Ballina Bota Uashingtoni mbushet me vizitorë pavarësisht rrezikut të pandemisë

Uashingtoni mbushet me vizitorë pavarësisht rrezikut të pandemisë

 

Megjithë rreziqet që sjell pandemia e koronavirusit, shumë njerëz treguan respektin e tyre për ushtarët e rënë duke vizituar përmendoret e luftës në Uashington DC për Ditën e Përkujtimit. Shërbimi Kombëtar i Parqeve u kishte kërkuar njerëzve të shikonin mundësinë e përjetimit online të ceremonive të kësaj dite.

Destinacionet turistike përreth Shëtitores Kombëtare në kryeqytetin amerikan Uashington DC kanë qëndruar të hapura që nga fillimi i krizës së shëndetit publik. Megjithatë, Shërbimi Kombëtar i Parqeve i kishte dekurajuar njerëzit të udhëtonin për Ditën e Përkujtimit, duke u ofruar mundësinë e ndjekjes së ceremonive online.

Veterani i Luftës së Vietnamit, Fidel Rodriguez, mbante një maskë megjithëse nuk ishte e detyrueshme.

Nuk dimë nga vijnë njerëzit dhe çfarë kanë bërë, kështu që duhet të mbrohemi. Ka rregulla dhe ato duhen ndjekur, si ruajtja e distancës. Nga sa shoh shumica e njerëzve po i zbatojnë“, thotë Fidel Rodriguez, veteran i Luftës së Vietnamit.

Për të mbajtur vizitorët të sigurtë, Shërbimi Kombëtar i Parqeve kishte vendosur shenja lëvizjeje me një drejtim në çdo objekt, duke mundësuar kështu qarkullimin e njerëzve dhe respektimin e rregullave të distancimit fizik.

Elaina Loalbo kishte ardhur nga Nju Xhersi për të vazhduar traditën 20-vjeçare të vizitës në Shëtitoren Kombëtare në Ditën e Përkujtimit. Me prejardhje nga një familje ushtarake, ajo mbarte edhe hirin e babait të saj.

Është eksperiencë të vish këtu gjatë pandemisë dhe të kesh mundësinë të zgjedhësh nëse do të mbash maskë. Në Nju Xhersi ende e kemi të detyrueshme sa herë dalim në publik“, thotë ajo.

Veterani Jud Starr thotë se tashmë mendon se reflekton për emrat e humbur gjatë pandemisë.

Është e rëndësishme të mendojmë për të gjithë emrat në Memorialin e Luftës së Vietnamit. Me virusin e kaluam këtë shifër. Edhe këta janë heronj të rënë (në luftë)”, thotë ai.

Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, njoftoi rishtazi se kryeqyteti mund të hyjë së shpejti në fazën 1 të rihapjes ndoshta që më 29 maj, nëse nuk do të ketë ngritje të rasteve me COVID-19 gjatë ditëve në vazhdim.