë qëndrimet e veta, antipatinë dhe urrejtjen për ngjarje, luftëra e personalitete që shkaktuan drama dhe tragjedi njerëzore ose simpatinë dhe dhembjen për të gjithë ata të tjerët që iu kundërvunë me fuqinë fizike dhe shpirtërore dhunës dhe luftës që kishte për qëllim dëmtimin ose shfarosjen e njerëzve në kohë dhe pika të ndryshme të globit tokësor. Edhe në poezinë shqiptare, si pjesë përbërëse dhe e pandashme e poezisë evropiane dhe asaj botërore që në fillimet e veta janë konstatuar gjendje të tilla dhe fryma historike e kohës si frymë ose frymëzënie e pushtimit dhe frymë e luftës për çlirim kombëtar e njerëzor nga shtypës të shumtë, të ndryshëm dhe të pamëshirshëm, prandaj thuhet në mendimin teoriko-letrar se letërsia shqipe, sidomos poezia si komponent i rëndësishëm i saj është art i rezistencës dhe i vitalitetit krijues e luftarak të popullit tonë që ka sfiduar shekujt e pushtimit qoftë edhe duke u rrudhur dhe ngushtuar në hapësirat e veta, por pa humbur shpresën dhe vizionin për një jetesë edhe më të mirë.

Një reflektim artistik, ndikuar dhe frymëzuar nga përvojat jetësore, historike dhe letrare të asaj që u theksua më lart, përpunuar me kujdes në laboratorin krijues, me një përkushtim e durim ndaj gjetjes së sintagmave estetike dhe me një maturi të qëndrimit të autorit ndaj sistemit të përgjithshëm të vlerave kombëtare, qytetare, por edhe letrare, pra një përqasje të ngjarjeve, vragëve të kohëve dhe të shpirtit njerëzor lexuesi shfleton dhe përjeton nga leximi i poezive të bëra bashkë në vëllimin artistik “Lëkundje lavjerrësish” të poetit, shkrimtarit dhe publicistit Mehdi Krasniqi i cili letërsisë i qaset në mënyrë mjaft parimore, duke pasur parasysh kurdoherë përgjegjësinë estetike dhe, mbështetur në këtë konceptim, gjakimin që me lexuesin të komunikojë lirshëm dhe për një kohë të gjatë, i bindur se në këtë drejtim duhet punë, përkushtim dhe durim i veçantë krijues, lexim aktiv i realizimeve me vlerë nga poezia shqipe dhe ajo botërore dhe ndërtimi i  individualitetit dhe stilit që të dallon nga të tjerët.

Nëse e konceptojmë poezinë e këtij vëllimi poetik të Krasniqit në përqasje me vlerat e tjera letrare dhe me zhvillimet e prirjet e sotme të poezisë sonë, mund të konstatohet se kjo përmbledhje poetike është strehë e vlerave dhe e koncepteve të pandryshueshme siç janë: familja, atdheu, liria, dashuria, morali, dinjiteti, ndërgjegjja njerëzore dhe komponentë të tjerë të pandashëm të këtij sistemi vlerash jo vetëm në hapësirat ku vepron personazhi lirik, por edhe më gjerë. Lexuesi aktiv që në fillim të shfletimit të këtij vëllimi poetik vëren tematikën, frymëzimin, përkushtimin dhe qasjen e autorit për të ndërtuar komunikim të drejtë dhe të sinqertë me të gjithë ata që lexojnë dhe do të lexojnë vargun e tij, sepse ky lexues gjatë shfletimit dhe leximit të veprës jo rrallë gjen edhe gjendje të veta shpirtërore aty, përjetime, shpresa, mbresa e vizione të personalitetit të vet, prandaj kështu krijohet për lexuesin një motiv më shumë për t’i shkuar deri në fund leximit të këtij vëllimi poetik.

Kur lexojmë, sidomos kur analizojmë poezinë e këtij vëllimi poetik të autorit Mehdi Krasniqi, na tërheq vëmendjen koncepti i poezisë së angazhuar ose avangarde, sipas kuptimit të mirë të këtij koncepti dhe sipas nivelit të mirë artistik të këtij zhanri letrar që është kultivuar mjaft në shekullin nëntëmbëdhjetë, njëzet, por edhe tash, në letërsinë tonë dhe në letërsi të tjera të Europës dhe botës. Letërsia dhe poezia e autorit Mehdi Krasniqi qëndron mirë në këtë drejtim, sepse me të vërtetë është letërsi dhe poezi e angazhuar me temat e përditshmërisë, me artikulim të dukurive të këqija e të dëmshme të realitetit të cilin e jetojmë, me promovim dhe qëndrim parimor e të paluajtshëm ndaj sistemit të vlerave të trashëguara dhe të atyre që sot krijohen. Zaten ky kontekst shoqëror ka ndikuar edhe në formimin e personazhit lirik të kësaj poezie dhe në qëndrimin e tij ndaj gjendjeve dhe situatave me të cilat ballafaqohet ai brenda realitetit artistik brenda vëllimit që, dihet, është reflektim i realitetit jetësor, i ballafaqimit dhe i sfidave të autorit në jetesën e tij.

