Ballina Aktualitet Nga 28 maji, Kosova do të lehtësojë më shumë masa izolimi

Nga 28 maji, Kosova do të lehtësojë më shumë masa izolimi

 

Në Kosovë, nga data 28 maj, do të fillojë lehtësimi i mëtejshëm i masave të izolimit kundër koronavirusit.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dha më shumë detaje:

“Ndër masat lehtësuese është hapja e objekteve fetare nga data 28 maj. Po ashtu orari i lëvizjes do të ndryshojë, do të largohen masat për lëvizje të qytetarëve dhe ky orar do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 21:00, pa kufizime”.

Vitia po ashtu tha se varësisht nga situata epidemiologjike, deri në fund të këtij muaji do të mbyllet edhe karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Sa i përket hapjes së kufijve, ai tha se ende nuk ka ndonjë vendim dhe se gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike dhe nga shtetet e tjera.

Ndërkaq, sa i përket hapjes së shkollave dhe kopshteve të fëmijëve, Vitia tha se po bëhen diskutime të vazhdueshme me Ministrinë në detyrë të Arsimit dhe se në qershor mund të ketë lehtësim të masave.

Vendimi për lehtësim të disa masave vjen pas rënies së numrit të rasteve të infektuara me koronavirus në Kosovë.

Një ditë më parë, autoritetet nuk regjistruan asnjë rast të ri me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 1,032. Prej tyre, 29 kanë vdekur dhe 789 janë shëruar.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.

Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik dhe kanë vendosur disa masa kufizuese, përfshirë mbylljen e shkolllave dhe të bizneseve, por të cilat kanë nisur të hiqen gradualisht nga data 4 maj.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë thënë se derisa kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse si: maskat, ruajtja e distancës dhe kujdesi i shtuar i higjienës, duhet të praktikohen nga qytetarët.