Albin Kurti disa herë iu ka referuar figurës së Hasan Prishtinës, si model i politikbërjes, andaj do të ishte e udhës që edhe me këtë rast të ndiqte shembullin e tij, kur dorëzoi kolltukun e Kryeminstrit (10 dhjetor 1921) për t’i ikur gjakderdhjes brendashqiptare. Pra, figura dhe vepra e kolosit Hasan Prishtina le të përdoret edhe kësaj radhe, jo vetëm si model politikbërjeje, por edhe si pikë referimi e reflektimi për të vepruar ngjashëm si ai edhe në momentet kur duhet dorëzuar pushteti. Madje edhe atëherë kur pushteti të merret nga duart në mënyrë arbitrare e joparimore
Askush nuk mund ta zhbëjë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila i jep të drejtë dekretimit të Avdullah Hoti për kryeministër nga ana e Presidentit Thaçi. Gjithashtu është procesi pakthyeshëm, tash më, formimi i një kabineti të ri qeverisës, i kryesuar nga LDK në koalicion me AAK, NISMA, Lista Serbe dhe komunitete tjera.
Kosova nga një krizë e papërfunduar shëndetësore, po futet në një situatë të re dhe të panjohur politike , dhe ditët në vazhdim do të jenë mjaft dramatike, për faktin se përmbysja e skenës politike po ndodhë në kohën kur polarizimi në shoqërinë kosovare ka arritur kulmin.
Lëvizja Vetëvendosje tash më e ka bërë të ditur se e konteston legjitimitetin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kurse aktivistët e saj kanë paralajmëruar protesta. Dinamika e ngjarjeve në vijim mund të sjell një dizajn të ri social e publik nëpër rrugët dhe sheshet e Kosovës.
Nga zgjedhjet e fundit parlamentare, që u mbajtën më 6 tetor 2019, pa u bërë ende 8 muaj të plotë, Kosova do të drejtohet nga një qeveri e re, por tash pa zgjedhje. Mandati i kësaj qeverie pritet të jetë i limituar në disa çështje neuralgjike, ku dominojnë raportet e pambyllura me Serbinë. Për shkak të kësaj teme të imponuar që po rri në qafë si një gurë i rëndë, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të presin që çështjet e tyre do të jenë parësore, siç janë zbutja e varfërisë, ulja e papunësisë, zhvillimi ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, liberalizimi i vizave etj.
Pra ngutia dhe gatishmëria për të formuar qeverinë e re, lidhet më tepër me një problem të jashtëm, jo pak serioz, siç është Serbia, e më pak me hallet e problemet e brendshme që i kanë qytetarët e Kosovës.
Qeveria e Albin Kurtit erdhi me premtimin se problemet brendshme të kosovarëve do të jenë prioritet, mirëpo në rrugë e sipër, pa u bërë as dy muaj, kjo agjendë u tregua e parealizueshme për shkak të rrethanave të krijuara që tash në të gjithë i dimë.
Shumë kush beson se Albin Kurti u rrëzua për shkak të një mocioni mosbesimi i iniciuar nga partneri i deridjeshëm – LDK. Por në fakt, Albin Kurtin e rrëzoi ambicia e tij për të bërë ndryshime që nuk ishin bërë tash e njëzetë vite në skenën politike të Kosovës. Për këtë ambicie ai nuk pati partner, ndonëse ka shumë veta që e mbështesin këtë ambicie të tij, ashtu siç ka edhe të tjerë që e kundërshtojnë atë.Por, këta të fundit kundërshtimin e tyre po e mbështjellin me një alibi të tejdukshme që lidhet me aleatin tonë strategjik – Amerikën. Të gjithë ata që i përjetonin si lajme të këqija shkarkimet e bordeve problematike të kompanive shtetërore e publike si dhe paralajmërimin për konfiskim të pronave të atyre që në mënyrë të paligjshme ishin pasuruar, kishin gjetur një strehë – Amerikën, të cilën e përdornin si pëlhurë toreadorësh për të dezorientuar dhe amortizuar fuqinë e shtetit ligjor.
Në shtetet demokratike, transferet e pushteteve bëhen paqësisht dhe me elegancë. Deri më tani, edhe Kosova ka treguar kapacitet të mjaftueshëm demokratik për të pranuar realitetin e ri politik si një rotacion i normal. Ka pasur shumë kontestime e ankesa, por në fund është pranuar rezultati i atyre që i kanë fituar zgjedhjet.
