Turp i madh për politikën shqiptare! Prej më shumë se dy vitesh kanë pasur kohë të bëjnë reformën zgjedhore, por as që e kanë vënë ujin në zjarr për këtë. E tani, në dy ditët e fundit të afatit të vënë nga ndërkombëtarët dhe të dakordësuar me faktorin vendor, dridhen e përdridhen për të gjetur kompromisin lidhur me draftin përfundimtarë të kësaj reforme, që më pas duhet të votohet në Kuvendin e Shqipërisë. Ka më shumë se dy vjet që OSBE/ODIHR, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Këshilli i Evropës dhe shtete të veçanta të demokracive të konsoliduara i kërkojnë politikës shqiptare që të bëjnë reformë zgjedhore për të parandaluar parregullsitë e zgjedhjeve të konstatuara në ato të përgjithshmet në vitin 2017 dhe në vendoret në vitin 2019.
1. Mungesë përgjegjshmërie
Në çdo reformë, por edhe në çdo strategji, event, prioritet, projekt, program krahas planit të veprimit dhe masave që lypet të ndërmerren është e domosdoshme të parashikohet edhe kalendari kohor i plotësimit të detyrimeve.
Strategjitë, eventet, prioritetet, projektet apo programet politike pa afate kohore të zbatimit të tyre ose në shkelje të këtyre afateve janë mungesë e plotë përgjegjshmërie për faktorët politikëbërës dhe vendimmarrës. Mungesa ose tallja me afatet kohore zbatuese të politikave, respektivisht edhe të reformave të çdo fushe shprehin një politikë që nuk respekton as veten, as qytetarët dhe as ndërkombëtarët.
Politika është proces. Si e tillë ajo zhvillohet në kohë. Koha në politikë është themelore. Shpërfillja e kohës, mosrespektimi i afateve kohore, tallja me to janë reflektime të një politike të vjetër, të dalë boje, pa respekt për veten e saj, pa detyrime ndaj qytetarëve dhe pa konsideratë ndaj faktorëve ndërkombëtar që asistojnë dhe mbështesin.
Data 31 maj 2020 ishte fiksuar në mendjen e çdo qytetari shqiptar, të çdo medie, të çdo partneri ndërkombëtar si data e finalizimit të konsensusit të reformës zgjedhore. Është një reformë themelore për demokracinë shqiptare. Është një reformë e munguar prek kohësh. Është alarm për qytetarët e këtij vendi. Është kërkesë, gati-gati ultimative nga BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë.
Papërgjegjshmëria e politikës shqiptare po trondit qytetarët shqiptarë, po habitë mediat e huaja më prestigjioze, po çuditë partnerët tanë ndërkombëtarë. Politika shqiptare jeton jashtë kohe…deklarohet jashtë kohe…punon jashtë kohe..vepron jashtë kohe…Koha për politikën shqiptare është e pakonsiderueshme, e pavlefshme, e pa rëndësishme.
Kudo në botë, por edhe populli ynë thonë “Koha është flori”, “Koha është para”, “koha është gjithçka”. Vetëm për politikën shqiptare “koha është asgjë”. Në kokën e politikës shqiptare është rrënjosur thellë-thellë, shumë thellë, aq thellë sa nuk shkulet dot, trashëgimia e tmerrshme orientaliste mesjetare…”avash-avash”,…” punët e mira bëhen ngadalë”…”mos të nxitohemi”…etj. Janë këto recidiva primitive që e kanë lënë Shqipërinë nga një vend gjeografikisht në oborrin e mesëm të Evropës, në një periferi të prapambetur të saj. Turp!
2. Mungesë besimi
Sa herë që lind nevoja për të hedhur hapa kompromisi apo vendime konsesuale faktori politik kryesorë në vend, mazhoranca dhe opozita bllokohen tërësisht. Vendi tronditet i tëri. Qytetarët pezmatohen aq shumë sa u mërzitet edhe vendi ku kanë lindur dhe jetojnë e punojnë. Ekonomia fillon të rrëshqasë teposhte. Problemet sociale përkeqësohen. Imazhi i vendit rrënohet. Partnerët ndërkombëtar zhgënjehen dhe reagojnë në mënyra nga më të çuditshmet.
Në këto momente kompromisi të munguar dhe konsensusi të paarritshëm midis mazhorancës dhe opozitës politike në Shqipëri ngrihet një mur mosbesimi që na kujton “Murin e Madh Kinez” midis Kinës dhe Mongolëve, apo “Murin e Berlinit” midis dy blloqeve të Luftës së Ftohtë. A thua se mazhoranca dhe opozita shqiptare janë dy realitete “extra terra”, jashtë mjedisit shqiptar, pa lidhje me këtë vend, pa ngjashmëri me këtë komb, pa agjendë të përbashkët me këtë popull, pa kontinuitet bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtar.
