Ballina Sport Bonucci: Më në fund kemi një datë rifillimi, jemi gati për të...

Bonucci: Më në fund kemi një datë rifillimi, jemi gati për të fituar sërish

 

Pas në ndërprerjeje prej gati 3 muajsh, futbolli në Itali do të rikthehet më 13 qershor me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ndërsa prej 19 qershorit do të startojnë edhe ndeshjet e Serisë A, që do të zhvillohen çdo tre ditë, me synimin për të mbyllur sezonin brenda fillimit të gushtit, siç është parashikuar nga UEFA.

Klubet kanë rifilluar stërvitjen prej ditësh dhe po mundohen të sjellin në formë sa më të mirë futbollistët për sprintin veror, ndërsa njëri prej tyre, mbrojtësi i Juventusit Leonardo Bonucci nuk e ka fshehur kënaqësinë që më në fund do të mund të zbresë në fushë.

Nëpërmjet një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale, Bonucci ka shprehur gjithë gëzimin për caktimin e një date dhe është munduar të motivojë shokët e tij, duke u shprehur se ndihet gati për të fituar sërish.

“Më në fund kemi një datë, KËTË DATË. Një sinjal që na bën të mendojmë se të gjithë së bashku mund të rikthehemi të ëndërrojmë, por të ëndërrojmë për diçka që është kthyer në realitet. Një fillim i ri. Mungonte futbolli dhe edhe pse nuk do të jetë si ai i pari, me mijëra njerëz që e mbështesin nga shkallët e stadiumit, do të dijë të përcjellë të njëjtat emocione si më parë. Sepse futbolli është pasion edhe në distancë. Ne këtë pasion jemi gati ta sjellim në fushë, aty ku jemi të sigurt që tifozët tanë janë të pranishëm me zemër. Gati sërish për një objektiv të vetëm. Të fitojmë!”, shkroi Bonucci në Instagram.