Në kontekstin e tanishëm kosovar, Albin Kurti dhe partia e tij po ndjehen të zhgënjyer nga ky devijim i proceseve demokratike, duke pretenduar se pushtetet formohen vetëm përmes zgjedhjeve, e jo përmes tryezave të bisedimeve dhe ridizajnimit të shumicës së re në Kuvend. Këtë zhgënjim ata e shprehën edhe në adresë të Gjykatës Kushtetuese nga e cila kërkuan që ta “interpretojnë e jo ta shkruajnë Kushtetutën”.
Sikur gjithë kjo retorikë të kufizohej vetëm brenda deklarimeve verbale, do të ishte gjithçka në rregull, por nëse ndodhë ajo çka është paralajmëruar, atëherë Kosova ka rrezik të rrëshqasë në një krizë edhe më të madhe. Atëherë Kosova sërish do të targetohet si një pikë problematike e rajonit e cila nuk po mundet të konsolidohet si shtet dhe si shoqëri. Ky imazh ka kosto të lartë negative dhe Albin Kurti në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojë që të ndodhë. Ai disa herë iu ka referuar figurës së Hasan Prishtinës, si model i politikbërjes, andaj do të ishte e udhës që edhe me këtë rast të ndiqte shembullin e tij .
Sikundër dihet Hasan Prishtina më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, por më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqje pas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve,Hasan Prishtina pranon të largohet nga kolltuku i Kryeministrit dhe mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi.
Pra, figura dhe vepra e kolosit Hasan Prishtina le të përdoret edhe kësaj radhe, jo vetëm si model politikbërjeje, por edhe si pikë referimi e reflektimi për të vepruar ngjashëm si ai edhe në momentet kur duhet dorëzuar pushteti. Madje edhe atëherë kur pushteti të merret nga duart në mënyrë arbitrare e joparimore. Sepse kurrfarë çmimi nuk ka stabiliteti i vendit dhe raportet brendakombëtare, në krahasim me ambiciet për pushtet, qofshin ato edhe shumë qëllimmira.
Para ardhjes në pushtet, Albin Kurti demonstroi një opozitarizëm të fuqishëm, i cili për shumëkënd ishte edhe i kritikueshëm. Por realiteti tregoi se ai opozitarizëm prodhoi rezultat politik që u kurorëzua me fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.
Tani, kur Albin Kurti e provoi pushtetin dhe kur kauza e tij politike e kombëtare u ballafaqua me sfidat që krijon pushteti, është në logjikën e gjërave që edhe opozitarizmi i tij tash e tutje të mos e ndjek stilin dhe metodologjinë e mëparshme, sepse mbështetja popullore për të u dëshmua edhe gjatë kohës sa ai ishte kryeministër në detyrë. Kundërshtarët e tij, madje, do të donin ta shihnin sërish Albin Kurtin të barrikaduar në kampin opozitar me mjete radikale, sepse vetëm në këtë mënyrë ata llogarisin në rrënimin e imazhit të tij para popullit.
Protestat paqësore e dinjitoze të qytetarëve të pakënaqur, janë pjesë e demokracisë dhe këtij rregulli nuk mund t’i ikë as Kosova. Por protesta më substanciale do të bëhej atëherë kur opozita bashkë me mediat dhe shoqërinë civile inventarizon të gjitha devijimet e pushtetit, duke faktuar me prova e argumente gjithçka që është në dëm të interesave të Kosovës. Në të kalurën LVV këtë ka ditur ta bëjë më së miri, por duke shmangur me çdo kusht frymën e mosdurimit dhe linçimit në komunikimet publike, sepse ato përpos polarizimeve dhe acarimeve, nuk sjellin kurrfarë dobie për mirëqenien e vendit.
Në ditët në vijim na mbetet të presim se si do ta dizajnohet pushteti i ri, duke nënkuptuar edhe agjendën që do ta bëjë publike. Sigurisht që do të hapet një kapitull i ri në politikbërjen e Kosovës, kurse ajo që nuk do të përsëritej në të ardhmen është që opozita e re të mos sillet si kjo opozita e deridjeshme, e cila prej ditës së parë të Qeverisë Kurti kërkonte përmbushjen e objektivave që nuk ishin realizuar këtu e 20 vite më parë(!). Opozita e re, nuk duhet të imitojë opozitën e vjetër, e cila që në ditën e parë të votimit të Qeverisë në Parlament, u lexuan dhjetëra referate të shkruara që fare nuk kishin të bënin me programin qeverisës.
Një shtet quhet normal kur kohezioni social dhe politik është në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Kosova ka nevojë për më shumë kohezion të brendshëm dhe kjo arrihet vetëm nëse shkalla e polarizimit politik reduktohet në maksimum.
Prishtinë, 30 maj 2020