Ballina Shëndet Stresi i prindërve shkakton fëmijë nazeli

Stresi i prindërve shkakton fëmijë nazeli

 

“Haje, haje, haje” Kjo është shprehja që një grua e thotë më shpesh në jetë, që nga momenti që bëhet nënë.

Një shprehje që shkakton acarim si te nëna ashtu edhe të fëmija.

Por meraku i të ngrënit dhe sidomos i cilësisë së ushqimeve për fëmijët në të vërtetë është i justifikuar.

Si ndikon tek fëmijët

Një studim i Qendrës Universitare Erasmus në Rotterdam ka nxjerrë në pah se fëmijët ushqehen keq, bëhen tekanjozë me ushqimin nëse nëna ka vuajtur nga ankthet dhe depresioni gjatë shtatzanisë apo viteve të para të jetës së fëmijës.

Sipas të njëjtit studim, nëse fëmijët vazhdojnë të mbeten nazelinj me ushqimin atëherë do të kenë probleme shëndetësore kur të rriten.

Më herët tekat fëminore me ushqimin kanë shkaktuar probleme peshe dhe sjellje agresive tek fëmijët.

Ndonëse shkencëtarët nuk kanë arritur të kuptojnë se çfarë influencon plotësisht mungesën e dëshirës për ushqim, ata kanë identifikuar një lidhje të fortë mes ankthit të nënës dhe depresionit të saj duke nisur nga shtatzania dhe rritja me sjelljen e tërhequr të fëmijës ndaj ushqimit.

Por ajo që nuk ishte e qartë ishtë gjeneza e kësaj lidhjeje të ngushtë mes depresionit të nënës dhe tekave të fëmijës.

Shkencëtarët donin të kuptonin nëse sjellja e fëmijës ndaj ushqimit shkakton depresionin tek nëna apo e kundërta.

Kështu, nga Prilli i vitit 2002 deri në Janar të 2006, studiuesit ndoqën dhe vëzhguan nënat shtatzënë që jetonin në Rotterdam.

Ata i pyetën gratë shtatzëna për ankthin dhe depresionin, dhe të njëjtën pyetje ua bënë kur fëmijët tanimë ishin tre vjeç.

Prindërit e rinj dhanë informacion edhe për sjelljen e të ushqyerit të fëmijëve të tyre.

Rreth 30 përqind e fëmijëve të 4746 nënave të përfshira në studim ishin tekanjozë me ushqimin.

Studiuesit patën kështu konfirmimin që ankthi dhe depresioni i nënave gjatë dhe pas shtatzanisë por edhe të baballarëve gjatë rritjes ishin të lidhura ngushtë me rrezikun në rritje të kequshqyerjes.

Ky fenomen sipas shkencëtarëve është një fazë normale e rritjes së fëmijës.

Ai arrin kulmin gjatë moshës dy vjeçare dhe nis e reduktohet gjatë fëmijërisë.

Megjithatë ka disa fëmijë të cilët vazhdojnë të jenë tekanjozë me ushqimin e si rrjedhojë të ushqehen keq.

Kur është shqetësues

Një studim i Duke University në SHBA zbuloi që kequshqyerja tek fëmijët është një sinjal alarmi sepse ata do të vuajnë vetë nga depresioni dhe ankthi kur të rriten.

Disa ekspertë sugjerojnë që nënat të jenë këmbëngulëse, por jo të dhunshme kur të ushqejnë fëmijën.

Ky i fundit ka nevojë të prekë, të ndjejë dhe t’i marrë erë ushqimit e më pas të bindet që ta hajë.

Fakti që fëmija e vjell ushqimin për herë të parë nuk do të thotë që nëna mos ta provojë sërish t’ia japë atë ushqim në një formë tjetër, ose të maskuar si një ushqim tjetër.

Fëmijët në fillimet e tyre pasi kanë lënë ushqimin duhet të prezantohen me perimet dhe frutat para ëmbëlsirave.

Nënat bëjnë gabim kur e mbushin pjatën me shumë ushqim dhe përpiqen t’ia japin fëmijës me forcë.

E mira e të mirave është që në një pjatë të vendosen sasi të vogla ushqimi (perime) dhe të nxitet fëmija që thjesht ta provojë, por nxitja nuk duhet bërë me forcë.

