Ballina Rajoni Turqia rikthen shërbimin e brendshëm të trenave

Turqia rikthen shërbimin e brendshëm të trenave

 

Shërbimi i trenave brenda Turqisë ka nisur të funksionojë të enjten me kapacitet të kufizuar, teksa Qeveria e këtij shteti lehtëson masat e kufizimit, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

Trenat është thënë se do të realizojnë 16 udhëtime në ditë, duke lidhur qytetet si: Ankaraja, Stambolli, Konja dhe Eskishehër.

Pasagjerët do të lejohen të udhëtojnë vetëm nëse kanë siguruar një kod të lëshuar nga qeveria që vërteton se ata nuk po vëzhgohen si persona të dyshimtë për koronavirus.

Duke folur në një ceremoni në stacionin e trenit në Ankara, Ministri turk i Transportit Adil Karaismailoglu, ka thënë se udhëtarët që tregojnë shenja të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, nuk do të lejohen të udhëtojnë.

Ai po ashtu ka thënë se nëse dikush ka shenja të sëmundjes në tren, i njëjti do të dërgohet në “zonën e izoluar” dhe do t’iu dorëzohet zyrtarëve shëndetësorë në stacionin më të afërt.

Përgjatë udhëtimit nuk do të ofrohen ushqim dhe as pije, ka njoftuar mes tjerash ministri.

Deri më tani, Turqia ka raportuar për gati 160,000 raste të konfirmuara me koronavirus, duke përfshirë edhe 4,431 të vdekur.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, rreth 123,000 pacientë janë shëruar.