Ballina Aktualitet Mos hapja e doganave në Qafë Morinë e Qafë Prushi ngjan si...

Mos hapja e doganave në Qafë Morinë e Qafë Prushi ngjan si “Perde e Hekurt”, sjell krizë mbi krizë për Tropojën e Hasin – Nga Ramiz LUSHAJ

 

 

       1.

        Qeveritë e Kosovës ende nuk i kanë hapur dy pikat e kalimit kufitar e doganor në Qafë Morinë (Tropojë) e në Qafë Prushi (Has). Ndërkohë që prej 1 qershorit 2020 funksionojnë 6 të tilla në 24/7 me status e standarde të njëjta, si ato në Vermicë (Kukës, Shqipëri) Kullë (Mali i Zi), Hani i Elezit (Maqedoni e Veriut), Dheu i Bardhë, Merdarë e Jarinjë (Serbi). Ndërkohë që Qeveria e Shqipërisë i ka hapur “kufijtë me fqinjët, për të gjithë shqiptarët”. Për ma tepërt, kur edhe vet Serbia mbrri deri aty sa lëshon deklarata politike, diplomatike e shoviniste “do i hapim kufjtë me Shqipërinë”(!).

       “Qeveria Kurti” i hapi “100 përqind” pikat kufitare e doganore (të çertifikuara për udhëtarë e mallra) me Republikën e Serbisë, ndërsa me Shqipërinë vetëm “30 përqind”, vetëm atë të Morinës në Kukës, ndërkohë që vijën kufitare me Kosovën e ka 116.3 km përgjatë bashkive Tropojë, Has e Kukës.

         2.

         Mos hapja e PKK e PKD në Qafë Prushi e në Qafë Morinë (që janë rrugë kalimi të udhëtarëve e karvanëve qyshce në hershmërinë antike ilire, të cilat e lidhnin bregdetin Adriatik me Alpet), në kushtet aktuale gjeostrategjike politike e diplomatike, përban një akt të lig përjashtimor e përveçues, një veprim antikombëtar e prosllav të Qeverive të Kosovës (në ikje e ardhje), i damton ndjeshëm ekonomitë private e shtetërore të Shqipërisë (Tropojës e Hasit, etj.) dhe të Kosovës (Rrafshi i Dukagjinit, etj.), nuk mundëson lidhjet etno-historike, kulturore, etj.

         Vetëm rregjimet e Krajlëve të Dinastive të Serbisë Mbretërore, të Enverit izolacionist, të Titos e Millosheviçit të Jugosllavisë ia kanë mbyllun Tropojës dhe Hasit kufijtë tokësorë me piramida e klone, në pika kalimi kufitare e doganore.

            Vetëm këta nuk e kanë lanë Malësinë e Gjakovës (Tropojën) të lidhet me Gjakovën e saj dhe Gjakovën të lidhet me Malësinë e vet (!) Vetëm këta nuk e kanë lanë Hasin e Thatë të Shqipërisë të lidhet me Hasin e Rrafshit të Kosovës dhe Hasin e Rrafshit në Kosovë të lidhet me Hasin e Thatë në Shqipëri (!)

            3.

       Tropoja (Malësia e Gjakovës) sëbashku me Brigadën “Agim Ramadani” të Kosovës e të tjerët, në Luftën historike të Koshares, qyshce me 9 prill 1999, me gjak e plumba, me sakrifica e heroizma, e kanë thye njëherë e përgjithmonë  kufinin e padrejtë të Fuqive të Mëdha që i ndante Kosovën me Shqipërinë dhe Shqipërinë me Kosovën.

            Tropoja dhe Hasi kanë ma shumë se çdo rreth (bashki) tjetër e Shqipërisë: a.-pjesmarrës luftëtarë e kontributorë në Luftën e fundit të Kosovës (1997-’99), b.-Dëshmorë të Luftës së Kosovës,  c.-Invalid në Luftën e fundit të Kosovës.

            4.

            Asnji rreth (bashki) tjetër e Shqipërisë nuk është damtue ma shumë se Tropoja e Hasi nga Lufta e Kosovës, të cilat kanë pësue humbje me disa miliardë dollarë (USD) përgjatë Luftës së fundit të Kosovës, aq sa dhe sot e kësaj dite i ndjejnë deri në mbijetesë pasojat e mëdha të saj, aq sa ende ecin, mbjellin e korrin mbi tokë të minueme nga shovinizmi gjakatar e genocidial serb, etj.

       Vetëm Tropoja (Malësia e Gjakovës) nga rreth 700 dëshmorët e saj, i ka rreth 500 prej tyne të ramun Dëshmor i Atdheut për Kosovën, prej nga kohërat e kryengritjeve e luftërave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri tek Lufta ma e fundit e Kosovës.

       Dikur, bashkarisht, edhe para dy-tre dekadave të fundit, e kena thye me zemër e shpirt të pastër e “me qefin në krye” kufinin e padrejtë shqiptaro-shqiptar mes Shqipërisë e Kosovës të vendosun prej të tjerëve në shekujt e fundit.  Tropojanët e Hasianët dhe Kukësianët, (e të tjerët) kena dhanë kontribute të mëdha nga buka tek pushka për me luftue e me fitue lirinë e Pavarësinë Kosova dardane. E tashti padrejtësisht e pabesisht Qeveritë e Kosovës (në ikje e ardhje) po duan me na nda ndërveti, për së gjalli e me mjaft ligësi politike e shtetërore, me hakmarrje primitive politike, etj.