Një tjetër rregull i rëndësishëm që nënat duhet të ndjekin është vëzhgimi periodik i sjelljes së fëmijës dhe dëshirave për ushqim që ndihmon edhe në përpilimin apo ndryshimin e dietës ushqimore.

Fëmijët sipas ekspertëve nuk duhet kurrësesi të kërcënohen, shantazhohen apo korruptohen për të ngrënë vaktin e caktuar.

Ata duhen inkurajuar dhe asgjë tjetër.

Nëse fëmija nuk i ka qejf perimet si brokoli apo spinaqi, atëherë ata duhen angazhuar në procesin e gatimit thonë ekspertët.

Kështu fëmijët ndihen më të përfshirë dhe sikur i kanë gjërat nën kontroll.

Perimet kryesisht ato me ngjyrë të gjelbër mund të maskohen me produkte të tjera duke i bërë ato më të ngrënshme!

Çfarë nuk duhet t’i thuash një fëmije nazeli?

Nëse ka diçka që t’i mund të bësh për fëmijën nazeli është mos ta bësh atë në qendër të vëmendjes në tavolinën e bukës.

Edhe nëse do të duhet të kafshosh gjuhën, është e rëndësishme mos të bësh apo thuash gjërat e mëposhtme:

“Haje brokolin, të lutem”

E keni parasysh, fëmija ka ngrënë gjithçka tjetër përveç brokolit.

Mos i bërtit dhe mos i thuaj me nerva që të hajë brokolin.

Një studim ka treguar që 72% e studentëve në universitet prindërit e të cilëve i kishin përndjekur për një ushqim të caktuar, refuzonin ta hanin atë edhe në një moshë të rritur, sepse u dukej sikur prindi kishte fituar ndërsa ata kishin humbur.

“Nuk ka ëmbëlsirë për ty, nëse nuk ha darkë”

Mos përdor ëmbëlsirat si rryshfet apo kërcënim.

Të gjithë e dimë se fëmijët bëjnë gjithçka për pak ëmbëlsirë.

Nëse bën një ofertë të tillë tregon që je e dëshpëruar dhe se ngrënia e darkës apo drekës është thjesht një detyrim, një gjë pa shije të cilën duhet ta durosh për hir të ëmbëlsirës.

“Por, ty kjo të pëlqen..”

Nëse i thua fëmijëve që ata e pëlqejnë salçicen dhe duhet ta hanë atë, fëmijët nuk do ta hanë.

Është kaq e thjeshtë. E njëjta gjë vlen edhe për gjëra që supozohet që ata nuk i pëlqejnë.

Me këtë sjellje u jep fëmijëve fuqi të luajnë me nervat e tua.

“Nëse nuk e ha mishin, nuk do të rritesh!”

Fëmijët duhet të mësojnë për vlerat ushqimore të produkteve që hanë, por tryeza e ngrënies nuk është vendi i duhur.

Ndaj të gjitha vlerat ushqimore të peshkut, portokallit, brokolit dhe mishit duhet t’ia tregosh diku tjetër, dhe mundësisht jo ndërsa pregatitet të hajë.

“Mos e ha, por të paktën provoje”

Nëse ka diçka acaruese për nënat është fakti që fëmijët refuzojnë të hanë një ushqim edhe pse nuk e kanë provuar ndonjëherë.

Nëse has një sjellje të tillë, atëherë tërhiqu.

Fëmijët kanë një natyrë kurioze, edhe për ushqimin.

Nëna duhet të punojë për të shtuar kuriozitetin jo shuar atë. “Mami i do shumë karrotat, do i provosh pak?”

Nëse thua këtë shprehje, është njëlloj sikur të jesh duke iu lutur dëshpërimisht të hajë atë karrotë.

Ajo që duhet të bësh është të kthehesh në një model.

Haje sallatën, karrotën, dhe lere të të shohë sa shumë e shijon ushqimin.

Kjo do e bëjë atë kurioz dhe do e shtyjë ta kërkojë vetë me kalimin e kohës.

“Sa nazeli që je!”

Kurrë mos ia thuaj këtë fjalë fëmijës tënd.

Do e marrë për të mirëqenë dhe do e përdorë si justifikim për të mos ngrënë.

Mund të ankohesh për nazet e fëmijës me nënën, vjehrrën e mikeshat por kurrë në praninë e tij.