Ballina Rajoni Mali i Zi përjashton Serbinë nga lista e shteteve prej nga lejohet...

Mali i Zi përjashton Serbinë nga lista e shteteve prej nga lejohet hyrja

 

Mali i Zi dje njoftoi se së shpejti do të hapë kufijtë dhe do të fillojë të lejojë vizitorët nga disa vende evropiane, pasi në këtë shtet nuk ka raste aktive me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Megjithatë, Serbia është përjashtuar nga lista e vendeve të aprovuara, gjë që tërhoqi zemërimin e qytetarëve dhe zyrtarëve serbë.

“Hapja e kufijve me vendet që plotësojnë kriteret e duhura epidemiologjike pritet që në ditët e para të qershorit. Aktualisht, ato janë Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia”, thuhet në një njoftim të qeverisë së Malit të Zi.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha sot se vendimi vërteton se serbët nuk janë të mirëpritur në Mal të Zi.

“Qytetarët tanë tani mund të shohin se nuk janë të mirëpritur në Mal të Zi. Kjo sepse ne nuk kemi gënjyer se njerëzit tanë po vdesin nga gripi dhe pneumonia, e jo nga koronavirusi”, tha Brnabiç.

Ajo tha se Serbia nuk planifikon në vendosjen e masave reciproke dhe se nuk do t’i mbyllte kufijtë për qytetarët malazez.

Të dielën, 68 ditë pasi njoftoi rastin e parë pozitiv me COVID-19, Mali i Zi njoftoi se nuk ka raste aktive në vend.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 324 raste, prej të cilëve 9 kanë vdekur ndërsa të tjerët janë shëruar.