Vëllimi poetik i Krasniqit po ashtu na cyt t’i qasemi konceptit të Sartrit (Jean Paul Sartre) rreth përgjegjësisë që ai ia vesh shkrimtarit për raportet e veprës letrare me rrethin shoqëror. Lexuesi i poezisë së Krasniqit ka të drejtë të nxjerrë nga tekstet dhe mesazhet e këtij vëllimi poetik edhe idenë e autorit për qëndrimin që duhet të ketë shkrimtari dhe arti në kontekstin shoqëror, historik dhe politik ose ndaj shfaqjeve që reflektohen nga kontekstet e tilla. Shkrimtari i madh i Europës, Franc Kafka, kishte bindjen se nuk mund ta ndryshonte realitetin e hidhur, por me vetëdije mori përgjegjësinë që ta prezantonte atë realitet para lexuesit të kohës së vet dhe para lexuesit të kohës sonë dhe të kohëve të ardhme, duke ia lënë botës testament romanin “Procesi” si dokument estetik ku janë theksuar dhe gdhendur në mënyrë monumentale raportet e përhershme të makinerisë së shtetit me qytetarin dhe, sipas konceptimeve filozofike dhe artistike të kësaj vepre, brenda shtetit nuk mund të ketë qytetarë të pafajshëm, sepse shteti krijon qëndrimin ndër qytetarë që secili që merret nga organet e shtetit ka faj, pra shteti bën përpjekje që pafajësia të mos ekzistojë.

Autori në vëllimin poetik “Lëkundje lavjerrësish” e ballafaqon lexuesin me situata mjaft të dhimbshme, me gjendje shpesh tejet dramatike nëpër të cilat kalon heroi lirik i kësaj poezie i cili është simbol i njeriut kryengritës, parimor e rekreativ, kultivues dhe promovues i vlerave të familjes, të lirisë, të qytetërimit, të dashurisë, të artit, të dinjitetit njerëzor dhe të çdo vlere për të cilën bota e qytetëruar ka krijuar standard, mbrojtje, promovim dhe avancim të tyre. Se përmbajtja e kësaj poezie është edhe reflektim i një dileme të heroit lirik dhe të vetë autorit, na informon poezia e parë me titullin “Dilemë” përmes vargjeve të së cilës kuptojmë kontekstin brenda të cilit sillet heroi lirik i poezisë. Strofa e fundit e poezisë mund të lexohet edhe si prolog i gjithë veprës, edhe si qëndrim ideoartistik i autorit dhe raport i tij me kontekstin shoqëror:

“Me vaj në buzë

fëmijëve u thashë:

“Atdheu po na lë”. (Poezia “Dilemë”).

A nuk është shprehur këtu një dhimbje e drejtë dhe e sinqertë e poetit për vendin e tij? A nuk është shprehur këtu një komunikim i mundimshëm me fëmijët, pasardhësit e autorit dhe pjesëtarët e atdheut të përbashkët dhe një frikë e mbështjellë me dhimbje prindore e njerëzore për fatin e këtyre filizave në kontekstin e kohës dhe sidomos në raport me perspektivën e atdheut?

Vëllimi ka shumë poezi në të cilat jepet gjendja jo e mirë e personazhit lirik, ndjesitë e tij të një dramatizmi të theksuar, por edhe karakteri i pathyeshëm dhe stoicizmi përballë të këqijave që e rrethojnë dhe sidomos përballë atyre që ia nëpërkëmbin dinjitetin dhe vlerat kombëtare e qytetare dhe në këtë drejtim lexuesi, i ndikuar nga teksti dhe mesazhi ideoartistik, e percepton një hapësirë edhe më të gjerë sesa rrethi ku veprojnë personazhet lirike, sepse realiteti modern ka pamje të zvetënuara pothuajse kudo e gjithkund për shkak të mosrespektimit dhe për shkak të dhunimit të sistemit qytetar, kombëtar, por edhe letrar të vlerave të trashëguara. Të kësaj natyre janë poezitë: Luftë shtrigash”, “Luftëtarit të shkelur”, “Nuk e dua më”, “Thundra”, “Kohë e keqe”, “Parandjenjë e keqe”, “Përgojim” e të tjera si këto, zbërthimi i të cilave plotëson në pikëpamje artistike dhe ideore tematikën e vëllimit dhe qëndrimet që ka heroi lirik ndaj realitetit.

Autori, si ushtar i luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka konstatuar artistikisht shumë momente e mbresa të pashlyeshme nga ajo luftë, gjaku i së cilës u bë themel i fuqishëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetin  Kosovës. Autori shpreh prerazi qëndrimin e vet në mbrojtjen e kësaj lufte dhe të të gjitha vlerave të saj dhe ai së bashku me heroin lirik të vëllimit nuk bëjnë kurrfarë kompromisi në dëm të sistemit të vlerave të kësaj lufte, prandaj në poezinë “Thundra” autori ka shpalosur shqetësime të thella të gjendjes shpirtërore të heroit të kësaj poezie, përmes figuracionit duke shfrytëzuar mundësitë shprehëse të pyetjes retorike dhe të ironisë:

 

“Sa patriotë ka atdheu im tash

kur lufta ka pushuar

duhet kohë për t’i numëruar

më shumë kohë për të shkruar libra”. (Poezia “Thundra”).