Përballë çdo kompromisi e konsensusi në politikën shqiptare ngrihen instikti i të keqes, inati, skepticizmi, urrejtja, frika, armiqësia. Lartësohen si përbindësha mburrjet për vetveten dhe fajësimet për kundërshtarët. Faji i vërtetë mbetet jetim. Ose më së shumti i vishet popullit, dhe, kohët e fundit, edhe partnerëve ndërkombëtar.
Rreth tryezave të rrumbullakëta të dizajnuara për kompromise dhe konsensus dalin thepat e mprehtë të konfliktit të interesave dhe hidhen tej interesat qytetare e kombëtare, lartësohen egoizmi e megalomania, pragmatizmi vulgar dhe materializimi konsumist. Një liderizëm i sëmurë ngrihet mbi këtë vend të rrënuar e popull të varfër. Partnerët pezmatohen dhe revoltohen. E si pasojë, gjithë bota lëviz, ndryshon, zhvillohet, ndërsa Shqipëria rrinë në status quo.
Turp, vërtetë, turp!
3. Mungesë aftësie
Tek i sheh politikanët shqiptarë rreth tryezave të negocimit të merren mendtë nga mendimet, qëndrimet e veprimet e tyre. Mendime kaotike, fjalë pa lidhje, emocione jashtë kontrolli, gjuhë trupore halucinacionesh. Sikur tryeza e negociatave të jetë fushë e minuar, gati për të shpërthyer. Tek politikanët negociatorë shqiptarë, instiktet frojdiste prevalojnë mbi qetësinë, njerëzoren, racionalen, të arsyeshmen, të drejtën dhe të dobishmen.
Lexohet qartësisht se palët hyjnë në negociata pa strategji të vizionare, pa objektiva madhore, pa prioritete, pa një plan veprimi, pa një afatizim kohor, pa masa që duhen ndërmarrë, pa ndarje rolesh, pa skenarë alternative, pa kurrfarë parashikueshmërie, pa llogaritjen e riskut, pa bërë hesapin kosto-përfitim, pa konsideruar pasojat afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjate, pa taktika ç’bllokuese dhe dalje në rast krizash negociuese. Pra, pra asnjë palët politike negociuese në Shqipëri janë pa asnjë bazë edukimi, informimi, formimi, profesionalizmi dhe aftësie negociuese.
Pra, qartësisht politikanët negociatorë shqiptarë shkojnë në tryeza bisedimesh me një mal paragjykimesh për njëri-tjetrin dhe për kundërshtarin, ulen në tryeza me projekte ad-hoc, mbi baza spontane, me filozofinë “të dale, ku të dalë”, me hilenë “për t’ia hedhur njëri-tjetrit’, për tu tallur me qytetarët, për t’i mashtruar ndërkombëtarët.
Paaftësia për të biseduar, dialoguar dhe negociuar politikanëve shqiptarë u lexohet në ballë. Madje u lexohet nga Maja e Everestit. Dhe ku ekziston paaftësia mbillet djallëzia. Politikanë të tillë të paaftë për të arritur kompromise e konsensus brenda vendit të tyre e mbi një popull e një komb të vetëm, nuk munden kurrsesi të arrijnë të negociojnë marrëveshje, protokolle e traktate ndërkombëtare me armiq të popullit e Kombit tonë. Turp i madh për politikën shqiptare! E nisën reformën zgjedhore dy vite më parë, por e lanë në mes pa e nisur mirë. E tani, në dy ditët e fundit, ngrenë sirenat e alarmit për afatin e vënë nga ndërkombëtarët të dakordësuar me faktorin politik shqiptar, pa qënë të përgjegjshëm, të ndershëm dhe të aftë për të gjetur kompromisin lidhur me draftin përfundimtarë të kësaj reforme, që pritet të votohet në Kuvendin e Shqipërisë. Prej dy vitesh OSBE/ODIHR, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Këshilli i Evropës dhe shtete të veçanta të demokracive të konsoliduara kërkojnë nga politika shqiptare të bëjnë reformë zgjedhore, për të parandaluar parregullsitë e zgjedhjeve kaluara politike dhe vendore si dhe për të filluar negociatat për anëtarësim në BE. Dy vjet pa kokëçarje, dy ditë me alarm!
Turp, pafundësisht turp!