     Përgjatë historisë, në jetë e mote, Tropoja e Hasi i kanë pasë bashkarisht miqësitë e gjakut e të pragut; i kanë pasë bashkarisht edhe lidhjet ekonomike e kulturore; i kanë pasë bashkarisht edhe dasmat e luftërat. Haxhi Zeka aq sa është i Pejës është dhe i Tropojës. Bajram Curri aq sa është i Gjakovës është dhe i Tropojës. Ndaj, kush na ndaftë ndërveti si dikur, as ditë të mirë e as dritë të pastër mos paftë!

        5.

      Tropoja (Malësia e Gjakovës) e ka veç një krahë e një hap larg Gjakovën, është pjesë etno-historike e saj, janë njësh – nji e vetme.

       Tropoja e ka mbi dy herë ma afër Prishtinën (120 km) se sa Tiranën (260 km). Ma shpejt shkojmë në Gjakovë, Pejë, Prizren e deri në Prishtinë, se sa në qytetin e Kukësit, në kryeqëndren e Qarkut të Kukësit apo në Tiranë – në metropolin shqiptar.

      Veçanarisht bashkia e Tropojës (Malësia e Gjakovës), po përgjithsisht dhe Bashkia e Hasit (Hasi i Thatë) nëse nuk funksionojnë Pikat e Kalimit Kufitar e Doganor të Qafë Morinës e të Qafë Prushit bien menjëherë në krizë të madhe ekonomike e financiare, bien në vështirësi të jashtëzakonshme, sepse magjen e bukës, tregtinë me mall, kuletë e çek bankar, tregtinë me çanta dore e me makina të vogla e të tonazhit të madh,  e kanë kryesisht e përgjithsisht me Kosovën dardane.

      Dihet botnisht se tre muaj izolim pandemik e kanë lodhë së tepërmi Tropojën e Hasin, krejt Qarkun e Kukësit, ndaj në këto çaste Kosova është frymëmarrja jonë ekonomike, fuqia jonë ekonomike. Edhe vet Kosova, kryesisht Rrafshi i Dukagjinit, ia ndien peshën ekonomike Qarkut të Kukësit.

             6.

            Absurdi ma i madh politik e diplomatik ka të bëjnë dhe me faktin se Qarku i Kukësit (ku përfshihen tri bashkitë e sotme Tropojë, Has e Kukës) është ndër ma të pasuritë në botë për nga pasuritë natyrore të tij, por ka mbetun Qarku ma i prapambetur në Shqipëri e në Europë, prej politikave mbishekullore të qeverive shqiptare në vargni, prej politikave të fqinjëve tanë ballkanikë e mesdhetarë në histori shumëshekullore, prej mos pasjes me ose pa dashje të ndërhyrjes e të ndihmës ndërkombëtare euro-atlantike, si dhe nga politika të tilla të izolimimit e bllokimit me PKK e Doganor në Qafë Morinë e në Qafë Prushi të mbajtura këto ditë nga qeveritë e Kosovës.

            Sot është dita, ora, minuta, që të ndërhyjnë edhe Ndërkombëtarët Euro-Atlantik, me përfaqësuesit e tyre në Uashington e Bruksel, në Prishtinë, në Tiranë, duke e vlerësuar dhe situatën e çastit dhe shkaqet e pasojat e prejkohshme, se Qarku i Kukësit, se Tropoja e Hasi (të bllokuara me Kosovën) nuk janë larg gjeopolitikisht, po në mesin e Europës e të Botës; nuk janë as bashki të vogla krahasime dhe me disa shtete të Europës. Qarku i Kukësit është gati sa shteti i Luksemburgut. Bashkia e Hasit është mbi dy herë ma e madhe se shteti i Lehtenshtajni. Bashkia e Tropojës është mbi dy herë ma e madhe se shteti i Andorrës.

        “Perdja e Hekurt”, jo vetëm më përngjan, por nuk ka si të jetë ndryshe, veçse me “stop” në kufi e me “traun” e ulun të doganës edhe në Qafë Morinë të Tropojës e në Qafë Prushi të Hasit e krahinës së Bytyçit!

       “Mbi-Kriza” (kriza mbi krizë) nuk ka si të jetë e të vijnë ndryshe veçse nga mbyllja ngujuese prej tre muajsh në shtëpi prej situatës së fatkeqësisë natyrore Covid-19 në Shqipëri e në Botë, prej mos-hapjes (mbylljes) së kufijve me Kosovën; prej moskthimit në investime e vlera monetare të pasurimeve të mëdha natyrore të hidrocentraleve, minierave, pyjeve, etj. të grabituna nga të gjitha qeveritë shqiptare të Tiranës; prej mos shpërblimeve në investime e vlera monetare për damet e shkaktueme nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e fundit e Kosovës.