 

Përmes krahasimesh dhe vrojtimesh të realitetit autori na jep ndër vargje edhe skena të një zvetënimi moral e familjar, duke pasur këtu për objekt të përqasjes situata të absurdit të jetës, veshur me farsën e kinse jetesës bashkëkohore dhe kështu në vargje të tilla lexuesi merr informacion për gjendje dhe situata që në rrethana normale përjashtojnë njëra-tjetrën. Kjo situatë artistike në këto vargje jepet bukur përmes figurës së një antiteze të veçantë: “Qenin në prehër/ babanë në shtëpi të pleqve” (Poezia “Kohë e keqe”).

U theksua qysh në fillim të këtij shkrimi se vëllimi poetik “Lëkundje lavjerrësish” është vepër që të cyt për perceptime, përqasje e konceptime të ndryshme të artit letrar, për rëndësinë dhe rolin e shkrimtarit në shoqëri si dhe të cyt për të bërë krahasime veprash të zhanreve të ndryshme për të konstatuar gjendje, qëndrime e përjetime të ndryshme brenda kontekstit ku promovohet, zvetënohet ose shkelet sistemi i vlerave morale, qytetare, por edhe letrare. Situata artistike të këtyre gjendjeve dhe përqasje e ballafaqime të tyre lexuesi vëren edhe brenda tekstit letrar të këtij vëllimi, duke komunikuar drejtpërsëdrejti me heroin lirik dhe personazhe të tjera lirike, prandaj të gjitha poezitë e kësaj përmbledhjeje poetike, pavarësisht strukturimit nëpër cikle ose kapituj letrarë, sipas tematikës dhe qëllimit ndahen në dy grupe: në poezi që konstatojnë artistikisht zvetënimin moral, qytetar dhe letrar dhe në poezi që konstatojnë artistikisht parime, qëndrueshmëri dhe respektim të sistemit të vlerave morale, qytetare dhe letrare, duke përfshirë edhe aktin e flijimit sublim për këto vlera. Nga grupi i dytë i llojit të këtyre poezive po përmendim disa prej tyre: “Rrituni kujdesshëm bijtë e mi”, “Të dua”, “Komandant Plaku”, “Varkës sime”, “Ylldritit në një ditë të vështirë”, “Vëllait tim në kurbet”, “Emblemë njeriu” dhe ndonjë tjetër që japin një pasqyrë të këndvështrimit të autorit ndaj vlerave, duke arritur të tejkalojë karakterin dhe kufijtë e letërsisë didaktike e moraliste përmes artikulimit të shprehjes së veshur me figuracion dhe nëntekst të përshtatshëm për këtë tematikë të poezive. Në këtë kontekst vlen të theksohet se përpos vlerave të tjera që autori ka arritur t’i shndërrojë në figura të vëllimit si: atdheu, liria, dashuria, lufta, luftëtari, flamuri etj., si figurë e tillë ndaj së cilës nuk ka munguar angazhimi dhe përkushtimi artistik është edhe figura e familjes e cila na shpaloset në disa poezi herë si flijim, herë si dhimbje e dashuri e herë si testament e amanet ndaj pasardhësve. Si argument artistik të përkushtimit të autorit ndaj figurës së familjes po sjell më poshtë vetëm dy vargje nga poezia “Rrituni kujdesshëm fëmijët e mi”:

 

“Rrituni në shtëpinë e vogël

ndërtuar me djersë.

……………………………………

Nëse veç një ditë nuk rriteni

më mbetet hatri në rriten tuaj”…(Poezia “Rrituni kujdesshëm fëmijët e mi”).

Ndërsa figurën e varkës në këtë vëllim poetik (poezia “Varkës sime) lexuesi e koncepton si një simbolikë të arrirë artistike brenda së cilës jepet realiteti jo i lehtë për t’u përballuar, por edhe këmbëngulja e heroit lirik dhe e vetë autorit për të përballuar dhe tejkaluar vështirësitë, të bindur se qëndrojnë në anën e drejtë të ekuilibrit të vlerave të trashëguara dhe të atyre të krijuara tash me djersë, mund e gjak. Varka në këtë poezi është “rebele ndaj dallgëve”, pra një sintagmë e qëlluar stilistike me të cilën lexuesi krahason edhe rebelizmin e heroit lirik dhe të autorit ndaj dallgëve të detit të jetës.

Pra vëllimi poetik “Lëkundje lavjerrësish” i poetit, shkrimtarit dhe publicistit Mehdi Krasniqi është një tekst letrar ku reflekton një përvojë jetësore dhe letrare e autorit si dhe koncepti i tij qytetar, intelektual e artistik ndaj sistemit të vlerave dhe ndaj qëndrimit e përkushtimit të qytetarit, intelektualit dhe shkrimtarit karshi këtyre vlerave në kontekstin shoqëror, historik dhe kulturor.